Kryeministri Rama: Do të ngrehim kullën e sahatit të Korçës

749
Sigal

Kulla e sahatit të Korçës me Europën që para ngritjes së flamurit

Korçë–  Pas largimit nga qyteti i Korçës i kryeministrit Edi Rama, rrjetet sociale u përfshinë në shpërndarjen e një lajmi të vetëm: Kryeministri kishte thënë: “Do të ngrehim kullën e sahatit të Korçës”. Fillimisht deklarata e Ramës ishte dukur paksa e çuditshme, pasi ai shoqërohej nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi, i cili i qëndronte në krah të majtë dhe që në Korçë mbahet mend për mashtrimin që u bëri myslimanëve nëpërmjet myftiut të Korçës, Haxhi Qazim Muçi, ku këtij të fundit i premtoi se do ta ngrinte kullën e sahatit të Kasabasë. Kjo ndodhi para disa vitesh, por që nga ajo ditë e deri më sot Peleshi kishte harruar se çfarë kishte thënë. Pastaj, veç kësaj, kryeministri ishte i shoqëruar edhe nga kryebashkiaku i tanishëm, Sotiraq Filo, i cili i qëndronte në krah të djathtë dhe ndoshta është kryebashkiaku i vetëm që mban në faqen zyrtare të bashkisë historinë e falsifikuar të qytetit të vet. Për këtë arsye, habia ishte vërtetë e madhe. Pati edhe nga ata që thanë se kryeministri ynë donte ta zhvendoste vëmendjen nga kulla e famshme e Filo-Peleshit te kulla e sahatit të Korçës, siç pati të tjerë që thanë se Ramës i pëlqente shumë kulla e Korçës nga që nuk ishte sovjetike. Megjithatë, ne nuk kemi asnjë arsye të dyshojmë te premtimet e kryeministrit Rama. Duket se kryeministri ka ditur ta vlerësojë kullën e sahatit, monumentin e kulturës korçare. Madje mund të thuhet se Rama i njeh historitë e qyteteve të shqiptare, sepse siç thoshte mbreti Zog në kohën e vet, problem për të ishte se politikanët shqiptarë nuk i njihnin historitë e qyteteve të Shqipërisë. Por tashmë kanë ikur ato kohë, politikanët tanë janë që të gjithë të shkolluar në shkollat më të mira të vendit dhe botës. Gjithsesi, lajmi i përhapur për ngritjen e sahatit të Korçës entuziazmoi mjaft banorët e “Kasabasë”, sepse përgjatë 24 viteve të demokracisë ishte kryeministri Rama ai që shënoi vizitën e parë në xhami, nëse mund ta quajmë kështu,  pasi gjithë të tjerët as që e dinë ku ndodhet xhamia e themeluesit të qytetit Iljaz bej Mirahori. Për këtë arsye ne po sjellim edhe historikun e sahatit të Korçës që gjithkush të kuptojë se vlerat e atij sahati janë të rralla e me vlera të mëdha, të pakrahasueshme edhe me kullat miliona dollarëshe. Ndaj shpresojmë që dita e ndërtimit të sahatit të jetë sa më e afërt

Sahati i Korçës – monument i bashkëjetesës fetare

