Fryn era e Rilindjes në Universitetin e Vlorës apo erë…..

543
Sigal

Organizimi i konkurseve nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve ka ngjallur shpresat se diçka po shkon drejt vlerësimit të vlerave. Vihet re se konkurset po zhvillohen rigorozisht të rregullta dhe transparente, duke përjashtuar çdo ndërhyrje korruptive apo partiake. Nuk ka asnjë kriter veç atij të meritokracisë. Kjo motivon shumë të rinjtë për një të mësuar me baza dhe i mobilizon ata për rritur përpjekjet për të mësuar më shumë. Natyrisht, pranimet e pedagogëve në universitete duhet të jenë nga më transparente, por po të lexosh format e pranimit në punë në Statutin dhe Rregulloren e Universitetit të Vlorës gjen:

 Neni 28 Kërkesat për Punësim

Personat kandidatë për punësim të të tre niveleve, për t’u punësuar në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë duhet të plotësojnë, së pari, këto kërkesa të përgjithshme:

1. Të zotërojnë aftësitë e nevojshme profesionale për vendin e punës për të cilin konkurrojnë.

2. Të kenë aftësinë e punës në grup dhe të komunikimit profesional me kolegët dhe studentët.

3. Të mos jenë dënuar me vendim të formës së prerë të Gjykatës për kryerjen e një krimi.

4. Të mos jetë marrë më parë ndaj tyre masa disiplinore e largimit nga puna, apo zgjidhjes së kontratës nga Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë.

5. Të mos kenë vepruar ose propaganduar në veprim të prishjes së imazhit të universitetit dhe autoriteteve drejtuese, në median vizive dhe të shkruar, rrjetet sociale etj..

 Pika 5, nuk është as më shumë as më pak, por Ligji i famshëm i Agjitacion-Propagandës. Kush është zënë apo ka kritikuar rektorin Qarri nuk duhet të futet fare në garë.

Kurse pikat 1 dhe 2 nuk e di se si mund të përcaktohen pa e futur në konkurrim. Pika 4 është fare absurde, sepse gjykata kur të dënon dhe kur e shikon të arsyeshme merr vendim të të heqë dhe të drejtën e profesionit. Këto konkurse bëhen për aftësitë profesionale, apo janë konkurse bukurie.

Me siguri ata nuk e kanë lexuar apo nuk dinë të interpretojnë Ligjin e Arsimit të Lartë, për punësimet, i cili thotë: Neni 50 “Punësimi në institucionet e arsimit të lartë”:

2. Kandidatët konkurrojnë në bazë të konkurseve publike në njësitë kryesore të IAL-së. Në statutet e institucioneve të arsimit të lartë përcaktohen procedura transparente për përzgjedhjen e kandidatit fitues, që plotëson kërkesat e publikuara dhe i përgjigjet më mirë përshkrimit të vendit të punës.

3. Për emërimin e personelit akademik, autoriteti drejtues i njësisë kryesore i paraqet autoritetit drejtues të institucionit të arsimit të lartë kandidatin e renditur i pari në klasifikimin e bërë nga komisioni ad hoc i konkursit publik, i krijuar nga autoriteti drejtues i njësisë kryesore. Autoriteti drejtues i institucionit të arsimit të lartë lidh kontratë pune me kandidatin e përzgjedhur, mbështetur në këtë ligj dhe në Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë.

Por, ka ndodhur që, megjithëse komisioni ad hoc i konkursit publik ka bërë renditje me pikë sipas kërkesave që ka përcaktuar Departamenti, Rektori me anë të neneve 1, 2, 3, 4, 5 dhe këto, të pavendosura nga Senati, ai nuk i ka emëruar, duke thyer Ligjin e Arsimit të Lartë dhe më vonë Senati nën trysninë e tij vendosi në statut dhe rregullore nenet 1, 2, 3, 4, 5 dhe me këtë ai mendon që është i mbrojtur nga ana ligjore për emërimet. Dhe as nuk i shpall rezultatet e konkurrimit dhe as kthen përgjigje dhe kur kandidatët ia kërkojnë. Tamam sikur universiteti është i tij. Por, dëmi bëhet në kurriz të studentëve. Kështu, nuk u pranuan në universitet në degën e Matematikës: E vetmja Doktore e Shkencës në Matematikë, një ish pedagoge me 5-vjeçar, mbaruar në Tiranë shkëlqyer, autor i 10 librave Matematike për studentët, si dhe ish pedagogë të tjerë dhe në vend të tyre jepnin mësim ish mësues fizike e inxhinierë. E njëjta gjë ka ndodhur dhe në degët e tjera.

