Dr. Ndriçim Mehmeti/ Liria, siguria dhe dhuna në arsim

40

Dhuna e të rinjve si produkt i dhunës së rrugës

Kohët e fundit, në të njëjtën shkollë të qytetit të Tiranës, ndodhën dy ngjarje të papëlqyeshme; njëra me pasojë plagosjen e një nxënëseje dhe tjetra me plagosjen e dy nxënësve. Të dyja ngjarjet kishin dy arsye krejt të ndryshme, por që të dyja kishin në bazë zgjidhjen e konfliktit në rrugë të dhunshme. Përtej masave që janë marrë dhe do të merren, pyetja më e rëndësishme është: Pse kjo dhunë në shkollat tona? Cilat janë masat e sigurisë në institucionet e arsimit? Për fat të keq nuk kemi ndonjë masë efektive, edhe pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Durrës. Në rastin e Durrësit pati përpjekje të ethshme për t’ia faturuar ngjarjen, familjes, shërbimit social, shoqërisë etj, por jo shkollës. Pas asaj ngjarjeje nuk pati së paku, një plan të përkohshëm masash për të minimizuar ngjarje të tilla. Mirëpo në mes të Tiranës, dhuna u shfaq përsëri dhe tani, përsëri askush nuk merr asnjë përgjegjësi. Padyshim që dhuna në shkollë është pasqyrim i asaj në rrugë. Krahas shumë aktiviteteve pompoze që shfaqen në televizion si arritje, do të ishte mirë që të ndërmerreshin më shumë aktivitete ndërgjegjësuese, të paraqitej një strategji afatshkurtër dhe afatgjatë të përmirësimit të gjendjes. Po ashtu nuk do të ishte keq, që të na tregonte MAS, sesi do të arrihet forcimi i këshillimit psikosocial, premtimi për futjen e punonjësit social në shkollë etj.. Policia e shtetit, institucionet e arsimit, duhet të bëhen barrierë, që krimi i rrugës të mos bëhet pjesë e kulturës së adoleshentëve brenda shkollës dhe jashtë saj.

Siguria e nxënësve në shkolla

Është e thjeshtë që të deklarosh se do të marrim masat për sigurinë e nxënësve në shkollë, por e vështirë për ta realizuar. Mirëpo kam përshtypjen, se kjo fjali i krijon që të gjithëve bindjen se kemi të bëjmë me kontrollit të nxënësve, për armë, si dhe mbikëqyrjen për përdorimin e drogës dhe alkoolit. Në fund të fundit, që të gjithë do të ishin të kënaqur, që shkolla të kishte sa më pak drogë, duhan pirje dhe alkool. Përdorimi i tyre janë shkak për dhunë, kriminalitet si dhe shkatërrojnë shëndetin e të rinjve. Si do të arrihet? Ende nuk dimë gjë të sigurt, përveç asaj që dihet prej muajsh, por askush nuk u mundua ta analizojë: Kryqëzatën kundër drejtorëve të shkollës, të cilët kishin marrë privatisht rojën e shkollës, kur shteti hoqi dorë nga ky shërbim. Madje, kryetari i këtyre kontrolleve tallej me faktin se në shkollën “Partizani” kishte dy roje. Sipas tij për moshën që kishin “ata nuk mund të ruanin asgjë dhe ishte e pajustifikuar pse i duheshin dy roje kësaj shkolle”. Sa u hoq njëri prej tyre, të nesërmen, shkolla “Partizani” u bë objekt i lajmeve për një zënkë me pasojë plagosjen e rëndë të një nxënësi. Natyrisht, që kryetari i kontrollit nuk kërkoi falje për këtë dhe s’kishte pse ta bënte, pasi kishte marrë bekimin diku më lart, për të hequr rojet si e keqja e administrimit të shkollave nga drejtorët.

Po a është vetëm siguria fizike, që garanton sigurinë në tërësi të nxënësit? Një tjetër aspekt të cilit nuk i është dhënë fare rëndësi, është siguria ushqimore e nxënësve. Dihet shumë mirë se në shkollat i kemi pa ushqim. Më parë në brendësi të kësaj shkolle, kishte një mjedis i cili shërbente pije freskuese, biskota dhe ushqim të shpejtë për nxënësit. Me një letër të Ministres së Arsimit, në fillim të tetorit, këto dyqane u mbyllën, pasi në këtë mënyrë mbyllej “një derë e korrupsionit”. Menjëherë pas kësaj mase, në kangjellat e shkollës gjalluan shitësit ambulantë, të cilët në mes të pluhurit, diellit, shiut dhe mjedisit jo higjienik që ofron rruga, shisnin gjithçka: Hamburger, byrek, pica, biskota, etj.. Tani drejtuesit e shkollës të pafuqishëm për kontrollin e territorit që ishte jashtë juridiksionit të tyre, kundrojnë në heshtje nga oborri dhe dritaret e zyrave të tyre, lulëzimin e këtij tregu, falë letrës së Ministres së Arsimit. Janë jo të pakta ngjarjet në Shqipëri dhe jashtë saj, ku nxënësit kanë qenë shënjestër e helmimeve masive. E derisa kemi mundësi, është mirë që të merren masa urgjente, për të disiplinuar këtë katrahurë, që lindi pas përpjekjes për të hapur siparin e spektaklit antikorrupsion.

Po ashtu është shumë e rëndësishme dhe e vonuar, krijimi i grupit të ndërmjetësimit apo zgjidhjes së konflikteve në shkollë. Kjo strukturë e njohur në arsimin para-universitar botëror, ka forma të larmishme, të saj. Ne bëjmë mirë të nisim e ta zbatojmë, pasi edukon frymën e tolerancës, dialogut, dhe zgjidhjes së konfliktit, përmes diskutimit dhe mirëkuptimit dhe jo dhunës dhe ndjenjës së më të fortit. Të gjitha këto masa do të sigurojnë premisat, për vendosjen e sigurisë në realitet dhe jo virtualisht për nxënësit në shkolla.