Sahati i qytetit të Korçës u ndërtua në sajë të bashkëpunimit vëllazëror mes tregtarëve myslimanëve të qytetit të Korçës dhe tregtarëve të krishterëve të Voskopojës, me të cilët kishin pasur bashkëpunim të hershëm, miqësi të vazhdueshme dhe krushqi të pandërprera mes tyre. Duke filluar që nga viti 1762, voskopojarët vinin në pazarin e Korçës dhe mësonin zanatet e tregtimit dhe mjeshtëritë. Madje voskopojarët, edhe kur u zhvendosën nga Voskopoja dhe erdhën në Korçë, siç thotë studiuesi Ilo Mitkë Qafëzezi  “… pasi u vendosën në qytetin tonë të ardhur këtu, pas prishjes së Voskopojës, u asimiluan aq mirë me ne, me anë të krushqive dhe janë shquar dhe po shquhen si tregtarë edhe si profesionistë të çdo dege, sa edhe si shqiptarë e qytetarë të mirë”. Gjithashtu Ilo Mitkë Qafzesi thotë se voskopojarët duke u vendosur në Korçë zgjodhën për vend shtëpie mëhallën e quajtur e “Voskopojarëve”, pranë pazarit edhe përveç kësaj u veshën me dollma e me xhybe si tyxhari shqiptar korçar i asokohe”. Madje duket se në shenjë mirënjohje, voskopojarët porositën  një gravurë për Kasabanë, qytetin e vjetër të Korçës. Gravura është e vitit 1767 dhe u skicua në Vjenë prej voskopojarit Theodhor Sina Grundo, nën përkujdesjen e murgut të shenjtë Parthen të manastirit të Shën Prodhromit Voskopojë, me shpenzime prej tregtarit gjithashtu voskopojar të asaj kohe, zotit Andrea Tirka. Gravura e Korçës është një pjesë mikroskopike e një gravure komplekse të madhe ku përveç pamjes së Voskopojës, Shipskës etj, jepet edhe pamja e qytetit të Korçës. Në këtë gravurë dallohet lumi, xhamia, disa shtëpi të qytetit dhe një pyll me pisha në pjesën jugore matanë lumit të Moravës. Gravura është e gdhendur ne dru. Së fundi, më 1784, voskopojarët ndihmuan edhe në ngritjen e sahatit të “Kasabasë”, gjë që tregon qartë se sahati ishte dhe mbeti një monument i bashkëjetesës fetare.

Sahati i Korçës- monument i bashkëjetesës krahinore

Gjithashtu mund të thuhet pa asnjë ndrojtje se kulla e sahatit të qytetit të Korçës hodhi shtat edhe si monument i bashkëjetesës krahinore. Sahati në fjalë u ndërtua nga mjeshtrit malësorë. Nga kronikat e kohës marrim këtë informacion: “Ora është e vendosur në një godinë të lartë dhe të ngushtë prej guri. Ajo është ndërtuar më 1784, prej mjeshtërish ndërtimi malësorë nga veriu i vendit, ndërsa kambanën e orës, e cila peshon afërsisht 40 okë (rreth 50 kg), e ngritën fqinjët tanë voskopojarë”. Ndërkaq, më saktësisht akoma, duhet thënë se për ndërtimin e kësaj ore u investua prej rufetit të bakejve me anëtarë myslimanë në bashkëpunim vëllazëror me zejtarë-tregtarët e Voskopojës . Ora u ngrit në oborrin e xhamisë së madhe…” Kulla e sahatit të Korçës ishte një nga ndërtimet më të bukura të mjeshtërve malësorë. Madje jo vetëm kaq, një pjesë e tyre (e malësorëve) qëndruan përjetësisht në Korçë, aty ngritën banesat edhe dyqanet e tyre e u bënë miq të përjetshëm me banorët e Korçës. Hallva gege ishte një nga produktet e tyre të famshme që tregtohej në ato vite në Korçë.