Kam lexuar shumë statute në universitete brenda vendit dhe jashtë, si i Kosovës etj., por, nuk kam parë të tilla kritere. Kjo injoron dhe degën juridike që ka ky universitet, sepse kjo nuk respekton dhe hierarkinë e ligjeve që është parimi bazë i Jurisprudencës. Por, më vjen keq dhe për Ministrinë e Arsimit, e cila ka juristë dhe nuk i kontrollon këto lajthitje.

Dua të them dhe disa fjalë dhe në përgjigje të nenit 5. Imazhin e universitetit e kanë prishur vetë rektorët Shaska i pari dhe tani dhe Qarri. Kështu, rektori Shaska iku pa mbaruar mandatin për t’i shpëtuar drejtësisë, sepse u dënua me burg për korrupsion. Ç’është e vërteta unë isha një mbështetës i tij, madje i kërkova dhe Qarrit një deklaratë mbështetëse dhe nuk ma dha, sepse e shikonte botën bardhë e zi, sepse ai vinte nga një familje antikomuniste, por më vonë ky pehlivan u bë miku më i ngushtë i tij ashtu dhe si disa shokë të tij që para zgjedhjeve e quanin “fashist”. Dhe Qarrin ai e bëri zv.kryetar të Senatit dhe që të ligjëronte me anë të Senatit ato vendime antiligjore që ai urdhëronte që nga SHBA. Ishin Qarri me disa shokë të tij që i bënin qejfin Shaskës duke e shtyrë atë deri në një eufori të pakontrolluar sa që vërejtjet tona i dukeshin si kundërvënie. Si rezultat, Shaska hoqi, si i sëmurë dilerant që ishte, gjithë pedagogët e Matematikës që kishin mbaruar në Universitetin e Tiranës dhe në vend të tyre mori studentët tanë që kishin mbaruar për Matematikë-Fizikë, nuk bënin as gjysmën e programit të Matematikës që bëhet në degën e Matematikës në Universitetin e Tiranës dhe plus disa nga ne ishin me 5-vjeçare apo me tituj plus që ne kishim dhe një përvojë shumëvjeçare, (Nuk e di përse ai kishte kaq alergji për Universitetin e Tiranës apo kishte alergji ndaj njerëzve të kualifikuar). Dhe të gjithë ata që hoqi ky i sëmurë (rreth 70 vetë) fituan gjyqet dhe shteti humbi nga gjyqet rreth 700 mijë dollarë.

Futi Matematikën në çdo degë dhe tek Infermieria dhe Gjuhët e Huaja për të shitur librin e tij 100 dollarë dhe i ligjëronte Senati, i kryesuar nga Qarri. Dhe ministri veteriner i Berishës nuk luante rolin e tij si autoritet epror. E ktheu universitetin në një fole spiunësh dhe internetin në një mjet modern për të spiunuar pedagogët njëri-tjetrin. Dukej sikur ky nuk vinte nga vendi më demokratik i botës, por nga Afganistani dhe në fund iku fshehurazi, tamam të thuhet “na ish një herë…”.

Po Qarri? Qarri me disa makinacione partish u zgjodh rektor pa kandidat rival dhe me rreth 95 % të votave! Mendoi, se s’kishte pse ta ndryshonte këtë gjendje dhe me anë të atyre neneve më sipër nuk do të merrte asnjë nga ata të pabindurit që kishte hequr Shaska dhe kishin fituar gjyqet, do merrte në punë mësues nga fshatrat e Fierit. Ca dashakeqës e shpjegonin ndryshe këtë. Por, si tha Nastradini; melodinë do ta shikoni më vonë. Nuk kishte ndodhur në Vlorë që nga ‘97 që të digjeshin makina , Qarrit i dogjën pranë shtëpisë dy makina. Një akademiku, aq më shumë një rektori t’i ndodhë kjo, duket se merret me njerëz ordinerë dhe nuk është njeri korrekt. Një njeri që ndryshon partitë do të thotë se nuk ka integritet dhe populli të vlerëson.

I bëj thirrje ministres që të ushtrojë kontroll në politikën e universitetit për thithjen e pedagogëve, sepse ky “bën shumë ndere”, sidomos me ish drejtuesit partiakë, me gjyqtarë e prokurorë dhe biznesmenë.

Engjëll Hasimaj

Pedagog Universiteti, ish zv/Rektor në UV