Miltiadh Muçi: Zaptimi i hapësirave të publikut, i trotuareve dhe shesheve tashmë bëhet sipas dëshirave të Bashkisë

440
Sigal

 

Posterat,
tabelat dhe hapësirat publike

 

Edhe pse kaloi më
shumë se një vit nga zgjedhjet vendore, në disa vetrata të mjediseve publike
ndodhen postera të mëdha, të dy kandidatëve rivalë, të PS-së dhe PD-së, kur dhe
në ditët e fushatës zgjedhore ka rregulla dhe vende të përcaktuara, për t’u vendosur
nga forcat politike pjesëmarrëse dhe kandidatët e tyre. A thua se Bashkia nuk
ka dijeni dhe aq me tepër vartës/punonjës të ngarkuar pikërisht për respektimin
dhe zbatimin e rregullave të vendosura, heqjen e tyre apo tabelave dhe
reklamave, sipas rregullave për shfrytëzimin të hapësirave publike në njësi të
ndryshme administrative të Tiranës. Jo se nuk i dinë ku ndodhen këto postera,
por drejtuesit e Policisë Bashkiake dhe jo vetëm, me mendësitë e “njëshit”, të
së kaluarës moniste dhe të pandryshuar aspak në vitet e “Berishës”, “Nanos”,
“Metës” dhe së fundit të “Ramës”, po kultivohen edhe tek qëndrimet ndaj “njëshit”,
në pushtetin vendor të Tiranes, “Veliaj”. Unë do t’i sugjeroja heqjen e
posterave të tij dhe të kujtdo “udhëheqësi primitive apo të vetëquajtur
modern”, sikurse janë dhe ato në dy rrugët kryesore të kryeqytetit, “Xhenfize
Keko”, përballë ish-Profarmës dhe asaj të “Kavajës” përballë Qendrës
Shëndetësore “Zonja e Këshillit të Mirë”. 


Njësoj ndodh me
tabelat apo reklamat e tregtisë apo shërbimeve publike dhe përsëri mjaftojnë si
shembull ato në rrugën e “Kavajës”, ku pas pushtimit të hapësirave të
trotuareve dhe shesheve, u lejohen disa personave dhe iu hiqen shumë të tjerëve,
tabelat vertikale apo tip “flamur”, edhe kur është i të njëjtit tip në dy
lokale që vetëm i ndan muri i përbashkët i tyre, ku i është hequr lokalit të
shitjes së ”x-it” dhe i është lejuar lokalit të “y-it”, thuajse përballë
xhamisë “Dine”. Më i rëndomtë është rasti i tabelës reklamë elektronike të hotel
“N”, në po këtë rrugë të “Kavajës”, e cila shtrihet si një strehë në gjithë
gjerësinë e trotuarit. Pse ndodhin këto dallime, sigurisht, sepse vazhdon
sëmundja e vjetër e shqiptarëve, sikurse e thotë shprehja frazeologjike shqipe
“Ca të nënës dhe ca të njerkës”. Këtë lloj dallimi mund ta shikosh vetëm tek
ne, dhe jo në Evropën, ku “me demek” ne duam të shkojmë.  Nuk mund të
bëjnë përjashtim as tabelat sinjalistike rrugore, të cilat vihen dhe hiqen
sipas interesave të personave të veçantë, sikurse janë dhe “taksixhinjtë” e pa licencuar
me karriget, bidonët me ujë dhe mjete të tjera rrethanore, të cilët jo vetëm
nuk e tregojnë veten profesionistë të dëshmisë me të cilën ata janë pajisur,
por prezantohen antiqytetarë, që me copat e gazetave të zhubravitura ndotin pa
të keq vendin, në pritje të “klientëve”, ndërsa pastruesit dhe policët
bashkiakë nuk i parandalojnë. Edhe më problematik është zaptimi i hapësirave të
publikut, i trotuareve dhe shesheve, por jo vetëm i tyre. Dalëngadalë po
zaptohen të gjitha sipërfaqet e gjelbëruara, dikur në shërbim të banorëve të
njësive administrative, ndërsa janë kthyer dhe vazhdojnë të kthehen në sheshe
të betonuar apo të shtruar me “parkete”, për t’u zëvendësuar me tavolina
shërbimi të bareve, të mbuluara nga çadrat, disa të rrethuara me plastmasë apo
vazo lulesh të mëdha, si kufij ndarës sipas më të fortit fizikisht apo më të
fuqishmit ekonomikisht. Ky fenomen po përhapet kudo, sidomos në kryqëzimet e
rrugëve apo në qoshet e pallateve ku janë sipërfaqet më të mëdha të hapësirave
publike. Më e keqja e kryebashkiakëve të larguar apo në detyrë, nisur nga interesat
e tyre ndryshe nga studimi urbanistik i lejojnë me qëllim, që më pas në
 këto hapësira të bëjnë investime persona të fuqishëm ekonomikisht, si
“pronarë” që kanë tentuar t’i zaptojnë realisht ato. Në çdo rotacion të
pushtetit vendor, “njëshi” i Policisë Bashkiake i ri nis të lirojë hapësirat
publike dhe më pas i ripushton. Pa marrë përsipër t’ua rendis këtu se çfarë ka
ndodhur dhe po ndodh në të gjithë Tiranën, drejtuesve të bashkisë që merren me
këto punë, do t’i ofroja të bënim një shëtitje pa makinë, (jo si ajo që bënë me
zotin X në disa prej rrugëve kryesore të Tiranës, pak ditë pas zgjedhjeve të
2015-ës), e t’u tregoj jo vetëm në rrugën “Xhenfize Keko” apo atë  të “Porcelanit”, por dhe në brendësi të
blloqeve të banimit, në rrugicat e trotuaret e tyre të ngushtuar dhe të
zgjeruar sipas qosheve të mureve, kangjellave, gardheve apo shkallëve që kanë
zaptuar hapësirat e pallateve jo vetëm të “Varrit të Bamit”, por kudo nëpër
Tiranë.