Në dhjetor “fshesa” për 5233 mësues

523
Sigal

Prezantohet raporti i inspektimit për arsimin parauniversitar: provimi për aplikantët, licencimi i mësuesve dhe drejtorëve

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, në prani të Kryeministrit të vendit, Edi Rama, prezantoi dje  raportin e inspektimit të burimeve njerëzore në institucionet e arsimit parauniversitar në vend, “Mësues për Shqipërinë. Kapitull i ri për reformën në arsim”. Raporti u prezantua në Qendrën Kulturore pranë Kishës Ortodokse në Tiranë.

Ministrja Nikolla tha se 13 përfaqësues të MAS u deleguan pranë çdo DAR dhe ZA për të kryer monitorimin e zbatueshmërisë së akteve nënligjore të cilat rregullojnë profilet e mësuesve, sipas standardeve të kërkuara nga MAS. “Kryefjala ka qenë dhe mbetet përmirësimi i shërbimit për 532 mijë përfituesit e drejtpërdrejtë në sistemin e arsimit shqiptar dhe ngritjen e një sistemi solid për të tjerët që vijnë.  Ndaj ne u angazhuam dhe realizuam inspektimin e plotë të cilësisë së burimeve njerëzore në shkollat tona, sepse asnjë reformë nuk është e mundur pa mësues që ofrojnë cilësi”, tha Nikolla. Ministrja shtoi se nga inspektimi rezultuan 1184 mësues tepër në të gjithë Shqipërinë mbi nevojat, 2065 mësues jashtë profilit dhe 1984 mësues që janë pa arsimin përkatës. Ministrja vuri theksin tek reforma në arsim, duke u shprehur se në çdo klasë do të ketë mësues të profilit përkatës, të cilët do të ofrojnë cilësi në mësimdhënie. “Të punojmë për të transformuar realitetet. Sigurojmë çdo prind e çdo nxënës se para çdo fëmije do çojmë mësuesit që ata meritojnë, duke ofruar cilësi në çdo shkollë. Nuk e masim punën tonë me “sa keq e gjetëm sektorin”, por se çfarë do bëjmë. Rruga jonë është e përgjegjësisë duke drejtuar së pari gishtin te veja, e duke dhënë llogari”, tha ministrja Nikolla. Ndër të tjera gjatë fjalës së saj, ministrja Nikolla tha se për zgjidhjen e situatës do të zbatohen nisma si, provimi kombëtar për aplikantët për mësues, licencimi i të gjithë mësuesve dhe krijimi i një database kombëtare të mësuesve deri në qershor 2015 dhe krijimi i një programi të veçantë “Mësues për Shqipërinë” që do të mbështesë mësues që janë të gatshëm të shkojnë në zona të vështira për ato profile ku ka mungesë. “Do te realizojmë provim kombëtar për të gjithë aplikantët që kanë aplikuar në portalin tonë. Ky testim do të monitorohet nga MAS. Deri në dhjetor do t’i japim fund historisë të mësuesve pa arsimin përkatës. Do të publikojmë dhe kalendarin për mësuesit. Sepse do të licencohen të gjithë mësuesit që janë në sistem”, tha Nikolla. “Duhet të punojmë shumë për të ndryshuar situatën. Ka patur emërime pa kriter, me mësues që kanë shmangie nga profili. Ndërkohë që kemi evidentuar edhe mësues pa arsimin përkatës, të palicencuar. Në shkolla nga buxheti i shtetit janë shpenzuar para për më shumë orë mësimi, por këto orë nuk janë realizuar, ndërsa mësuesit ishin paguar me orë të plotë. 2065 mësues janë jashtë profilit. Problematike në Librazhd, Gjirokastër, Përmet”, u shpreh Ministrja Nikolla. Ne, vijoi Nikolla, “do t’i japim fund brenda dhjetorit kësaj situate me mësues jashtë profilit. Do licencohen të gjithë mësuesit që janë në sistem dhe janë konform profesionalizimit të tyre. Deri në muajin maj të vitit të ardhshëm do të përmbyllet procesi i licencimit të mësuesve, duke krijuar data-basen e nevojshme për të bërë transparent këtë proces”.

