Flet Prof. Dr. Ksenofon Krisafi: Dhjetë vjet arritje dhe sfida të guximshme të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë. Ideja e krijimit në formën e OJF, infrastruktura, pedagogët dhe kërkimet shkencore

211

Qendra “Mesdheu” ka planifikuar fonde dhe ka përballuar pjesëmarrjen e pedagogëve të vet në konferenca dhe veprimtari kërkimore-shkencore të organizuara jashtë vendit nga universitete ose institucione homologe. Modeli i universitetit të themeluar nga OJF erdhi në Shqipëri relativisht vonë, kryesisht si përvojë e eksperimentuar me sukses nga shtete të Botës anglo-saksone.

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë (UMSH) vjen në jubileun e dhjetëvjetorit të themelimit të vet, pas një pune gjithë përkushtim e idealizëm në shërbim të brezave të shumtë studentorë. Ai është tashmë një ndër institucionet elitare universitare në Shqipëri. Arsimi i lartë realizohet nga institucione publike dhe jopublike. Këto të dytat, si kudo në vendet e tjera, funksionojnë në formën e shoqërive me përgjegjësi të kufizuar – përvojë e zbatuar në veprimtari të ndryshme sipërmarrjesh dhe në formën e organizatave jofitimprurëse (OJF). Gjykuar nga përparësitë që ofrojnë këto të dytat, si dhe mbështetur në legjislacionin përkatës shqiptar, në vitin 2007 u zyrtarizua krijimi i Qendrës “Mesdheu” dhe dy vjet më vonë u themelua Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë (UMSH). Themeluesit e tij u orientuan drejt organizatës jofitimprurëse sepse ato e zhvillojnë veprimtarinë në mënyrë të pavarur, pa u ndikuar nga shteti. Neni 12 i Statutit të Qendrës përcakton, se burimet e të ardhurave sigurohen nga fonde, grante dhe donacione të vëna në dispozicion nga subjekte private ose publike, vendase ose të huaja, si dhe nga të ardhurat që burojnë nga veprimtaria ekonomike dhe shfrytëzimi racional dhe me rentabilitet i pasurive të veta. Shpenzimet e të ardhurave kryhen vetëm për realizimin e qëllimit dhe objektit të veprimtarisë për të cilin është krijuar, si dhe për drejtimin dhe mirëmbajtjen e pasurisë së tij. Themeluesit, në përmbushje të angazhimit të tyre moral dhe të detyrimeve ligjore, kanë sanksionuar se nuk lejohet asnjë formë e shpërndarjes së fitimit ose e përfitimit financiar dhe material nga të ardhurat dhe fitimet. Përjashtimi i vetëm ligjor është vetëm shlyerja e detyrimeve në formën e pagave, rrogave, pagesave, shpërblimeve dhe kompensimeve, që rrjedhin nga kontrata e punës me punonjësit, nga kontrata të tjera të ngjashme me të ose për mbulimin e shpenzimeve të kryera me porosi dhe për llogari të institucionit. Modeli i universitetit të themeluar nga OJF erdhi në Shqipëri relativisht vonë, kryesisht si përvojë e eksperimentuar me sukses nga shtete të Botës anglo-saksone. Ai ngrihet mbi parimin që të ardhurat mbeten brenda universitetit, përdoren vetëm për investime, për zgjerimin e mjediseve universitare, modernizimin dhe përmirësimin e bazës materiale e laboratorike, perfeksionimin e mësimdhënies, trajnimin e vazhdueshëm të stafit akademik, kërkimor-shkencor, atij administrativ e mbështetës, orientimin dhe integrimin e tyre profesional, thellimin e hulumtimit shkencor dhe teknologjik, shpërndarjen dhe shfrytëzimin e rezultateve, zgjerimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore, shpërndarjen e kulturës dhe informacionit shkencor dhe teknik, bashkëpunimin ndërkombëtar, pjesëmarrjen në ndërtimin e Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë etj. Ideja për krijimin e UMSH në formën e një OJF nuk ishte rastësore. Lidhej me dëshirën e themeluesve që të jepnin kontributet e tyre intelektuale, akademike e shkencore në fushën e zhvillimit të arsimit të lartë dhe buronte nga fakti që ishin profesorë universiteti, autorë botimesh, pjesëmarrës në konferenca shkencore brenda e jashtë vendit. Ata kishin besim në vizionin e tyre idealist dhe shpresonin se me aftësitë profesionale dhe cilësitë moralo-intelektuale do ta arrinin objektivin e paracaktuar. Inkurajim ishte edhe bindja në ndjesinë e përkrahjes dhe solidaritetit social. Përkushtimi i tyre u përligj, “Qendra Mesdheu” u afirmua dhe hapi Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë me tri fakultete. Qëllimi ishte që të kontribuonte në zhvillimin cilësor të arsimit të lartë, në edukimin me vlerat më të mira profesionale e morale dhe në zhvillimin e kërkimit shkencor, me fokus të veçantë në marrëdhëniet politike dhe ekonomike të vendeve të rajonit Euro-Mesdhetar dhe lidhjeve të tyre me Shqipërinë. Universiteti është shndërruar në një mjedis frymëzues akademik e shkencor, atraktiv dhe i vlerësuar nga partnerë prestigjiozë ndërkombëtarë, me të cilët ka institucionalizuar realizimin e projekteve, konferencave dhe veprimtarive të përbashkëta etj.