Sahati i Korçës me Europën para ngritjes së flamurit
Kujtdo mund t’i duket e çuditshme se si ka mundësi që sahati i Korçës të ketë qenë me Europën që para ngritjes së flamurit të pavarësisë. Dikush mund të pyesë i habitur: E si mund të jetë ose mos jetë me Europën një kullë sahati?! Sigurisht, çudi të tilla mund të ndodhnin vetëm me sahatin e Korçës. Ndaj, lajmi i kryeministrit Rama mbetet një lajm i veçantë për banorët e Kasabasë në veçanti dhe Korçës në përgjithësi. Sahati i Korçës kishte qenë i pari që kishte lajmëruar gjithë njerëzit se aroma e Evropës kishte filluar të ndihej. Fill pas reformave që po ndërmerreshin nga qeveria turke më 1908, intelektualët e Kasabasë (Korçës), duke përfituar nga situata, vendosën që sahatin e qytetit nga një sahat që deri atë ditë kishte punuar në stilin allaturka ta kthenin në një sahat që punonte me ritmet e Evropës – allafrënga. Kjo kishte qenë një dëshirë e hershme e tyre dhe tashmë e kishin shndërruar në realitet. Këtë fakt e gjejmë edhe te kronikat e kohës. Ja çfarë thuhet më konkretisht: “Nga reformat e qytetërimit përfitoi edhe hyqymeti i Korçës, duke ndërruar sahatin allafranga. Kështu pra, nuk do t’u vij rëndë mërgimtarëve që janë mësuar në Evropë, kur e gjejnë atë lehtësi edhe këtu”. (Gazeta “Koha”, 17 qershor 1912). Kjo është dhe një arsye më shumë që sahati i Korçës të lartësohej ashtu si më parë.
Sahati – bukuria vertikale e qytetit
Kulla e sahatit të Korçës ishte projektuar me një mendim arkitekturor të qartë. Ajo i rriste vlerat e qytetit të Korçës. Në gjithë shtrirjen horizontale të Kasabasë, (Korçës), kulla e sahatit ofronte një bukuri të veçantë vertikale, duke realizuar kështu thyerjen më të bukur arkitektonike. Megjithatë, më mirë se kushdo tjetër këtë gjë e ka shpjeguar posaçërisht për sahatin e qytetit të Korçës, studiuesi Pirro Thomo, te libri i tij, “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, f. 264, ku shkruan: “Kulla e sahatit të Korçës ngrihej në afërsi të pazarit, në oborrin e xhamisë së Iljaz bej Mirahorit. Ajo formonte një kompleks me xhaminë dhe, së bashku me minaren ishin të vetmet elemente vertikale në siluetën e përgjithshme të shtrirë të pazarit dhe të lagjes pranë. Sahati i Korçës ngrihej mbi një kullë mjaft të lartë në formë katrore në plan, e ndërtuar e tëra me gurë të papërpunuar, ku dallonin qoshet e skuadruara dhe mbyllja e figaturave me gëlqere, që linin në dukje sipërfaqet e gurëve. Mbi këtë bazament të lartë ishte vendosur ora, e cila lajmëronte kohën me anën e kambanës. Mbas rikonstruksionit të vitit 1893 mbi kullë u ngrit një pirg i vogël, që mbante orën dhe mekanizmin e tij”. Ndërsa sipas Nuçi Naçit, “në vitin 1893, ora e vjetër me kambanë u zëvendësua me një orë të tipit më të ri”. (N.D.N., Korça dhe katundet e qarkut, Korçë, 1923, f. 73). Veç sa më sipër, përse Korça të mos e kishte sahatin e vet, kur jo të gjitha qytetet e kishin pasur fatin të kishin një sahat të madh publik. Pirro Thomo thotë se “ndërtimet e sahateve u ngritën nëpër qendrat e qyteteve ose pranë tregjeve të mëdha, siç shohim ende sot në Tiranë, në Elbasan, në Kavajë, në Peqin, etj (S. Dashi, “Kullat mesjetare të sahatit në vendin tonë”, Monumentet, 12, 1976, f.101-108). Sigurisht, qyteti i Korçë nuk mund të kuptohej pa sahatin e tij.
