Projektligji për mjekësinë/ Studentët: Do e çojmë në Kushtetuese, do të largohen 1/3 e maturantëve

39
Sigal

Studentët e mjekësisë debatuan sot në Komisionin e Shëndetësisë për projektligjin e propozuar nga Ministria e Arsimit, që parashikon për ta pesë vite punë të detyruar në Shqipëri, ose përndryshe të paguajnë tarifën e plotë të shkollës.

Ata vazhdojnë të këmbëngulin se janë kundër kësaj nisme, duke paralajmëruar se do të ndërmarrin çdo hap ligjor ndaj propozimit të ministrisë.

“Do të përdorim çdo hap dhe formë ligjore për të kundërshtuar ligjin e 5 viteve punë me detyrimin për të marrë diplomën e mjekësisë, duke filluar nga bojkoti deri në dërgim të ligjit në gjykatë kushtetuese .Le të mos shkojmë në këtë pikë. Pse ligji duhet të miratohet me procedurë të përshpejtuar?”

Sipas tyre periudha kur është propozuar ligji është e papërshtatshme pasi ata janë në sezon dhe ky projektligj na rrit shumë presionin.

Studentët paralajmëruan se do të ketë pasoja, pasi do të largohen 1/3 e maturantëve në të gjithë Shqipërinë. Nga 30 mijë maturat që janë këtë vit, 10 mijë prej tyre kanë kërkuar të largohen

Ky projektligj është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 15 të kushtetutës, ju nuk mund të shkelni të drejtat tona pasi nuk jeni në një situatë emergjence dhe nuk keni deklaruar diçka të tillë, argumentuan ata.

Studentët shtuan se përballen me dy zgjedhje të papranueshme: një, të punojnë 5 vjet ose të paguajnë një tarifë të papërballueshme për shumicën e familjeve shqiptare. “Pra mjekësia do të jetë vetëm për elitën, ndërsa ne do të detyrohemi të punojmë”.

“Në momentin që nuk është shpallur ende gjendja e jashtëzakonshme pse po na shkelen të drejtat dhe liritë tona. Duam të dimë se si është llogaritur kostoja e tarifës? Dhe pse është një kosto kaq e lartë? Sa qendra shëndetësore janë dhe në cilin raport bazoheni në mungesën e mjekëve pasi nuk na janë dhënë të dhëna të sakta informacionet për pjesën e mungesës së mjekëve”.

“Është përgjegjësia juaj për të mundësuar kushtet ekonomike, profesionale dhe infrastrukturore sepse është mungesa e tyre që na shtyn të largohemi Ligji është eksperimental dhe afatshkurtër dhe jo cilësor dhe pritet të marrim peng diplomën në mes të studimeve”- thanë studentët.

Në seancat e mëparshme, ministrja e arsimit Evis Kushi tha se projektligji që detyron studentët e mjekësisë që pas diplomimit të punojnë deri në pesë vite në vend, ka si qëllim parandalimin e largimit të mjekëve si dhe plotësimin e nevojave që kanë institucionet tona shëndetësore.

Sipas të dhënave të OECD-së, llogaritet se deri në vitin 2022, numri total i mjekëve të diplomuar në Shqipëri por që jetojnë në vendet e OECD është mbi 1200 mjekë. Pra, shkalla e emigrimit llogaritet të jetë 19.8%, që do të thotë se për çdo 10 mjekë të diplomuar në Shqipëri, 2 prej tyre largohen jashtë vendit. Aktualisht këtu kemi 5400 mjekë, që përkthehet në 1.93 mjekë për çdo 1000 banorë.

Ndër vite ka nisur një rritje graduale e kuotave për programin e mjekësisë së përgjithshme. Para disa vitesh kuotat ishin 250, ndërsa synojmë që këto kuota të arrijnë në 500 në vitin 2024. Por edhe kjo është e pamjaftueshme.