Liria dhe siguria e mësuesve në shkolla

Po aq të kërcënuar sa nxënësit janë edhe mësuesit. Në pikëpamje institucionale, mësuesit janë të pambrojtur nëse dikush, mund t’i shkojë mendja t’i dhunojë. Madje dhe kohët e fundit, ata janë vënë nën presion për vendin e punës dhe plotësimin e qokave politike nga drejtuesit e institucioneve të tyre, që veprojnë nën urdhrat e MAS.

Mësuesi sipas ligjit, është i garantuar në profesionin e tij. Po si? Këtë pyetje e kam ngritur edhe kur ishte draft-ligji në diskutim dhe për fat të keq nuk mori asnjë përgjigje. Mësuesi duhet të kishte një mbrojtje, që vinte nga sanksione të ashpra, për këdo që tentonte të cenonte sigurinë fizike të tij, apo të ushtronte dhunë psikologjike. Me fjalë e premtime, nuk mbrohet dot mësuesi, nga kërcënimi që vjen prej nxënësve arrogantë, të atyre që vijnë nga familjet e pasura, me probleme sociale apo ndikuar nga vetë ambienti si dhe të shtyrë prej mentaliteti të një pjese të prindërve, të cilët shprehen, se “ne i paguajmë dhe mos të bëjnë shumë fjalë”.

Por sikur të mos mjaftojë atmosfera në rritje e të fortëve që nuk pyesin as për arsimin, akoma më të fortë janë drejtuesit e MAS dhe DAR/ZA-ve. Ndonëse u betuan se “Asnjë mësues nuk do të detyrohet të marrë pjesë në aktivitete politike dhe asnjë mësues nuk do të pengohet të marrë pjesë në aktivitetin politik të opozitës”, i nxorën me zor në festën e 14 marsit, madje të ndiqnin me kërshëri lojën e basketbollit të Kryeministrit.

Por kjo është e keqja më e vogël. Para pak ditësh, u kërkuan të gjithë mësuesve që të ndërpresin marrjen e rrogës, nga “Raiffeisen Bank” dhe ta kalojnë tek “Credins Bank” dhe BKT? Pse duhej bërë ky veprim? Sipas mësuesve, që u referohen fjalës së drejtuesve të tyre, kjo u bë për faktin se: Është dhënë porosi e prerë e Ministrisë që të kalohet paga dhe të gjitha honoraret e mundshme te CREDINS, pasi ka kryer rikonstruksione të zyrave qeveritare, ndoshta edhe tre zyrat e MAS dhe tani, kjo është një formë shpërblimi. Madje u ishte lënë vetëm 48 orë kohë, që ata të cilët kishin ndonjë kredi tek “Raiffeisen”, të sillnin një vërtetim, që justifikonte mbajtjen e llogarisë në këtë bankë. Të tjerët të rrinin sus dhe të ndërronin pa shumë fjalë bankën. Sesa kjo është e vërtetë, mund ta pohojnë ose përgënjeshtrojnë drejtuesit e MAS, por që kjo punë bie erë trafik interesash me përzierje të korrupsionit pasiv, nuk vihet në diskutim. Madje në kundërshtim me VKM, e cila i njeh të drejtën çdo zyrtari të zgjedhë, bankën e tij, ky veprim tregon se dhuna mbi mësuesin, justifikohet si e ligjshme edhe prej drejtuesve të MAS.

Po kështu janë paralajmëruar mësuesit që të mos e ngrenë zërin, për lekët e pa marra akoma të vlerësimit dhe hartimit të pyetjeve në MSH 2013. Kërcënimi ka qenë fare i qartë: Do të vini të korrigjoni kur të duam ne, përndryshe, nuk do të jeni më në punë. Tani që mësuesit i kërcënuan edhe me bukën e gojës, kush do ta ngrejë zërin për ta? Sindikata? Në asnjë mënyrë. Ajo do të përhiqet të sigurojë ndonjë rrugë jashtë vendit, për shefat e saj. U pushuan e dhunuan qindra mësues dhe sindikata heshti. Aferim i qoftë dhe të vazhdoj të kontribuoj për një partneritet social të dhunshëm me MAS. OJF-të? Televizionet? E pse ta bëjnë? Një pjesë e burrave dhe grave të drejtuesve të këtyre, janë njerëzit që u dhanë poste të rëndësishme, në arsim, kontrollin e ajrit, mbrojtje etj. Po kush do të marrë nën mbrojtje këta njerëz, që ne u kemi besuar arsimin e fëmijëve tanë dhe të ardhmen e tyre? Komisioneri Fyle? Ambasadorët e huaj, apo ndokush i mbinatyrshëm? Padyshim vetë ne. Në kërkim të lirisë nuk duhet të heshtim. Dhe ta bëjmë këtë tani sa nuk është vonë. Të rendim sa më shpejt të fitojmë atë që na mungon. Si ta bëjmë? Udhën na i tregon Konica.

“Çështë liria-Më mbetet pakë kohë akoma. Dua të marr shpatën t’u çanj kokën gomarëve, edhe, në vënt të tmerrit, të kllas këtë: ç’është liria. Gomarrëve pra le të përpiqem akoma njëherë, t’u mbush kokën me këtë: Çështë liria? Liria është të mundet njeriu: 1) të besojë ç’i do zëmbëra; 2) të thotë ç’i do zëmbëra; 3) të shkronjë ç’i do zëmbëra; 4) të bëjë ç’i do zëmbëra, veç ato që janë kundra lirisë tjatëri njeriu”.