Sahati – Krenaria e qeverisë shqiptare
Madje jo vetëm kaq: sahati i Korçës ishte një krenari e vërtetë edhe për qeverinë shqiptare. Sahati i Korçës ishte vërtet një mrekulli. Kulla e tij ishte ngritur me shumë përkushtim nga mjeshtrit malësore që kishin ardhur posaçërisht nga veriu. Pas ngritjes së tij, Korça nuk mund të identifikohej dot më pa atë sahat. Gjithkush që vizitonte këtë qytet, e vështronte sahatin gjithë admirim. Vizitorët që vinin, përveç bukurisë së qytetit merrnin me vete jo vetëm hijeshinë e mënyrës së ndërtimit, por edhe tingujt e sahatit që vazhdimisht dukej sikur përcillnin një mesazh të vetëm: “Këtu jeni në qytetin e Korçës. Mirë se erdhët!” Ndaj edhe qeveritarët e kishin gjithnjë një merak: mos vallë sahati prishej dhe vizitorët nuk e gjenin më Korçën ashtu siç e kishin ëndërruar. Kjo gjë nuk duhej të ndodhte. Gjithashtu, qeveritarët tanë kishin edhe një merak tjetër: dëshironin që ora të punonte saktë dhe gjithnjë evropianisht, që kur të huajt të hynin në qytetin e Korçës të kuptonin që kishin mbërritur në Evropë. Kush më mirë se Korça mund ta bënte këtë prezantim dinjitoz. Mund t’ju duket e pabesueshme, por ky merak i qeverisë ishte tërësisht i vërtetë. Ja çfarë shkruan gazeta “Koha”, 23 tetor 1920: “Me gjithë punët e mëdha që ka qeveria tonë, pyet zyrtarisht katundarinë (bashkinë) e Korçës, që qysh punon sahati në qytet. Padyshim që u përgjigj katundaria, që punon si në gjithë botën, evropianisht”. Ndoshta përgjigje më të sigurt as qeveria nuk do ta kërkonte: “Punon si në gjithë botën, evropianisht”.(“Koha”, 23 tetor 1920)
Sahati i Korçës, i harruari i kryebashkiakut Vasil Avrami
Që nga koha kur qeveria shqiptare interesohej për sahatin e Korçës, nëse punonte allaturka apo allafrënga, kishin kaluar disa vjet. Në krye të bashkisë së Korçës kishte ardhur Vasil Avrami (Në atë kohë kryebashkiakët emëroheshin). Fill pas ardhjes së tij, sahati i Korçës nisi të lihej gjithnjë e më shumë pas dore. Dukej sikur dikujt i interesonte rrënimi i tij. Banorët e Korçës nuk arrinin të kuptonin dot se çfarë po ndodhte. Përse nuk po i kushtohej më vëmendje orës së qytetit? Ata shkonin e qaheshin te gazetat e Korçës, por edhe kur autoritet e bashkisë denoncoheshin në shtyp, sërish asgjë nuk ndryshonte. Vasil Avrami nuk dëgjonte nga ai vesh. Bënte vazhdimisht shurdh-memecin. Nga kronikat e kohës përshkruhet pak a shumë kjo situatë: “Shumë njerëz na janë qarë për punën e sahatit të qytetit, i cili nuk bie në rregull dhe shumë shpesh nuk tringëllin fare, kujt i përket kjo çështje le të kujdeset, se pleqtë tanë nuk e bënë këtë sahat vetëm për bukuri, por edhe për të ditur kohën (“Gazeta e Korçës”, 28 mars 1925). Ankesa të tilla vinin kohë pas kohe. Të gjitha gazetat shkruanin. Edhe “Zëri i Korçës” e vinte në dukje këtë fakt: “Kemi shumë kohë që nuk e dëgjojmë orën e madhe të qytetit. Dimë se për këtë punë paguhet një njeri për ndreqjen dhe kurdisjen, dhe me gjithë këto në heshtje ndodhet kjo punë. Lutemi kompetentëve të marrin masat e duhura