Sadedin Çeliku/ Një gabim që duhet korrigjuar

728
Sigal

Mora shkak nga një shkrim i zonjës Ermelinda Meksi para disa kohësh, te një e përditshme, për të treguar disa nga gabimet e bëra në strategjinë e privatizimit që nisën fill pas zgjedhjeve të vitit 1997. Sigurisht, vitet kanë kaluar me shpejtësi dhe përvoja e deritanishme na ka treguar vërtet se janë bërë disa gabime, por që ende janë plotësisht të korrigjueshme. Gjendja e rëndë ekonomike, e trashëguar pas vitit 1990, kërkonte ndërhyrje dhe fonde të mëdha, kërkonte tërheqje të kapitaleve vendase dhe të huaja, por dhe kredi e ndihma financiare. Në gjysmën e dytë të vitit ‘97 deri në gjysmën e parë të vitit 1998 u shndërruan me qindra ndërmarrje dhe sektorë strategjikë në shoqëri aksionare, ku 100 % të kapitalit e kishte shteti. Për të shkuar deri atje mjaft ndërmarrje kaluan në likuidim, gabim i cili keqadministroi mjaft pasuri shtetërore e mjete kryesore. Ligji Nr. 7926, datë 20.04.1995 për transformimin e ndërmarrjeve në shoqëri tregtare, i azhornuar me Ligjin Nr.194, datë 20.03.1998, është zbatuar me gabime. Përcaktimi i kapitalit themeltar i ndërmarrjeve u bë sërish me gabime dhe shpesh me çmime qesharake. Si rregull transformimi mban parasysh përgatitjen për privatizim të këtyre sektorëve dhe autonominë financiare e cila duhet të gjeneronte të ardhura, investime dhe teknologji bashkëkohore. Në fakt, nuk ndodhi kështu, sepse gati u shndërruan të gjitha ndërmarrjet pa patur parasysh mjaft faktorë kryesorë që ne i shohim sot si gabime të cilat kanë patur jo pak kosto për ekonominë.

Hekurudha

U shndërrua hekurudha, kur ajo është amortizuar 100 %, sektor me humbje dhe subvencionohet nga qeveria. Pra, në këtë gjendje nuk mund të privatizohet dhe as afrohet njeri, sepse kërkon gati 700 milion euro që të kthehet në gjendjen optimale. Mirë ka vetëm administrata e hekurudhës e cila i bën rrogat sa i do shpirti, sepse atë e vendos Këshilli Mbikëqyrës, edhe pse ndërmarrje që nuk gjeneron të ardhura dhe vazhdimisht pret lëmoshë nga qeveria. Edhe ato pak të ardhura që ka, bëhen rrush e kumbulla pa kriter.

Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror

Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror Shoqëri Aksionere, është ndërmarrje mjaft e rëndësishme që lidhet ngushtë me mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe çështjen e sigurisë kombëtare e megjithatë është shoqëri. Punonjësit marrin rroga më shumë nga ministrat, ndërkohë që në të gjithë botën për shkak të sigurisë dhe mbrojtjes ruhet monopoli i shtetit. Duhet të korrigjohet menjëherë, sepse është një gabim që të gjithë së bashku e kemi bërë, por nuk është pa kosto sa i takon integritetit territorial dhe sigurisë kombëtare.

Drejtoria e përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor

Drejtoria e përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor nuk është SHA, por ka një status të pakuptimtë. Ndaj, shteti sillet si privat, pra paguan vetëm detyrimet tatimore. E vetmja ndërmarrje në llojin e vet me këtë status, e cila ka bord drejtues, e cila merr vendimmarrjet për aktivitetin që ajo ka. Duke patur parasysh se është ndërmarrje e rëndësisë së veçantë, sepse prodhon dokumente të rëndësishme si leje drejtimi, leje qarkullimi, lëshon leje ushtrim aktiviteti dhe certifikata pronësie, prodhon bileta të transportit publik, abone, pra letra me vlerë, etj që ndryshe quhen dokumente me vlerë, duhet t’i hiqet statusi që ka me Vendim të Këshillit Ministrave, sepse është e papranueshme sjellja me dy standarde. Pasaportat dhe kartat e identitetit janë ndryshe nga këto dokumente që prodhon D.P.SH.T. Rrugor? A nuk janë po aq të rëndësishme dhe me vlerë dokumentet që lëshon ky institucion?

Kontrolli teknik i automjeteve

Kontrolli teknik i automjeteve, edhe pse është deklaruar se do hiqet monopoli i koncensionarit, përsëri mendoj se duhet të ruhet monopoli i kontrollit teknik për transportin publik. Pra, kontrolli teknik i përvitshëm dhe periodik për autobusët e minibusët qytetas, rrethqytetas, ndërqytetas, taksi të të gjitha llojeve si dhe të gjitha automjetet e ushtrisë, policisë, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe institucionet qendrore, automjetet e të cilave merret garda dhe shërbimi qeveritar. Monopoli lidhet vetëm me shkaqet e sigurisë, ndaj duhet të jetë shtetërore, vetëm për këtë kategori.