Pjesë e arritjeve të tij është edhe biblioteka e specializuar në studimet mesdhetare, që pasurohet vazhdimisht. UMSH është sot një institucion prestigjioz i arsimit të lartë, ku rreth dhjetë mijë djem e vajza, kanë gjetur vatrën e ngrohtë të dijes dhe formimit profesional e kulturor. Në dispozicion të tyre janë ofruar disa qindra pedagogë të përkushtuar, të formuar në universitete të ndryshme, brenda e jashtë vendit. Disa prej tyre, me grada e tituj shkencorë e akademikë, vijnë nga përvoja të suksesshme në organe të larta qendrore të vendit, si ministra, ambasadorë, drejtues ose funksionarë të institucioneve të pavarura shtetërore, gjyqtarë, prokurorë etj. Si pjesë e mendimit elitar intelektual në shoqërinë shqiptare, e zhvillimeve politike, ekonomike, sociale dhe reformës në sistemin e drejtësisë në vend, ai ka ambicien për rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe zgjerimit të konkurrencës midis stafit të vet akademik, si dhe për zbatimin e strategjisë së thellimit të kërkimit shkencor në fushat e studimeve të fakulteteve që përbëjnë strukturën e tij organizative. Universiteti Mesdhetar eci me hapa të sigurta, u rrit në mënyrë të qëndrueshme duke shumëfishuar numrin e studentëve, cilësinë e vet në të gjithë komponentët, duke përmirësuar mesataren e notës së pranimit dhe mesataren e mbarimit të studimeve. Aktualisht UMSH ka një emër shumë të mirë shkak për të cilin të diplomuarit e tij janë nga më të preferuarit, çka duket në shkallën e lartë të punësimit në sektorin publik dhe atë privat. UMSH me statusin e organizatës jofitimprurëse, iu ka dhënë mundësinë e shkollimit falas disa dhjetëra e madje qindra studentëve me prejardhje nga shtresat e margjinalizuara.

