AKP/ Publikohet Libri i Transparencës, Harizaj: Çdo maturant të shohë me kujdes të dhënat e veta dhe sipas udhëzimeve, të korrig

965
Sigal

Udhëzuesi për përdorimin e Librit të Transparencës; Formulari i Korrigjimit të Pasaktësive si dhe Udhëzimi për korrigjimin e pasaktësive

Në faqen zyrtare të MASH dhe AKP-së është publikuar tashmë Libri i Transparencës. Libri i Transparencës plotëson tërësisht kuadrin e informimit të saktë dhe të plotë të maturantëve/kandidatëve, dukuri që përshkon të gjithë procesin e Maturës Shtetërore dhe të pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik (IALP) nëpërmjet sistemit Meritë Preferencë. Në një prononcim për “Telegraf”, Alfons Harizaj, kreu i AKP-së, shpjegon se pas publikimit të Librit të Transparencës, vijnë korrigjimet. “Maturantët nëse gjejnë diçka të pasaktë, apo diçka që s’shkon në konceptin e tyre, emri nuk është i saktë, datëlindja është gabim, pikët nuk janë të llogaritura mirë në pretendimin e tyre. Maturanti ka të drejtë të shënojë çfarëdolloj pretendimi për të dhënat që janë shfaqur. Ne e verifikojmë dhe i themi nëse ka, apo jo të drejtë. Ndërsa fituesit dalin nga mesi i shtatorit”, shprehet kreu i AKP-së. Sipas Harizaj, libri i transparencës i shkon çdo shkolle dhe maturanti duhet të shohë të dhënat e veta, atë që ka plotësuar në sistem, pikët e llogaritura për çdo preferencë, bllokun me të dhënat personale. “Ai duhet të shohë me kujdes të dhënat që i kanë dalë, se i krahason shumë lehtë, di vetë t’i llogarisë, di vetë kush janë të dhënat e tij personale dhe i intereson në fund të fundit të kërkojë, që në rastin kur ato janë të paplota dhe të pasakta t’i plotësohen nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Mund të ketë një të dhënë të pasaktë për emrin, në mesatare ose në bllokun e të dhënave personale. Këto ndodhin në raste të rralla, por sidoqoftë ata duhet ta kenë në vëmendje për ta shqyrtuar me kujdes dhe për të  mbajtur shënim se çfarë është e pasaktë, për ta rregulluar më pas tek ne për fazën finale të shpalljes së fituesve, e cila mendohet të jetë nga mesi i shtatorit” përfundon Harizaj.

Libri i Transparencës

Libri i Transparencës plotëson tërësisht kuadrin e informimit të saktë dhe të plotë të maturantëve/kandidatëve, dukuri që përshkon të gjithë procesin e Maturës Shtetërore dhe të pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik (IALP) nëpërmjet sistemit Meritë Preferencë. Në Librin e Transparencës çdo maturant/kandidat gjen të gjithë elementet përbërës të rezultateve të përfundimit të shkollës së mesme:

1.Mesataren e përgjithshme të shkollës së mesme

2.Rezultatin e provimit të Letërsisë

3.Rezultatin e provimit të Matematikës

4.Rezultatet e provimeve të dy lëndëve me zgjedhje

5.Preferencat e përzgjedhura prej tij në Formularin A

2, për programet e studimit që ofrojnë IALP-të për vitin akademik 2013-2014.

Mbi bazën e elementeve të lartpërmendura, në libër janë publikuar dhe pikët e fituara nga secili maturant/kandidat për çdo preferencë të përzgjedhur prej tij/asaj gjatë aplikimit online të formularit A2, të llogaritura këto në bazë të koeficienteve të miratuara nga MASH pas propozimeve të IALP-ve. Çdo maturant/kandidat, pas leximit në Librin e Transparencës të pikëve të grumbulluara nga ana e tij në secilin program studimi të përzgjedhur, si dhe pikëve të fituesve të fundit të publikuara tashmë në Web Site e Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP) www.akp.gov.al dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) www.mash.gov.al, arrin të gjykojë se në cilën degë ka më shumë shanse të fitojë. Vëmë në dukje se për maturantët/kandidatët të cilët ndër preferencat e përzgjedhura kanë dhe programe studimi që parashikojnë zhvillimin e konkurseve, pikët për këto programe studimi do të dalin pas publikimit të rezultateve të konkurseve.

