De Biazi në premierën shqiptare, italiani do fitore me Moldavinë

497
Sigal

Miqësorja me moldavët është testi i fundit para nisjes së eliminatoreve të Kampionatit Botëror

Pas tri ndeshjeve në transfertë, ato me Gjeorgjinë në Tbilisi, Katarin në Madrid dhe Iranin në Stamboll, trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, do të bëjë prezantimin e parë në Tiranë, pikërisht me takimin kundër Moldavisë, të programuar për ditën e mërkurë, me 15 gusht. Në tri sfidat e para, bilanci i italianit është i suksesshëm: 2 fitore dhe 1 humbje. Shqipëria humbi 2-1 në Tbilisi (në një takim ku portieri Samir Ujkani priti dy penallti), si dhe fitoi 2-1 me Katarin në Madrid (me Bogdanin që u ngjit në kuotën e 16 golave) dhe 1-0 me Iranin në Stamboll (gol i Emiljano Vilës).

SHQIPËRIA
Trajneri Xhani De Biazi pranoi se ndeshje me Gjeorgjinë ishte kontakti i parë i tij me Kombëtaren shqiptare, ndërkohë që mënyra sesi ai përgatiti skuadrën në dy sfidat pasuese, të fituara, la një shije të mirë te specialistët shqiptarë të futbollit. De Biazi për herë të parë provoi disa lojtarë të rinj, përfshirë portierin Etrit Berisha dhe mbrojtësin Mërgim Mavraj, ashtu siç thirri për herë të parë Edgar Çani, ky i fundit debutoi me gol në miqësoren kundër Gjeorgjisë. Për herë të parë nën urdhrat e De Biazit do të jetë dhe sulmuesi Hamdi Salihi, pasi shkodrani që luan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (me DC Junatid) nuk ka mundur të vijë në tri ndeshjet e mëparshme të kuqezinjve. Lojtarët do të grumbullohen ditën e hënë në një nga hotelet e kryeqytetit, ndërkohë që vetë De Biazi ka planifikuar një konferencë për shtyp, po atë ditë (10:30), në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit. Pak ditë më parë, Shqipëria ngjiti një vend në ranglistën e FIFA-s, për muajin gusht 2012, duke u pozicionuar tani në vendin e 74-të nga 208 kombe që aderojnë në qeverinë botërore të futbollit, teksa në qershor renditeshim në vendin e 75-të. (Në maj ishim të në vendine 79-të). Moldavia, kundërshtarja e Shqipërisë, në miqësoren e 15 gushtit (në “Qemal Stafa”), është 58 vende pas nesh, e 137-ta (213 pikë) duke ngjitur një vend, por kjo nuk dot të thotë aspak se takimi do të jetë i lehtë për vendin tonë. ( Qipro, kundërshtari i parë në eliminatoret e Botërorit 2010, klasifikohet në vendin e 123-të, me 266 pikë).

MOLDAVIA
Sipas informacioneve të fundit, që kanë mbërritur në Federatën Shqiptare te Futbollit, skuadra përfaqësuese e Moldavisë po bën përgatitjet e fundit për listën e futbollistëve që do të udhëtojnë për në Tiranë. Gjithçka për kundërshtarët e radhës të datës 15 gusht 2012 është e fokusuar në ndërtimin e skuadrës, e cila në javën e parë të shtatorit do të nisë eliminatoret e Kampionatit Botëror “Brazil 2014”, me takimin kundër Anglisë. Në grupin e saj, ajo ka edhe Malin e Zi, Ukrainën Poloninë dhe San Marinon. Trajneri i Moldavisë, Ian Karas, është shprehur se “takimi miqësor në Shqipëri është i vështirë për ne, por njëkohësisht do të përcaktojë shumë situata për startin e takimeve zyrtare në fillim të muajit të ardhshëm”.

BILANCI
Shqipëria është ndeshur dy herë me Moldavinë, që të dyja takimet kanë qenë zyrtare, të vlefshme për Euro 1996, dhe janë fituar nga Kombëtarja jonë: 3-0 në Tiranë (29 mars 1995), me dy golat e realizuar nga Sokol Kushta (31’ e 80’) dhe golin e mbrojtësit Salvador Kaçaj (41’). Në Kishinau (7 qershor 1995), është Rudi Vata (71’) ai që firmosi golin e 3-2 për Shqipërinë, kur më parë kishin shënuar Sokol Kushta dhe Arjan Bellaj. Kjo ishte fitorja e parë e Shqipërisë në një ndeshje në transfertë. Trajner i Kombëtares sonë ishte Neptun Bajko.

