Ja sa është buxheti i institucioneve gjyqësore në Shqipëri

505
Sigal


Buxheti Faktik i Sistemit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, 2012-2013

Open Data Albania ka hulumtuar së fundmi lidhur me Buxhetin Faktik të shpenzuar për Institucionet që rregullojnë apo janë pjesë e Sistemit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë. Sistemi gjyqësor në Shqipëri ushtrohet nga Gjykatat e Shkallës së Parë, Gjykatat e Apelit dhe Gjykata e Lartë. Në vitin 2013 Gjykatat e Faktit u shpërbënë në Gjykata të Rretheve dhe Gjykata Administrative të Shkallës së Parë. Kështu më poshtë po paraqesim buxhetet faktike për secilin institucion:

-Këshilli i Late i Drejtësisë si institucioni që organizon e kontrollon funksionimin e sistemit gjyqësor dhe atë të Shkallës së Parë dhe të Apelit ka pasur një buxhet faktik prej 53,617,224 lekë në vitin 2012 dhe 56,236,239 lekë në vitin pasardhës.

-Gjykata Kushtetuese, e cila garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj ka pasur një buxhet më të lartë se KLD, përkatësisht 85,513,212 dhe 80,233,632 lekë në vitet 2012 dhe 2013. Gjykata e Lartë ka shënuar një buxhet prej 135,422,071 dhe 152,902,826 në vitet 2012 dhe 2013.

-Në total në vitin 2013 këto institucione të sistemit të drejtësisë kanë shpenzuar 1.65 miliard leke.

-Gjykatat e Apelit në total kanë shënuar një buxhet prej rreth 238 milionë lekësh në vitin 2013. Gjykata e Apelit me shpenzimet më të larta buxhetore është ajo e Tiranës me përkatësisht 91 milionë lekë të shpenzuara në vitin 2012 dhe 87 milionë lekë në vitin 2013. Buxheti i Gjykatave të tjera të Apelit është dukshëm më i ulët se ai i Gjykatës së Tiranës duke shënuar vlera në intervalin 20-30 milionë lekë.

-Për Gjykatat e Rretheve shteti shqiptar ka shpenzuar gjithsej 937 milionë lekë në vitin 2012 dhe 980 milionë të tjera një vit më vonë. Gjykata e Rrethit të Tiranës përbën rreth 24% të totalit të shpenzimeve buxhetore, duke u pasuar nga ajo e Durrësit me rreth 14% të totalit.

-Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë kanë funksionuar si të tilla vetëm vitin e fundit. Ky kontroll administrativ i jashtëm që deri vonë kryhej nga seksionet administrative të gjykatave të zakonshme, tashmë do të realizohet nga gjykata administrative e krijuar me ligjin nr.49/2012. Në total këto gjykata kanë pasur një buxhet prej 14 milionë lekë. Gjykata me buxhetin më të madh është ajo e Tiranës me përkatësisht 33% të totalit ose 4.6 milionë lekë.