Këshilli i FSHN-së kundër draftit për reformimin e arsimit të lartë. Cenohet autonomia e universitetit

115

Këshilli i Fakultetit të Shkencave të Natyrës shpreh mendimin që drafti i parë i propozuar duhet të rishikohet sipas sugjerimeve të ardhura nga stafi akademik. Gjithashtu Këshilli i Fakultetit shpreh gatishmërinë të bashkëpunojë për të kontribuar që reformimi i universiteteve të bëhet në përputhje me specifikat tona dhe në përputhje me hapësirën europiane të arsimit të lartë. Modeli që propozohet nuk i përgjigjet as realitetit tonë dhe as realitetit të vendeve të tjera europiane kontinentale. Ja disa nga problematikat e shprehura nga ky këshill për draftin:

Cenimi i autonomisë

Drafti i parë për reformimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, mendojmë cenon parimet bazë të arsimit të lartë si Autonomia dhe Demokracia. Universitetet shqiptare kanë një përcaktim të dhënë qartë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, që është autonomia. Ato duhet të funksionojnë si institucione autonome. Neni 57, pika 7 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë: “Autonomia e institucioneve të arsimit të lartë dhe liria akademike janë të garantuara me ligj”.

Kostoja bie mbi studentët

Reforma që paraqet drafti ka një kosto të lartë dhe barra bie mbi studentët. Buxheti i shtetit për arsimin varion nga 2.2% në 2.8% e PPB dhe për arsimin e lartë nga 0.4% – 0.6% të PPB-së, sipas draftit. Këto vlera janë të vogla. Prandaj për të rritur mbështetjen në arsimin e lartë duhet që shteti të rrisë në mënyrë progresive, sipas rekomandimeve, deri në 5% të PPB, në të cilën arsimi i lartë të përfitojë po në mënyrë progresive deri në 2% të PPB. Në këtë mënyrë kostoja e studentit shkon nga 1200 deri 1500 euro. Në këto kushte qeveria duhet të shprehet për rritjen e mbështetjes së Arsimit të Lartë duke garantuar rritjen e cilësisë në këto institucione. Kontributi i të ardhurave me anë të donacioneve, projekteve, pushtetit lokal etj., do jetë shumë i vogël dhe për pasojë, nëse nuk ka mbështetje barra bie totalisht mbi studentët.

Ndalimi i dypunësimit të pedagogëve pengon shkëmbimin e eksperiencave

Ndalimi i dypunësimit duhet sqaruar. Nëse bëhet fjalë që pedagogët e një Universiteti të mos japin mësim në Universitete të tjera si të jashtëm, atëherë kjo nuk na duket e arsyeshme për dy arsye themelore: e para në këtë rast do pengohej shkëmbimi i eksperiencave ndërmjet Universiteteve Publike por edhe private, dhe së dyti do ulej shumë niveli ekonomik i një mase të madhe njerëzish (Aktualisht pagat e pedagogëve tanë janë thuajse gjysma e pagave të homologëve në vendet fqinje Kosovë, Maqedoni).

Granti i punës kërkimore për IAL, i paqartë

Gjykojmë se Granti i punës kërkimore-shkencore për IAL nuk është i qartë, përse duhet të jepet në masën 10% për LAL publike të rankuara të akredituara, dhe pjesa tjetër prej 20% t’u jepet gjithë IAL-ve. Këto fonde shpërndahen nga AKKSH mbi bazë merite/aplikimi, ndaj nuk është e qartë pse vetëm 10% e financimit total të shtetit për IAL-të duhet të përdoret për IAL publike, ndërsa IAL e tjera që mund të jenë të parankuara dhe të paakredituara, pra nga pikëpamja e meritës lënë për të dëshiruar, do të mund të aplikojnë për 20% të buxhetit total.

Kundër kthimit të universiteteve në fondacione

Përse u dashka të përfitojë një biznes privat të ardhura publike? E vlerësojmë si aspak të dobishme për universitetin (si privat ashtu edhe atë publik) kthimin e tyre në fondacione. Ne i mbështesim universitetet private si komplementarë të arsimit të lartë, me kusht që ato të plotësojnë, ashtu si dhe ne, të gjitha standardet akademike dhe universitare.

Menaxherët cenojnë pavarësinë e universiteteve

Drafti cenon rëndë autonominë e universiteteve publike nëpërmjet pushtetit absolut që i jep bordit administrativ dhe menaxherëve të varur prej tij. Drafti krijon një model universitar burokratik, ku në qendër janë menaxherët dhe nuk tregon asnjë interes për stafin akademik dhe studentët, të cilët përfaqësojnë dy shtyllat e domosdoshme të sistemit universitar.

Autoritete akademike lihen në hije

Drafti nuk shpreh asgjë për autoritetet akademike si rektori, dekani, përgjegjësi i departamentit. Lihet në terr edhe roli i këshillit të fakultetit, i senatit dhe i këshillit të profesorëve. Organigrama e menaxhimit të universiteteve të mbetet në thelb kjo që është sot, natyrisht duke bërë përmirësime apo ndryshime të pjesshme, duke qartësuar më mirë funksionet e strukturave menaxhuese dhe, në të gjitha rastet, ku të mbizotërojë vizioni akademik mbi vizionin menaxherial. Tani kemi një përvojë, e cila na jep mundësi për të bërë ndreqjet e nevojshme.

Mos të hiqet vota e studentëve

Heqja e së drejtës së votës të studentëve në zgjedhjet për rektor dhe dekan është një shkelje e hapur e të drejtës legjitime të studentit në Arsimin e Lartë Publik.

Të mos mënjanohet departamenti për emërimet e reja

Në lidhje me emërimet e reja, mënyra e propozuar për rekrutimin e stafit të ri akademik nuk është efikase. Mënjanimi i Departamentit në përzgjedhje zbeh ndjeshëm objektivitetin e përzgjedhjeve. Përbërja e komisioneve të marrjes së personelit kërkimor-shkencor në departamente duken mosbesuese ndaj vlerësimit nga trupa me anëtarë të fakultetit dhe universitetit. Sugjerojmë që në përbërjen e komisionit “ad hoc”, pesha kryesore të jetë nga anëtarët e Departamentit, Grupit përkatës, ku bëhet pranimi, i cili njeh më mire nevojat për staf mësimor dhe kërkimor, dhe të përcaktojë modalitetet e kritereve.

Programet e mësuesisë të kenë status të veçantë

Programet e studimit të Mësuesisë të trajtohen me status të veçantë. Pra, të ketë jo vetëm Universitete me status të veçantë, por edhe programe studimi me status të veçantë. Duhet të përcaktohet qartë që programet e studimit në Matematikë, Fizikë etj., dhe në mënyrë të veçantë programet e Mësuesisë në këto fusha të konsiderohen si prioritet kombëtar dhe të financohen totalisht nga shteti. Këtu propozojmë që MAS të shpall për çdo vit parashikimet për vende pune në afate 4-5 vjeçare jo vetëm në mësuesi, por edhe në profesionet e tjera. Ky është një informacion i nevojshëm për orientim ndaj tregut të punës edhe pse ky sugjerim nuk lidhet drejtpërdrejt me reformën.