Klani i Universitetit të Mjekësisë nënshtron edhe ministren e re të Arsimit

395
Sigal

Vendimi/ Komisioni i Edukimit, ministrja Nikolla: Universiteti i Mjekësisë nuk do të shkrihet!

 Universiteti i Mjekësisë nuk do të shkrihet. Këtë e ka konfirmuar vetë ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Lindita Nikolla gjatë një debati me ish -ministrin Tafaj në Komisionin e Edukimit, ku po diskutohej buxheti për MAS. “Ne thjeshtë kemi shqyrtuar ankesën e profesoratit të Universitetit të Mjekësisë, por ne nuk kemi si qëllim shkrirjen e këtij universiteti”, është shprehur ministrja Nikolla. Edhe pse të gjithë studentët e Universitetit të Mjekësisë, si të interesuar të drejtpërdrejtë për fatin e diplomave të tyre, kanë kërkuar me anë të një peticioni, nga të gjitha dikasteret përkatëse shkrirjen e këtij universiteti; edhe pse profesorati, në një numër të konsiderueshëm, i këtij universiteti është pro shkrirjes së tij; edhe pse vetë Kryeministri Rama ka paralajmëruar rishikimin e vendimit për formimin e Universitetit Mjekësor të cilën e cilësoi si vendim politik, ministrja e re e Arsimit e paska marrë vendimin. Mesa duket klani i Universitetit të Mjekësisë e paska nënshtruar edhe ministren e re. Ndërsa studentët e Universitetit të Mjekësisë janë të shqetësuar për diplomat që marrin nga ky institucion që as njihet në BE, por edhe që nuk plotëson as kushtet më minimale, nuk ka një logo, infrastrukturë, kurrikula apo edhe staf pedagogjik. “Diplomat tona në BE nuk po njihen. Kur më përpara ishim pjesë e Universitetit të Tiranës na mjaftonin 3 provime për ta konvertuar këtë diplomë, sot nuk mundemi ta konvertojmë, sepse nuk na e njohin. Në rankingun botëror, si universitet i sapokrijuar, jemi në vendin e 37 mijë. Është absurde që ne duhet të jemi pjesë e një strukture, të pamenduar mirë”- janë shprehur studentët e Universitetit të Mjekësisë gjatë një forumi të hapur për këtë problem. Studentët e Mjekësisë kanë qenë të mendimit për rikthimin e Fakultetit të Mjekësisë si pjesë e Universitetit të Tiranës dhe shkrirjen e Universitetit të Mjekësisë. Një tjetër problem që ka dalë pas ngritjes së Universitetit është edhe ai i specializantëve që nuk u njihen vitet e specializimit. Në janar të këtij viti, kalimi nga Fakultet në Universitet u bë me një vendim të Këshillit të Ministrave mes zërave pro dhe kundër të profesorëve të QSUT-së.

 Diskutimi për buxhetin e MAS

Komisioni i Edukimit ka marrë në diskutim dje buxhetin për Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve. Ministrja Lindita Nikolla ka theksuar në këtë diskutim se nga taksimi, mësuesit do të kursejnë gjithsej 1 200 lekë në muaj. Ndërkohë, ajo vuri në dukje se: “Fondet e parashikuara për  vitin 2014 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit arrijnë në 2.9% të shpenzimeve publike në vlerën prej 40.1 miliard lekë me një rritje prej 3.5% krahasuar me buxhetin e  vitit 2013”. Sipas Nikollës, nga ky fond, për arsimin universitar do të kalojë 85,3 % e buxhetit. “Këto para do të përdoren për rikonstruksionin e 150 shkollave, ku 105 janë në rrezik shembjeje”, tha ministrja e arsimit. Në mënyrë më të specifikuar shpërndarja e fondit për Arsimin parauniversitar do të bëhet sipas tre programeve. Për programet e Arsimit Bazë  parashikohen të shpenzohen rreth 62.2% e buxheti të MAS, për Arsimin e Mesëm të Përgjithshëm, parashikohen të shpenzohen rreth 14.9 % e buxheti të MAS dhe për Arsimin i Mesëm Profesional dhe Social-kulturor, parashikohen të shpenzohen rreth 6.2% e buxheti të MAS, 0.54% e shpenzimeve të buxheti, si dhe 0.18 % e PBB. Ndërkohë për  programin e Arsimit të Lartë,  parashikohen të shpenzohen rreth 13.8% e buxheti të MAS, ndërsa për Kërkimin shkencor dhe ekselencën  parashikohen të shpenzohen rreth 0.43% e buxheti të MAS. Gjithashtu, Nikolla bëri me dije se fondi për transportin do të jetë rreth 600 milionë lekë në vit, fondet për bursat do të kapin shifrën e 410 milionë lekëve dhe  110 shkolla do të pajisen me tabletë elektronik. Po kështu do të shtohen orët e edukimit fizik në shkolla, dhe për sportin parashikohet të shpenzohet rreth 0.4% e buxheti të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Ndërkohë ajo vuri në dukje se “Fondet e parashikuara për  vitin 2014 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit arrijnë në 2.9% të shpenzimeve publike në vlerën prej 40.1 miliard lekë me një rritje prej 3.5% krahasuar me buxhetin e  vitit 2013”. Sipas ministres, buxheti i investimeve për Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve do të jetë 2.5 miliardë më shumë se një vit më parë.