“Shkolla e drejtorëve do të jetë një tjetër mbështetje që do t’i jepet mësuesve që duan të bëhen drejtues”, tha ministrja Nikolla.

RAPORTI

Qeveria synon një sistem arsimor me qendër nxënësit që mbështetet dhe vlerësohet mbi bazën e standardeve arsimore dhe synon standarde në cilësinë e burimeve njerëzore. Kjo nismë është marrë që në nëntor 2013. MAS i quan sukses dhe pjesë të reformës konkurset për përzgjedhjen e drejtorëve në 13 DAR dhe 25 ZA. Gjithashtu përmendet dhe votimi mbi performancën e drejtorëve nga 26 876 mësues të 1726 të institucioneve arsimore parauniversitare të çdo DAR/ZA-je në një proces votimi të hapur, sipas MAS.

 Zhvillimi profesional i mësuesve

3064 mësues në testim

35 % e pikëve të secilës pjesë të testit ishte vlerësimi dysheme,

345 mësues u vlerësuan me dobët,

 Menaxhimi i ri i burimeve njerëzore

Gusht 2014, inspektimi i 38 njësive arsimore vendore, nga grupe të MAS dhe ISHA

Monitorimi i akteve nënligjore të MAS, tetor 2014, ku qëllimi ishte:

-Identifikimi i problematikës ekzistuese në raport me cilësinë e burimeve njerëzore në arsimin parauniversitar në Shqipëri.

-Krijimi i mundësisë për hartimin e një Plani Kombëtar për korrigjimin e këtyre problematikave në një fazë tjetër.

-Identifikimin e nivelit arsimor të mësuesit në institucionet publike të arsimit parauniversitar

-Mësuesit pa arsim përkatës; mësuesit pa provim shteti; mësuesit jashtë profilit

– Identifikimin e normave të punës mësimore-edukative

 Monitorimi

1726 drejtorë të 13 DAR u monitoruan për 11 ditë

1340 shkolla 9-vjeçare

386 shkolla të mesme

Fakte dhe problematika

Nga monitorimi rezultuan mësues që kanë mbaruar studimet për Matematikë apo Histori-Gjeografi japin mësim në lëndën e Edukimit Fizik. Mësues që kanë mbaruar studimet për Edukim Fizik japin TIK dhe Edukim Figurativ. Mësues që kanë mbaruar studimet për Histori_gjeografi japin mësim dhe në lëndët Informatikë, Biologji, Muzikë. Mësues që kanë mbaruar studimet biokimi, japin mësim në lëndët Fizikë, Aftësim Teknologjik, Edukim Fizik. Mësues që kanë mbaruar studimet për Gjermanisht apo Gjuhë-Letërsi japin mësim në Anglisht. Shkolla, ku 2 mësues edhe pse pa asnjë orë mësimi paguhen me pagë të plotë. Shkolla ku punojnë 21 mësues në vend të 14 mësuesve.

1984 mësues pa arsimin përkatës

2065 mësues jashtë profilit

1184 mësues më tepër sesa nevoja në ngarkesa mësimore

  Provimi kombëtar për aplikantët mësues

 Krijimi i një portali kombëtar për të pritur të gjithë aplikantët për mësues në 30 nëntor 2014. Realizimi i një provimi kombëtar për të gjithë aplikantët sipas profilit të tyre dhe qarkut të përzgjedhur. Rekrutimi i mësuesve vetëm sipas kësaj liste meritë-preferencë në 1 janar 2015

 Licencimi i të gjithë mësuesve në vend

Dhjetor 2014: Krijimi i një kalendari për marrjen e licencës së mësuesit në

Maj 2015: Përmbyllja e licencimit

Qershor 2015: Krijimi i databazës kombëtare të mësuesve

 Programi “mësues për Shqipërinë”

Krijimi i një programi të veçantë “Mësues për Shqipërinë” që do të mbështesë

Me një paketë iniciativash financiare: Me transport; Me banim; Me kredite karriere,

mësues që janë të gatshëm të shkojnë në zona të vështira për ato profile ku ka mungesë

 Shkolla e drejtorëve

Krijimi i një shkolle të posaçme për ata që aspirojnë të jenë drejtues shkolle.

