Kauboj me pistoleta në fugonë, shpëtohet jeta e 15 nxënësve

410
Sigal

DURRËS/Banorët-policisë: Na siguroni jetën, krimi ka pushtuar rrugët. Fëmijët, të pasigurt në shkolla, ne të pasigurt në punë e shtëpi

Mbi 15 nxënës të një shkolle në Durrës janë terrorizuar nga ‘kauboji’ me pistoleta në fugonin me të cilin udhëtonin, por fatmirësisht tentativa e tij për vrasje të piketuar ka dështuar dhe nxënësit kanë shpëtuar mrekullisht nga një tragjedi e mundshme me pasoja të rënda. Burime të policisë shtojnë se “terrorizuesi i armatosur ishte në furgonin me të cilin udhëtonin nxënësit në ekspeditën e tyre mësimore, ndërsa pikë shënjestra e vrasjes për ‘të ishte shoferi i një furgoni tjetër me të cilin ishin në konflikt’. Burime zyrtare thonë se, 32-vjeçari Fatmir Bylyshaj nga Shijaku, njeri me precedent të mëparshëm penal është arrestuar dhe po hetohet për shkaqet e ngjarjes së rëndë. Ndërkohë, nxënësit e terrorizuar po i nënshtrohen trajtimit psikologjik, kurse prindërit e tyre shprehin shqetësimin për pasigurinë e jetës së fëmijëve të tyre, duke kërkuar masa të menjëhershme nga shteti.

NGJARJA

Burimet zyrtare konfirmojnë se, Hamallaj me një grup prej 15 nxënësish, të rinj futbollistë do të shkonin të vizitonin pikën turistike të Ardenicës. Mes tyre, ka qenë dhe 32-vjeçari Bylyshaj, i sapo konfliktuar me një drejtues furgoni tjetër të kësaj linje. Mësohet gjithashtu se, 32-vjeçari ishte konfliktuar dhe më parë me shoferin e furgonit tjetër, ndërsa në konfliktin e paradites së enjte, kishte vendosur të hakmerrej për ta ekzekutuar me pistoletë. Fëmijët janë bërë dëshmitarë të skenave horror, duke qenë të terrorizuar e në pasiguri për jetën. Ndërkohë, informacionet e policisë dhe ndjekja e ngjarjes nga blutë e Shijakut, kanë sjellë neutralizimin e 32 vjeçarit, çarmatosjen e tij dhe ndalimin në mjediset e paraburgimit. Krahas evitimit të një tragjedie, në momentin e ndalimit, policia i ka bllokuar 32-vjeçarit një armë pistoletë pa leje dhe 7 copë fishekë luftarak. Burimet zyrtare konfirmojnë se ai akuzohet për veprat penale të tentativës për vrasje, mbajtje të armëve e municioneve pa leje dhe terror në vende publike.

SKANDALI

Burimet zyrtare të policisë konfirmojnë se 32-vjeçari i armatosur ishte njeri me precedent të tjerë penal dhe i skeduar nga policia, ndërsa lëvizja e tij i armatosur, përbën një skandal. “Shtetasi në fjalë është akuzuar  e dënuar disa herë për vepra të ndryshme penale si plagosje me trupin e armës së zjarrit, kanosje me armë zjarri, prishje e rendit, armëmbajtje pa leje, shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor, disa plagosje me mjete të forta si shkop bejzbolli, etj., si dhe njihet nga ana e policisë  si shtetas i përfshirë në disa konflikte, nga të cilët më i fundit ndodhur gjatë këtij muaji. Ndaj tij janë ushtruar në vijimësi kontrolle fizike apo të banesës për shkak të tendencës në mbajtjen e armëve të zjarrit, të cilat kanë rezultuar negative dhe vetëm sot u bë e mundur kapja në flagrancë me armën e zjarrit”,- shtojnë burimet policore. Skandali, ku një njeri i skeduar, i shoqëruar apo dhe dënuar për plagosje apo kërcënim me armë, është i paprecedent dhe tregon dobësinë e policisë. Ndërsa qytetarët ndjehen të pasigurt për jetën e tyre përballë krimit që ka liri të plotë në rrugë e vende publike.