se është turp për Korçën që orë të ketë dhe orë të mos dëgjohet. (Gazeta “Zëri i Korçës”, 28 nëntor 1925). Për 5 vjet me radhë që nga viti 1925 deri në vitin 1930 nga banorët e Korçës vazhdonin të vinin të njëjtat ankesa. Më 15 nëntor 1930 “Zëri i Korçës”, shkruante: “Edhe tjetër herë kemi folur për nevojën që ka ky qyteti ynë për një sahat të madh publik. Këtë nevojë e kanë ndier jo vetëm banorët, por edhe vizitorët vendas dhe të huaj që vijnë dendur në këtë qytet. Vizitorët sigurisht do të kenë thënë me veten e tyre, “si qyteti i Korçës mos të ketë një sahat të madh publik!” Bashkitë në vendet e qytetëruara kujdesen edhe për gjëra më të vogla dhe jo më për një sahat i cili është tepër i nevojshëm. Sikundër dihet bashkia jonë harxhon çdo mot për nevojat të tjera të qytetit qindra mijë franga ari. Pra nuk do të jetë keq që në buxhetin e ardhme të shënojë dhe një kredi për ndërtimin e një sahati publik. (Zëri i Korçës, 15 nëntor 1930)
Sahati i Korçës dhe prapaskenat e Vasil Avramit
Për 5 vjet me radhë nga ana e bashkisë nuk ishte dhënë asnjë përgjigje. Duket se Vasil Avrami e kishte pasur një plan në mendjen e tij. Priste vetëm ditën e volitshme për ta shpallur. Ishin gazetarët e asaj kohe që mundën të zbardhnin gjithçka deri në detaje. Dhe gjithçka nisi të bëhet e njohur për publikun që nga viti 1929. Fillimisht ishte dhënë ky njoftim: “Javën e shkuar urdhëroi arkitekti Italian, z. De Fausto. Zotëri e tij erdhi të merrej vesh me kryetarin e Bashkisë z. Vasil Avrami mbi planin e godinës së re të bashkisë. Pasi ndenji nja dy ditë, u kthye Tiranë, ku do të përgatitë planin brenda një muaji. Godina e re e bashkisë do të ngrihet me dy kate, do të ketë 20 oda, dy sallone të mëdhenj dhe përpara një kopsht të madh. Në krye të godinës do të vihet një sahat i madh…” (“Gazeta e Korçës, 30 maj 1929). E pra, Vasil Avrami e kishte shpallur ambicien e tij. Ai dëshironte të ngrinte një sahat tjetër të madh, por jo aty ku kishte qenë, por në anën tjetër të lumit, aty kur dikur shtrihej fshati Peskëpi, e që më pas do të quhej Varosh, i cili do t’i bashkohej Korçës disa shekuj më vonë nga dita e themelimit të qytetit, (1496). Cilat ishin arsyet që Vasil Avrami dëshironte ta transferonte sahatin e qytetit në Varosh, ende kanë mbetur të panjohura
Sahati i Korçës – dorëhiqet Vasil Avrami
Nuk dihet si e qysh ndodhi, por në fillim të vitit 1930, Vasil Avrami dha dorëheqjen si kryebashkiak. Nuk dihet gjithashtu nëse kjo gjë ndodhi për shkak të sahatit ose jo, por nuk është çudi që të ketë ndodhur edhe për këtë arsye. Vasil Avrami ato ditë sapo ishte kthyer nga Athina, ku kishte qëndruar atje për një muaj resht. Për të gjitha këto, si gjithnjë, informonte shtypi i kohës: “U kthye nga Athina ku kishte vajtur para një muaji kryetar i Bashkisë Vasil Avrami me zonjën”. (“Posta e Korçës”, 17 dhjetor 1929). Po kjo gazetë do të shkruante përsëri: “Ministria e Punëve të Brendshme e pranoi dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë Vasil Avrami dhe ngrarkoi zëvendësin e tij z. Ymer Fazlli, me të kryerin e asaj detyre gjer sa të emërohet titullari definitiv”. (“Posta e Korçës”, 16 janar 1930). Për shkak të dorëheqjes, Vasil Avrami nuk pati fatin as të inauguronte prerjen e shiritit për ndërtimin e godinës së bashkisë dhe as të shihte sahatin e madh të Korçës mbi tarracën e kësaj ndërtese, i cili nuk u ndërtua atje
