Anglishtja sërish prioritare, me koeficient maksimal 1,4

581
Sigal

Matura 2014, MAS: Koeficientet sipas degëve dhe lëndët me zgjedhje

Ministria e Arsimit dhe Sporteve publikon koeficientet e shkollave dhe të lëndëve me zgjedhje për Maturën Shtetërore 2014. Koeficientet janë propozime të vetë universiteteve, dërguar së fundi ministrisë. Pas kësaj, gjithë maturantët e interesuar, në bazë të formulës së llogaritjes së pikëve, mund të zgjedhin lëndët e interesit, duke marrë parasysh edhe koeficientin. Një risi e maturës 2014 është se falë formulës së re të llogaritjes së pikëve, këtë vit maturantët do të kenë 40 pikë më shumë vetëm nga mesatarja e shkollës së mesme. Gazeta “telegraf” ka publikuar on-line koeficientet e lëndëve me zgjedhje që ka vendosur çdo universitet. Tabela ka pësuar disa ndryshime, ku bie në sy që anglishtja është kthyer sërish në një lëndë prioritare, duke i lënë koeficientin maksimal, atë 1.4, pavarësisht se në cilën degë aplikon.

Në prag të plotësimit të Formularit A1 të lëndëve me zgjedhje, specialistët e Ministrisë së Arsimit i këshillojnë të rinjtë që të mos zgjedhin një lëndë që ka koeficientin më të lartë, por lëndën ku ata kanë më shumë njohuri. Në tjetër risi e këtij viti është se formulari mund të plotësohet on-line në portalin qeveritar, edhe për ata që ndodhen jashtë Shqipërisë.

 Pragu i pikëve për të kaluar

Këtë vit nuk do të ketë ulje të pragut të vlerësimit të nxënësve për të marrë notën kaluese, ajo do të jetë vetëm kur maturanti të ketë plotësuar 20 për qind të pyetjeve të çdo testi provimi. Nëse maturantët nuk do të sigurojnë të paktën 10-të pikë në provimet e detyrueshme dhe tetë pikë në ato me zgjedhje, ata do të humbasin të drejtën për të konkurruar më tej në universitete. Autoritetet e arsimit kanë vendosur një prag pikësh, për të përcaktuar me saktësi se kush kalon dhe kush mbetet në klasë. Vendosja e këtij pragu i dha fund futjes pa kriter të të rinjve që kishin një nivel shumë të dobët. “Ky është momenti që ndan ngelësit nga kaluesit. Paracaktimi para provimit në radhë të parë është transparenca për të gjithë maturantët. Është edhe ftesë për garë, puno që të kapësh 10-të pikëshin. Dy provimet e detyruara e kanë 10 kufirin dhe dy të tjerat e kanë 8” tha Arben Fagu, specialist në Agjencinë Kombëtare të Provimeve.

 Koeficientet

Dje autoritetet e arsimit kanë bërë publike edhe koeficientet. Ata shprehen se disa prej tyre kanë ndryshuar, duke rritur ata koeficientë për profilet  e degëve që kërkon edhe vendi i punës. Por nga ana tjetër ata ju bëjnë thirrje maturantëve që të mos shohin vetëm vlerën e koeficientit, pasi kjo mund t’i penalizojë. ”Vërtet një lëndë ka një koeficient të lartë. Por një maturantë mund ta këshillonim nëse nuk është i fort në atë lëndë që zgjedh, më mirë të ketë një ulje të vogël të koeficientit për të zgjedhur një lëndë që mund ta ketë jo 1.4 koeficientin por 1.3 koeficientin përkatës, sepse nota ka rëndësi më të madhe sesa koeficienti”, tha  Arben Fagu, specialist në AKP.

 Plotësimi i formularëve A1/A1Z

Zv/ministrja Nora Malaj ka deklaruar se Formularët A1 dhe A1z që do t’ju shpërndahen të rinjve këto ditë, do të plotësohen vetëm në shkolla si dhe institucione arsimore online, nën prezencën e arsimtarëve. Më pas maturantët do të kenë një muaj kohë për të plotësuar formularin i cili do të përmbajë të gjitha të dhënat dhe gjeneralitetet e tyre, si dhe lëndët me zgjedhje të cilat së bashku me ato me detyrim do të bëjnë të mundur mbledhjen e pikëve për të kandiduar në një nga degët e universiteteve në vend. Ndërkohë që do të ketë rregulla më të rrepta  në kontrollin e nxënësve gjatë testimit të tyre.

 Penalizmi për kopjimet

Rregulla të forta penalizuese për të gjithë gjimnazistët që dyshohet se kanë kopjuar gjatë provimeve të maturës shtetërore. Zv/ministria e Arsimit dhe Sportit ka deklaruar, se ata të rinj të cilët marrin në këtë provim 2-3 nota më shumë se sa ajo me të cilën janë vlerësuar gjatë vitit, do të s’kualifikohen direkt.