Ndërmarrja e Regjistrit Detar

Ndërmarrja e Regjistrit Detar ose e thënë ndryshe krahas të tjerave si objekt ka dhe dhënien dhe regjistrimin e mjeteve detare. Pra, hipotekë e cila kryen veprimet për anijet dhe flamurin kombëtar. Pra, edhe kjo është Shoqëri e cila duhet anuluar. Nuk mund të ketë atributet e shtetit një shoqëri e cila jep ose heq një flamur kombëtar. Edhe këtu trajtohet me dy standarde. Zyra e Regjistrimit të Pasurive është shtetërore, ndërsa kjo është shoqëri, edhe pse të dyja merren me regjistrim pasurie dhe lëshim certifikatash.

Ujësjellës-kanalizime

Ndërmarrjet e ujësjellës kanalizimeve janë shndërruar me kohë në shoqëri. Dikur ndërmarrje të palakmueshme nga askush, tani duhet të paguash për të zënë një vend atje. Këto ndërmarrje ia kanë gjetur vegjen, rrisin artificialisht tarifat e ujit të pijshëm dhe atij të përdorshëm, na sajuan TVSH-në dhe tarifën e shërbimit pa kryer asnjë shërbim. Shikoni rrogat që merr një nëpunës. Këto ndërmarrje i realizojnë të ardhurat në kurriz të popullit, pa rritur kualitetin dhe efikasitetin e shërbimit. Meqenëse, këto ndërmarrje varen nga Bashkitë, pra pushteti vendor, duhet t’u prishet vendimi i shoqërisë, sepse të gjitha ndërmarrjet e tjera janë shtetërore, ndërkohë që ujësjellësit në të gjithë botën klasifikohen si ndërmarrje të rëndësisë së veçantë, sepse lidhet drejtpërdrejt me sigurimin e jetës të popullatës.

Pasuritë dhe sektorët strategjikë në duart be të huajve

Të tilla gabime janë bërë me bollëk me hidrocentralet, hidrokarburet, minierat e bakrit, minierat e kromit dhe qindra ndërmarrje të tjera. Kjo është një arsye më shumë për të thënë se vendi ynë nuk ka më asnjë pasuri e sektorë strategjikë ndaj meriton vëmendje ky problem, i cili lidhet domosdoshmërisht me të ardhurat e buxhetit, reduktimin e krizës financiare dhe heqjen dorë nga borxhet e kreditë, të cilat po shndërrohen në një barrë të madhe për çdo qytetar shqiptar. Sigurisht që jam dakord që reformat në ekonomi të vazhdojnë, shërbimet të privatizohen, por jo sektorët strategjikë që rezultojnë me fitim. Franca e ka shtetërore ende Telekomin, por dhe Turqia ende e ka shtetërore, ndërkohë që ne e privatizuam atë, hidrocentralet e Shkopetit, Ulzës, Bistrica 1 dhe 2 që i kishim fitim. Kudo, që ndërhymë, i bëmë gabim, sepse ia kanë gjetur vegjen firmat e huaja, bëjnë sponsorizime me dhe pa vend dhe përfituesi është subjekti dhe jo buxheti i shtetit. Nga ana tjetër të mos harrojmë se privatizimi i sektorëve strategjikë duke ia dhënë kompanive të huaja ka lidhje organike me sovranitetin e një vendi dhe mua më duket se kemi humbur goxha në këtë aspekt. Duke parë se kreditë kanë shkuar në shifra të frikshme, si dhe plagët që kanë krijuar të ashtuquajtura reforma, mendoj se do të ishte i drejtë dhe me interes publik rishikimi me kujdes i asaj që u bë gabim. Sa i takon strategjisë së kësaj qeverie, nuk jam aspak dakord të vihet dorë tek sektorët strategjikë. Një nga arsyet që vendet e zhvilluara, por edhe ato që janë në zhvillim, që nuk privatizojnë sektorët strategjikë është ruajtja e tërësisë territoriale dhe e pavarësisë, sepse në rast agresionesh e lufte, e ke humbur pavarësinë pa e filluar luftën. Deklarimet e fundit të drejtuesve të ministrisë ekonomisë se në akord me kinezët do japim portet dhe infrastrukturën janë sa gabim dhe aq antishqiptare. Zotëria që lançoi atë lajm të keq me sa duket nuk e di se portet detare shqiptare janë ndërmarrje dhe aktivitet me fitim dhe kësisoj nuk ka arsye t’i privatizosh ato. Nëse do duhet të formatosh ekonominë, duhet filluar me hekurudhën dhe minierat se për fabrika nuk bëhet fjalë. Shqipëria ka nevojë për vende të reja pune, reduktim të varfërisë dhe rritje ekonomike të cilat do duhet të vijnë nga investimet e drejtpërdrejta dhe me efektivitet. Çdo veprim që suporton efekte me pasoja publike është me përgjegjësi.