Elona Shahini/ Bankat lenë bosh bankomatet duke fajësuar sistemin

595
Sigal

A është shteti i lidhur me bankat si në vonesat e pagave po ashtu edhe në nisma të tjera

*Pedagoge

 Rastësi apo marrëveshje e heshtur do të konsiderohen vonesat në tërheqjen e pagave nga buxhetorët në banka. Kjo është një çështje për tu studiuar por që në pamje të parë lë hapësirë për dyshim për një marrëdhënie reciproke midis shtetit dhe bankave. Edhe pse Banka e Shqipërisë presupozohet të ushtrojë një veprimtari të pavarur nga qeveria, shteti është partner kryesor në veprimtarinë investuese të sistemin bankar, të të dy niveleve. Të gjitha politikat e normave të interesit të ndjekura aktualisht nga Banka Qendrore kanë qenë në kuadër të uljes së kostos së borxhit të qeverisë, pavarësisht se ky institucion supozohet të jetë i pavarur pavarësisht se politikat hartohen në kuadër të përmbushjes së objektivave të BQ. Borxhit Publik Shqiptar, duke parë historikun e dhjetë viteve të fundit, ka qenë rreth 60% ± 5% në raport me PBB. Në nivel dhe global, Borxhi Publik/PPB shihet si një indikator i rëndësishëm i ekonomisë së një vendi për shkak të ndërlidhjes që ka me faktorë të tjerë ekonomik. Pjesa më e madhe e borxhit të brendshëm të Shqipërisë është afatshkurtër dhe kryesisht i mbajtur nga bankat e nivelit të dytë. Kjo vërteton edhe njëherë lidhjen që ka ulja e NBI-së në nivelin  2.75% me koston e borxhit publik. Por kjo sigurisht që është shoqëruar me një marrëdhënie reciproke e realizuar kjo në një marrëveshje të heshtur ndërmjet sektorit bankar dhe qeverisë. Bankave u intereson të vonojnë transaksionet e thesarit për pagat e punonjësve dhe kjo bëhet nga një ndihmë e vogël që mund të japë qeveria duke i kaluar në llogarinë e pagave fondin ditën e premte, duke stimuluar kështu shpeshherë vonesa në tërheqjet e pagave në banka duke rritur në këtë mënyrë afatin e angazhimit të këtyre fondeve nga ana e bankave. Në shumë raste bankat nxjerrin justifikime të ndryshme për tërheqjen e pagave nga buxhetorët duke lënë bosh bankomatet ose duke fajësuar sistemin. Për aq kohë sa individët nuk arrijnë të tërheqin pagën e tyre në afat detyrohen shpesh herë tu drejtohen bankave për produktet e kredisë afatshkurtër që ato ofrojnë. Këto kredi emergjence të kërkuara nga individët në këtë rast aplikohen me norma të larta interesi. Kjo lidhet dhe me përqendrimin në sistemin bankar, aktualisht qeveria i mban marrëdhëniet e saj të arkëtimeve dhe pagesave në bankat më të fuqishme duke rritur kështu edhe më shumë pozitën e tyre në vend. Duke pasur pozitë dominuese në treg këto banka shpesh herë ndiqen nga bankat e tjera lidhur me strategjitë.