Sahati i Korçës dhe Rustem Ymeri
Bashkia qëndroi mjaft kohë pa kryetar bashkie. Rolin e tij vazhdonte ta luante zëvendëskryetari i bashkisë Ymer Fazlli. Por së fundi edhe kryebashkiaku i ri u ul në karrigen e kryetarit të Bashkisë Korçë. Ai ishte Rustem Ymeri. Interesimi i tij për sahatin e Korçës u duk qartë që në ditët e para të mbërritjes. Banorët e Korçës që kishin pritur për 5 vjet me radhë, më në fund nisën të ndihen të qetë. Kryebashkiaku i ri po interesohej për gjithçka. Nuk kaloi shumë dhe të gjithë morën vesh se bashkia kishte nisur të hartonte një projekt për rikonstruksionin e sahatit. Lajmi u përcoll edhe përmes shtypit të kohës: “Bashkia e Korçës nxjerr në njoftim pakdhënie (tenderim), konstruktimin e shkallëve dhe dyshemeve të ndërtesës së sahatit. Rustem Ymeri, Kryetar i Bashkisë”. (“Gazeta e Korçës”, 31 maj 1933). Në muajin tetor shtypi publikoi edhe një njoftim tjetër: “Bashkia e qytetit tonë nxori në ankand dhe dha rindreqjen e godinës së sahatit. Pas sa marrim vesh rindreqja do të bëhet në mënyrë moderne, duke u goditur pjesa e sipërme krejt me betonarme dhe duke e lartësuar edhe dy metra akoma. Përveç kësaj do të meremetohen dhe muret e vjetër, duke u forcuar me beton dhe hekur, kështu që për pak kohë qyteti ynë do të ketë një kambanë të sahatit nga më të bukurat të Shqipërisë (“Gazeta e Korçës”, 20 tetor 1933)
Sahati i Korçës dekoron kryebashkiakun
Tashmë qyteti e kishte sahatin e tij ashtu si dikur. Njerëzit nisën të dëgjonin sërish tingujt e tij, tregtarët nisën të hapnin dyqanet bashkë me zërin e kambanës së orës, nxënësve të shkollës u kujtonte orën e mësimit, udhëtarëve u tregonte orën e mbërritjes në këtë qytet, ku kambana të krijonte përshtypjen se vazhdimisht përcillte mesazhin e saj miqësor: “Këtu jeni në qytetin e Korçës. Mirë se na erdhët!” Që të gjitha këto ishin realizuar falë përkujdesit të kryebashkiakut Rustem Ymeri. Përkushtimi i Ymerit dhe fjalët e mira që thuheshin për të kishin shkuar deri në Tiranë, në qeveri. Mbreti kishte vendosur ta dekoronte. Gazetat e kohës këtë lajm e përcollën kështu: “Prefekti z. Ismail Kryeziu, i autorizuar posaçërisht, i dorëzoi kryetarit të Bashkisë z. Rustem Ymeri dekoratën e “Skënderbeut”, me të cilën denjoi ta dekorojë L.M.T, Mbreti, për aktivitetin e tij të madh që ka treguar disa vjet vazhdimisht”. (“Gazeta e Korçës”, 14 dhjetor 1935). Më në fund kulla e sahatit u shemb nga një tërmet i vitit 1960. Që nga ajo ditë e deri më sot, askush nuk u kujdes për rindërtimin e tij. Tashmë shpresat janë ringjallur sërish: Kryeministri Rama premtoi ngritjen e sahatit të Korçës. Shpresojmë të ndodhë sa më shpejt

Vepror HASANI