TRI MIQËSORET E DE BIAZIT

29.02.2012, Tbilisi
Gjeorgji-Shqipëri 2-1

22.05.2012, Madrid
Shqipëri-Katar 2-1

27.05.2012, Stamboll
Shqipëri-Iran 1-0

Kuqezinjtë kanë fituar 33 takime, barazuar 23 dhe humbur 31

87 miqësoret e Shqipërisë

Nga ndeshja e parë miqësore kundër Malit të Zi, më 22 shtator 1946, të fituar 5-0 dhe deri të takimi i fundit miqësor ndërkombëtar kundër Iranit, më 27 maj 2012, Shqipëria mbush 87 miqësore, duke regjistruar 33 fitore, 23 barazime dhe 31 humbje. Në takimin e parë (në Shkodër), fitorja e Shqipërisë (5-0) u realizua jo vetëm falë golave të Jukës (2), Telitit (2) dhe Bizhuta (1), por dhe drejtimit në bankinë të trajnerit serb, Ljubisha Broçiç, trajneri i parë i huaj që ka drejtuar Kombëtaren tonë dhe ka fituar Kampionatin Ballkanik, në vitin 1946. Fitoret më të thella janë ato Shqipëri-Qipro 6-1 (më 12 gusht 2009, trajner kroati Josip Kuzhe) dhe Shqipëri-Vietnam 5-0 (12 shkurt 2003, trajner gjermani Hans-Peter Brigel, takim i luajtur në Norçia të Italisë). Humbja e parë është ajo me Poloninë, në Varshavë, më 6 nëntor 1949, me rezultatin 2-1, ku për Shqipërinë golin e vetëm e shënoi Zihni Gjinali. Humbjet më të thella në ndeshjet miqësore janë ato Hungari-Shqipëri 12-0 24 shtator të vitit 1950, Budapest dhe Rumani-Shqipëri 6-0. Në fakt, si një humbje e turpshme mund të konsiderohet edhe ajo 2-0 me Andorrën (17 prill 2002). Në ndeshjet miqësore është shënuar edhe goli më i shpejtë historik: Jahmir Hyka realizoi në sekondën e 46-të në fitoren 2-0 kundër Lihtenshtejnit (20 gusht 2008).