Ju ka hapur dyert dhe ka trajtuar në të njëjtën mënyrë edhe studentët e ekselencës, që kanë mbaruar shkollën e mesme me mesatare maksimale, studentët me prirje dhe aftësi talenti në shkencë, art dhe në sport, studentët e spikatur në veprimtaritë e lidershipit etj. Ai ka krijuar mjedise që studentët jo vetëm të studiojnë, por edhe të organizohen në klubet studentore, të ushtrojnë veprimtari argëtuese, artistike, sportive etj. Është krijuar UMSH Press, nëpërmjet të cilës pedagogë dhe studiues kanë botuar librat e tyre. Qendra Mesdheu ka planifikuar fonde dhe ka përballuar pjesëmarrjen e pedagogëve të vet në konferenca dhe veprimtari kërkimore-shkencore të organizuara jashtë vendit nga universitete ose institucione homologe. UMSh, në përputhje me statusin e vet si OJF, çdo të ardhur të realizuar nga veprimtaria akademike, mësimdhënëse, kërkimore-shkencore, e ka përdorur vetëm për rritjen progresive të Universitetit dhe për përmirësimin e kushteve dhe rritjen e cilësisë së studentëve që formohen në mjediset e tij. Ëndrra idealiste e themeluesve të universitetit u konkretizua gradualisht edhe me krijimin e kushteve optimale në kuptimin e mjediseve komode dhe moderne, të vendosura në një godinë të ndërtuar, sipas një projekti arkitekturor unikal, të vendosur në një nga zonat më të preferuara dhe më interesante, në afërsi të qendrës së kryeqytetit. UMSH ndodhet midis dy universiteteve të tjerë. Të tri së bashku kanë krijuar një pol të fuqishëm akademiko-edukativ. Gjallëria e përditshme e rinisë studentore e kanë zbukuruar dhe transformuar krejt zonën dhe kanë përmirësuar ndjeshëm pamjen dhe cilësinë e jetës së komunitetit të saj social. Në synimet e veta afatgjata UMSH tenton me sinqeritet të ecë në gjurmët e universiteteve më të mira të këtij tipi në vendet e tjera. Ato janë pika referimi për sa i përket organizimit administrativ dhe synimeve për cilësinë dhe prestigjin e studentëve që pranohen dhe që formohen në Universitet. Në dekadën e parë organizimi në formën e OJF është dëshmuar si garanci për një vazhdimësi të qëndrueshme dhe sistematike investimesh, gjithmonë në rritje, për zhvillimin e veprimtarive të gjithanshme e të përhershme në mjediset e Universitetit, në shërbim të të gjithë komponentëve të procesit akademik, kërkimor e shkencor në shërbim të studentëve, por edhe për përmbushjen me korrektësi e në kohë të të gjitha detyrimeve financiare, ekonomiko-materiale ndaj shtetit, personelit akademik, administrativ e mbështetës, të tretëve etj. UMSH ka ndërtuar një mozaik interesant partneritetesh institucionale me universitete dhe institucione akademike e kërkimore-shkencore, vendase dhe të huaja, nëpërmjet të cilave realizohen gjatë gjithë vitit veprimtari të dobishme për përmirësimin e mëtejshëm të standardeve mësimore dhe akademike. Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë ka një kompleks strukturash drejtuese. Përbëhet nga tri fakultete, Shkencat Ekonomike, Shkencat Juridike dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare si dhe fakulteti i Shkencave Psikologjike, Sociale dhe Politike, me studime në “Bachelor”, “Master i Shkencave” dhe “Master Profesional”. Është aplikuar për studime doktorale dhe pritet akreditimi përkatës. Universiteti synon që të gjitha programet e studimit t’iu përgjigjen nevojave të tregut të dijes dhe atij të punës në Shqipëri, në rajon dhe më gjerë, për t’iu paraprirë atyre, për t’u bërë pjesë e zgjidhjeve të sfidave aktuale dhe perspektive të zhvillimit të vendit dhe rajonit. Ne, që kemi privilegjin të jemi pjesë e këtij universiteti e konsiderojmë dekadën e parë të tij si një histori frymëzuese suksesi dhe një pikënisje të qëndrueshme për sfida të reja edhe më të guximshme në të ardhmen.

[1] Autori është Dekan i Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UMSH

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë ka një kompleks strukturash drejtuese. Përbëhet nga tri fakultete, Shkencat Ekonomike, Shkencat Juridike dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare si dhe fakulteti i Shkencave Psikologjike, Sociale dhe Politike, me studime në “Bachelor”, “Master i Shkencave” dhe “Master Profesional”. Është aplikuar për studime doktorale dhe pritet akreditimi përkatës.

Ëndrra idealiste e themeluesve të universitetit u konkretizua gradualisht edhe me krijimin e kushteve optimale në kuptimin e mjediseve komode dhe moderne, të vendosura në një godinë të ndërtuar, sipas një projekti arkitekturor unikal, të vendosur në një nga zonat më të preferuara dhe më interesante, në afërsi të qendrës së kryeqytetit. UMSH ndodhet midis dy universiteteve të tjerë. Të tri së bashku kanë krijuar një pol të fuqishëm akademiko-edukativ. Gjallëria e përditshme e rinisë studentore e kanë zbukuruar dhe transformuar krejt zonën dhe kanë përmirësuar ndjeshëm pamjen dhe cilësinë e jetës së komunitetit të saj social.