MAS i “nënshtrohet” studentëve: Do heqim mesataren, kuotat s’ndryshojnë

481
Sigal

Protesta e studentëve te Universiteti i Politeknikumit: Jo rritjes së tarifës së Masterit!

Kanë mjaftuar protestat e fundit të studentëve që Ministria të ndryshojë vendimet për pranimet e studentëve në Master. Një ndër kriter e pranimit është nota mesatare 6, por që Ministria do ta heqë. Studentët protestuan edhe për heqjen e kuotave të pranimit. Por Ministria ka vendosur të mos ndryshojë kuotat për programet e rregullta, por vetëm të programeve të cilat do të rihapen. Ndërsa për rritjen e tarifës së studimit, zv/Ministri i Arsimit, Arbjan Maznikut, pranoi se tarifa është rritur, porse, sipas tij, janë universitetet bënë propozime me rritje më të lartë.

Protesta

E hëna nuk nisi normalisht për Universitetin Politeknik, ku studentët protestuan, duke mos lejuar studentë dhe pedagogë për të hyrë në auditore. Studentët e Politeknikut në kryeqytet, të cilët kanë mbaruar ciklin 3-vjeçar të studimeve dhe presin të fillojnë studimet për Master, protestuan mëngjesin e djeshëm kundër uljes së kuotave për këtë nivel studimi. Duke u shprehur edhe kundër rritjes së tarifës për studimet Master shkencor e profesional, studentët e Politeknikut, të mbështetur edhe nga studentë të tjerë, bllokuan hyrjen e Korpusit, duke mos lejuar pedagogët të hyjnë. Ndërkaq, studentët janë shprehur se protestojnë edhe për mesataren për Master e cila duhet të jetë mbi 6, duke u shprehur kundër futjes së kriterit të mesatares për pranimin në këtë nivel studimi.

Reagimi i Kaçanit

Përgjigja ka ardhur 1 orë më vonë, nga fillimi i protestës së studentëve, nga Rektori Jorgaq Kaçani, i cili ka deklaruar se Ministria e Arsimit do të rishikojë kriteret për pranimin e studentëve, ku ashtu siç edhe kërkohet, nota mesatare nuk do të merret parasysh. Kaçani tha gjithashtu se studentët që protestojnë nuk janë të Universitetit Politeknik, megjithatë lidhur me rritjen e tarifave të “Master”-it, duhet pasur parasysh se ato janë rritur pak, por krahasuar me universitetet private diferenca është e madhe. Po ashtu, rektori theksoi se kriteret e pranimit duhet të jenë të qarta që në fillim dhe jo pasi të ketë nisur viti i ri akademik. Ndërsa pohoi se të mërkurën pritet që me VKM të bëhen ndryshimet përkatëse.

Berisha: “Masteri”, mollë e ndaluar për të varfrit

 Ish-Kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje për protesta studentëve, me pretendimin se tarifa e studimeve të nivelit “Master” është rritur ndjeshëm. Përmes një postimi në rrjetet sociale Berisha shprehet se tarifat e studimit në Master Shkencor apo Profesional, janë 2-5 herë më të larta se në të gjitha vendet e Evropës. Në këtë kontekst, ish-kryeministri thekson se vazhdimi i studimeve “Master” është kthyer nga qeveria aktuale, në një privilegj për pakicën, duke shtuar se në këtë mënyrë universitetet janë shndërruar në një mollë të ndaluar për të varfrit e vendit. Për këtë, Berisha u bën thirrje studentëve për protesta, nisur edhe nga ajo e zhvilluar ditën e djeshme nga studentët e Universitetit Politeknik në Tiranë.

Dibër, protestë për mbylljen e filialit “A.Moisiu”

 Rreth 300 të rinj në qytetin e Peshkopisë kanë protestuar për vendimin e qeverisë për mbylljen e filialit të fakultetit të Universitetit “Aleksandër Moisiu”. Studentë dhe stafi pedagogjik i filialit të Peshkopisë kanë bërë thirrje që të rishikohet vendimi i marrë për këtë filial të shkollës së lartë, pasi ai është në kundërshtim me interesat e komunitetit. Kjo protestë ka zgjatur rreth një orë. Ministria e Arsimit dhe Sporteve vendosi pezullimin e programeve universitare në filialin e universitetit “A.Moisiu”, të 63 programeve të studimit në universitete publike të rretheve, si dhe 7 filialeve të tyre.