Licencimi i posaçëm për drejtorët e shkollave si dhe krijimi i databazës kombëtare të drejtorëve të shkollave në shtator 2015.

  Masteri, MAS publikon udhëzimet për kandidatët nga trojet dhe kategoritë e veçanta

  Ministria e Arsimit dhe Sportit publikoi dje udhëzimet përkatëse për procedurën e aplikimit të kandidatëve nga trojet dhe kategoritë e veçanta që dëshirojnë të ndjekin studimet e ciklit të dytë në Institucionet e Arsimit të Lartë.

Trojet

Kështu, Ministria e Arsimit dhe Sportit njoftoi dje të gjithë kandidatët nga Republika e Kosovës, si dhe kandidatët shqiptarë nga Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, të aplikojnë pranë (MAS) nga data 3 deri në datën 10 nëntor  për të përfituar nga kuotat e ciklit të dytë të studimeve në IAL publike, viti akademik 2014-2015. Sipas MAS, aplikimet pas datës 10 nëntor  nuk do të merren në konsideratë. MAS thekson se, kandidatët duhet të shprehin 5 preferenca të ndryshme lidhur me aplikimin në programet e preferuara të studimit. Kandidatët në momentin e aplikimit duhet të dorëzojnë dokumentacionin, thekson MAS, duke shtuar se, aplikimet me dokumentacion të paplotë nuk merren në konsideratë. MAS thekson se, përzgjedhja e kandidatëve bëhet nga një Komision i Posaçëm i ngritur me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Sportit. Sipas MAS, vlerësimi do të bëhet mbi kriterin e meritës, bazuar në notën mesatare të të gjitha viteve të studimeve universitare të ciklit të parë dhe në notën mesatare të të gjitha viteve shkollës së mesme, eventualisht, duke vlerësuar dhe programet që gjykohet të jenë prioritare sipas propozimeve të autoriteteve të vendeve përkatëse, si dhe duke marrë parasysh kapacitetet pritëse të çdo IAL-je për programin përkatës të studimit. Nëse, do të rezultojnë kandidatë me pikë të barabarta, do t’i nënshtrohen testimit që do të kryhet nga MAS.

 Ish të përndjekurit politikë, invalidët, romët

 Gjithashtu, Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS) njoftoi dje edhe kandidatët me statusin e ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politik, të verbrit, të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, të jetimit si dhe romët dhe ballkano-egjiptianët, që të aplikojnë direkt në MAS, nga data 03 – 10 Nëntor, për të përfituar nga kuotat e ciklit të dytë të studimeve në IAL publike, viti akademik 2014-2015. MAS shprehet se, kandidatët duhet  të shprehin 5 preferenca të ndryshme lidhur me aplikimin në programet e preferuara të studimit. Sipas njoftimit, për herë të parë, MAS po i kushton këtë vit një vëmendje të veçantë kategorive  të invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë, si dhe jetimëve duke akorduar për ta kuota të veçanta për të ndjekur studimet në IAL-të publike, edhe në ciklin e dytë të studimeve. Komisioni i posaçëm, me përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, do të shqyrtojë dhe vlerësojë aplikimet e kandidatëve me statusin përkatës. Pjesë e vlerësimit do të jetë dhe intervista me secilin kandidat, që zhvillohet nga Komisioni i Posaçëm. MAS thekson se, aplikimet me dokumentacion të paplotë nuk merren në konsideratë. Sipas MAS, vlerësimi do të bëhet mbi kriterin e meritës, bazuar në notën mesatare të të gjitha viteve të studimeve universitare të ciklit të parë, si dhe eventualisht në notën mesatare të të gjitha viteve të shkollës së mesme, duke vlerësuar dhe programet që gjykohet të jenë prioritare për kategoritë përkatëse, si dhe duke marrë parasysh kapacitetet pritëse të çdo IAL-je për programin përkatës të studimit. Nëse, do të rezultojnë kandidatë me pikë të barabarta, do t’i nënshtrohen testimit që do të kryhet nga MAS.