20 ndeshje e fundit miqësore

22.08.2007, Tiranë
Shqipëri-Maltë 3-0

27.05.2008, Reutlingen
Poloni-Shqipëri 1-0

20.08.2008, Tiranë
Shqipëri-Lihtenshtejn 2-0

19.11.2008, Baku
Azerbajxhan-Shqipëri 1-1

10.06.2009, Tiranë
Shqipëri-Gjeorgji 1-1

12.08.2009, Tiranë
Shqipëri-Qipro 6-1
Trajner: Josip Kuzhe

14.11.2009, Talin
Estoni-Shqipëri 0-0

03.03.2010, Tiranë
Shqipëri-Irlanda e Veriut 1-0

25.05.2010, Podgoricë
Mali i Zi-Shqipëri 0-1

02.06.2010, Tiranë
Shqipëri-Andorrë 1-0

11.08.2010, Durrës
Shqipëria-Uzbekistan 1-0

17.11.2010, Korcë
Shqipëri-Maqedoni 0-0

09.02.2011, Tiranë
Shqipëri-Slloveni 1-2

20.06.2011, Buenos Aires
Argjentinë-Shqipëri 4-0

10.08.2011, Shkodër
Shqipëri-Mali i Zi 3-2

11.11.2011, Tiranë
Shqipëri-Azerbajxhan 0-1

15.11.2011, Prilep
Maqedoni-Shqipëri 0-0

29.02.2012, Tbilisi
Gjeorgji-Shqipëri 2-1

22.05.2012, Madrid
Shqipëri-Katar 2-1

27.05.2012, Stamboll
Shqipëri-Iran 1-0

Kombëtarja U-19 përgatitet kundër Sllovenisë

Kombëtarja U-19 e futbollit, nën drejtimin e trajnerit Foto Strakosha, nisi grumbullimin e skuadrës së tij, në prag të dy ndeshjeve miqësore në Slloveni, takime që do të luhen më 14 dhe 16 gusht. Ekipi është grumbulluar në kompleksin “Tropikal”, në Durrës, ku dhe janë paraqitur lojtarët e seleksionuar më parë nga stafi teknik. Në përgjithësi, pjesa më e madhe e futbollisteve të rinj janë të datëlindjes 1994, ndërkohë që ka midis tyre edhe me të dalluarit e datëlindjes 1995. Miqësoret kundër Sllovenisë, zhvillohen në prag të eliminatoreve të Kampionatit Europian të kësaj moshe, ku për grupin tonë, ato do të zhvillohen në Shqipëri.

Shqipëria U-17 humbet 3-2 me Turqinë

Kombëtarja U-17, e drejtuar nga boshnjaku Xhemal Mustedanagiç, humbi 3-2 në miqësoren me Turqinë, në turneun që u zhvillua në Rumani. Kuqezinjtë tanë të vegjël realizuan të parët, në minutën e 33-të, por një minutë më pas turqit barazuan. Ekipi turk kaloi në avantazh në të 45’, por djemtë tanë barazuan në minutën e 60-të. Turqit e shënuan golin e fitores në minutën e parë shtesë të pjesës së dytë, pra në minutën e 81-të. Në ndeshjen e parë kundër Belgjikës, Shqipëria U-17 barazoi 1-1, ku golin për kuqezinjtë e shënoi Aliu, ndërkohë që sfidën e dytë përballë nesh ishte Rumania vendase, me të cilën humbën 3-0. Ky turne përgatitor ishte në kuadër të eliminatoreve të Euro U-17.

 Shefi Mavraj është i lumtur

Mbrojtësi shqiptar Mërgim Mavraj është zgjedhur kapiteni i skuadrës gjermane të Bundesligës 1, Grojther Fyrth. Kosovari i Kombëtares sonë e konsideron atë një nder dhe përgjegjësi të madhe, por indirekt shiriti i tij i ka lënë një shije të hidhur shokut të ekipit, Tomas Klajn, që ishte vitit e kaluar kapiteni i ekipit. “Unë e kuptoj, që Tomi është i trishtuar. Ai e ka bërë punën e tij shumë mirë, por kjo është si ajo gruaja që e ka gatuar keq gjellën”, – tha Mavraj për gazetën gjermane “Kleiner Zeitung”. Për shqiptarin, kjo do të jetë hera e parë në karrierën e tij, që do të mbajë shiritin e kapitenit. 2012-ta ishte një supervit për të: u ngjit në Bundesligën 1 dhe fitoi një vend në Komëbtaren shqiptare. Të dielën në mbrëmje ai do të udhëtojë drejt Tiranës, pasi më 15 gusht, Shqipëria do të luajë ndeshjen miqësore kundër Moldavisë, përpara se në shtator të nisë kualifikueset për Kampionatin Botëror 2014, që do të zvhvillohet në Brazil. “Për mua është detyra e kapitenit një përgjegjësi më shumë. Duhet të punojë më shumë”. Ekipi e beson Mavrajn. “Unë do të jem për ekipin dhe jo për njerëzit në tribunë”, – tha Mavraj.

SHAQIRI – Të luash në Bundesliga e për më tepër në një skuadër prestigjioze si Bajern Mynih nuk është e lehtë por Xherdan Shaqiri është i bindur se do të konfirmohet në skuadrën bavareze. “Natyrisht që jam gati për këtë kampionat. Ka shumë presion, e ndiej por jam shumë i sigurt se mund t’ia dal. Bundesliga është kampionat i vështirë, totalisht i ndryshëm nga ai në Zvicër, ka më shumë konkurrencë dhe kjo është shumë e rëndësishme”.
Mesfushori me tipare sulmuese që këtë vit u transferua nga Bazeli te Bajerni pritet të luajë në Superkupën ndaj Dortmundit të dielën, por do të jetë trajneri Hejnkes ai që do të vendosë nëse kosovari do të jetë titullar në vend të Robben apo do ta zëvendësojë gjatë minutave në vazhdim.