Dalja e librit të transparencës dhe procedurat që ndiqen për shpalljen e fituesve

581
Sigal

INTERVISTA/Flet Fatmir Vejsiu, Drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për librin e transparencës

Pas plotësimit të Formularit A2 pritet që të dali libri i transparencës, ku maturantët që tashmë janë kandidatë për në universitet do të marrin informacione më të detajuara në lidhje me plotësimin e Formularit A2. Drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Fatmir Vejsiu, ka bërë të ditur në një intervistë për gazetën “Telegraf” se libri i transparencës mund të dalë në datën 20 gusht. Ndërkohë që përsa i përket daljes së fituesve zoti Vejsiu ka bërë të ditur se ata  do të shpallen brenda datës dhjetë shtator. Sipas zotit Vejsiu, faza e regjistrimit është mjaft e rëndësishme për fituesit. Faza e  regjistrimit do të zgjasë një javë dhe duhet që çdo fitues të regjistrohet në degën që ka fituar. Ndërkohë që, më vonë mund të ketë një fazë tjetër regjistrimi që mund të plotësohen vendet bosh, që do të ngelin nga faza e parë.

 -Zoti Vejsiu, kur do të njihen maturantët që kanë aplikuar për Formularin A2 me Librin e Transparencës?

Nuk mund të them një datë fikse, pasi por po punohet nga strukturat përkatëse për të nxjerrë sa më shpejt librin e transparencës.Po përpunohen të dhënat, por mund të ju them që do të dali brenda muajit gusht libri i transparencës dhe më një përafërsi mund të ju them që brenda datës 20 gusht do jenë publikuar këto të dhëna. Pas daljes së Librit të Transparencës do të shpallen më pas edhe rezultatet e fituesve për në universitete për vitin e ri akademik.

 -Kur do dalin rezultatet e fituesve për në universitete?

-As këtu nuk mund të ju them ndonjë datë të saktë, por po ju them që do të dalin në dhjetëditëshin e parë të shtatorit. Pas daljes së librit të transparencës do të dalin rezultatet në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, po ashtu ato do të publikohen edhe në shkolla. Por rezultatet siç e thashë nuk kanë nja datë fikse për momentin se kur do të shpallen, por do të jenë brenda dhjetëditëshit të parë të shtatorit.

 -Çfarë duhet të kenë kujdes maturantët në fazën e regjistrimit?

Regjistrimi është shumë i rëndësishëm dhe asnjë maturant nuk duhet të neglizhojë në regjistrim. Sepse nëse një maturanti i ka dalë alternativë e tretë dhe atij nuk i pëlqen dhe për këtë nuk pranon të regjistrohet dhe kështu atij i digjen të tëra mundësitë për të shkuar në alternativën e dytë e kështu më radhë. Nëse kemi 250 studentë që kanë fituar mjekësinë, nga këto është e padiskutueshme që një pjesë kanë aplikuar paralelisht edhe jashtë shtetit, kështu që është e sigurt që do të ketë lirime të vendeve tek mjekësia. Kështu që nëse maturanti ka bërë regjistrimin në alternativën që ka fituar fillimisht ka mundësi që më pas të ngjitet në alternativën tjetër. Por duhet të theksoj që kjo ngjitje mund të bëhet gjithmonë nëse maturanti është regjistruar fillimisht në degën që ka fituar në fillim dhe më pas mund të ndryshojnë degët. Regjistrimi është i domosdoshëm sikur të jetë edhe në alternativën e dhjetë ky regjistrim duhet bërë me patjetër nga maturanti. Në të kundërt, atij i digjet çdo mundësi për të vazhduar studimet këtë vit akademik, nëse nuk do të bëjë regjistrimin ai nuk do të ketë më asnjë shans. Por ama nëse maturanti do të bëjë regjistrimin pasi të ketë lëvizje ai mund të arrijë në preferencën që do, pasi nga praktika e viteve të kaluara ka pasur ndryshime të preferencave të maturantëve.

 -Më pas do të vijë faza e regjistrimit çfarë duhet të kenë parasysh fituesit dhe sa zgjat kjo fazë?

Faza e regjistrimit do të zgjasë një javë, po flas këtu për fazën e parë. Ndërsa më pas do të vijë dhe një fazë tjetër regjistrimi, ku do të plotësohen vendet që kanë ngelur bosh nga faza e parë. Por ashtu siç e thashë më lart pas shpalljes së rezultateve është faza e regjistrimi, ku maturantët duhet të regjistrohen në degën që kanë fituar, pastaj mund të ketë edhe ndryshime se mund të lirohen vende bosh. Pas kësaj do të bëhen edhe spostimet e duhura sipas mundësive që do të krijohen.

 -Maturantët që nuk e plotësuan formularin në fazën e parë, patën një mundësi të dytë, si po ecën kjo?

-Jo nuk patën probleme, kjo fazë u zhvillua dje në datën 9 dhe sot në datën 10 gusht. Nuk pati ndryshime në procedura, ishte njësoj si për maturantët që e plotësuan normalisht. Por mund të ju them që plotësimi nuk u bë në rrethe, por u bë në Tiranë për të tërë, edhe për ato që ishin nga rrethet erdhën këtu për të plotësuar Formularin A2.

Aplikuan rreth 34 mijë maturantë

Janë rreth 34 mijë maturantë, të cilët kanë hyrë zyrtarisht në garë. Me mbylljen e afatit për korrigjimin e gabimeve të formularit A2, Agjencia Kombëtare e Provimeve jep shifrat e paraprake të konkurrentëve në shkollat e larta publike të vendit. Nga ky kontingjent, një pjesë ka vendosur të studiojë jashtë vendit, ose të ndjekë një nga universitetet private. Në këtë mënyrë gara zbutet për pjesën tjetër të kandidatëve.

Ata që nuk do të munden të fitojnë ciklin e studimeve me kohë të plotë, kanë si opsion edhe sistemin me kohë të pjesshme.

Kur nuk mund të jenë fitues maturantët

Maturantët që kanë plotësuar Formularin A2, nuk duhet të kenë humbur mundësinë për të plotësuar të tëra preferencat, pasi në të kundërt kjo do të ishte një nga pikat që mund ta nxirrnin të pavlefshëm formularin. Në listën e programeve të studimit, nuk ka pasur më shumë se dhjetë kuti të plotësuara me shifrat nga 1 deri në 10. Kuptohet që të gjitha kutitë e tjera kanë qenë bosh. Në këtë mënyrë duhet të plotësoheshin të gjitha preferencat e shënuara. Gjatë plotësimit të Formularit A2, ishte e detyrueshme për çdo maturant që të mbushte të 10 kutitë e preferencave, përndryshe formulari do të quhet i pavlefshëm. Specialistët në lidhje me plotësimin e Formularit A2, janë shprehur se: “Në rastet kur keni zgjedhur më pak se 10 programe studimi të preferuara, kutitë e tjera të tabelës së preferencave (lart dhe djathtas) duhet të mbusheshin detyrimisht me shifrën 000. Ndërkohë që sipas një udhëzimi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës maturantët që pëlqenin degët me konkurs thuhej se: “Maturantët kandidatë që parapëlqejnë më shumë programet e studimeve që parashikojnë konkurs si Arte, Sporte, Arkitekturë, FASTIP etj., dhe vendosin t’u nënshtrohen konkurseve përkatëse të pranimit, në preferencat e tyre, këto programe duhet t’i rreshtojnë në krye të listës se përndryshe rrezikojnë të humbasin shansin e tyre për t’u shpallur fitues në këto degë”.