UDHËZUES PËR PËRDORIMIN E LIBRIT TË TRANSPARENCËS

Libri i Transparencës përbën një faktor shumë të rëndësishëm për transparencën e procesit të Maturës Shtetërore dhe vihet në shërbim të të gjithë maturantëve/ kandidatëve që dëshirojnë të studiojnë në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik (IALP). Libri i Transparencës plotëson kuadrin e informimit të saktë dhe të drejtë, dukuri që përshkon të gjithë procesin e Maturës Shtetërore dhe të regjistrimeve në IALP. Tashmë të gjithë maturantët/kandidatët e shkollave të mesme të Republikës, kanë marrë rezultatet e të katër provimeve të Maturës Shtetërore. Tek Libri i Transparencës, çdo maturant/ kandidat gjen të gjithë treguesit e rezultateve të përfundimit të shkollës së mesme dhe provimeve të Maturës Shtetërore:

1. Notën ose pikët mesatare të viteve të shkollimit të mesëm,

2. Rezultatin e provimit të Letërsisë,

3. Rezultatin e provimit të Matematikës

4. Rezultatet e të dy provimeve të lëndëve me zgjedhje të detyruar

Gjithashtu aty ai gjen dhe preferencat e përzgjedhura prej tij në Formularin A2, për programet e studimit, që ofrojnë IALP-të për vitin akademik 2013-2014.

Mbi bazën e elementeve të lartpërmendura, në këtë libër publikohen pikët e fituara nga secili maturant për çdo preferencë, këto të llogaritura mbi bazën e koeficienteve të profileve të shkollave, si dhe lëndëve me zgjedhje të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës (MASH). Libri i Transparencës, do të përmbajë të dhënat e maturantëve/kandidatëve të çdo shkolle të vendit. Libri i Transparencës i seleksionuar për çdo shkollë do t’u shpërndahet DAR/ZA-ve përkatëse. Për çdo shkollë janë renditur vetëm maturantët e saj, të cilët kanë rezultuar kalues në të gjitha provimet e Maturës Shtetërore dhe kanë aplikuar online me formularin A2. Nuk përfshihen në Librin e Transparencës, maturantët që nuk kanë kaluar qoftë edhe në një nga katër provimet, pra janë vlerësuar me notën 4 (katër), si edhe ata maturantë që nuk kanë nota D1, D2, Z1 dhe Z2 kaluese të pasqyruara në bazën e të dhënave, apo kanë të paplotësuar notën, ose pikët mesatare të shkollës së mesme.Secili kandidat maturant ka hapësirën e tij në Librin e Transparencës, ku në rreshtin e parë jepen:

Numri rendor; numri identifikues i maturantit (ID), që e ka shoqëruar gjatë gjithë procesit të Maturës Shtetërore; Në pjesën majtas poshtë janë emërtesat dhe notat e shkallëzuara të 5 elementeve vlerësues të Maturës Shtetërore, në bazë të të cilave përllogariten pikët. Më tej vijohet me preferencat e kandidatit, të renditura siç janë përzgjedhur prej tij në Formularin A2. Preferencat përmbajnë numrin e programit të studimit, emërtesën e programit të studimit. Në krah jepen tre koeficientet për secilin program studimi sipas kësaj renditje:

I pari: koeficienti i shkollës (KSH);

I dyti: koeficienti për provimin e lëndës së parë me zgjedhje të detyruar (KZ1);

I treti: koeficienti për provimin e lëndës së dytë me zgjedhje të detyruar (KZ2) si dhe Pikët e grumbulluara në atë program studimi

Në librin e transparencës nuk paraqiten gjeneralitetet e maturantit/kandidatit (emri, atësia, mbiemri dhe ditëlindja) me qëllim që të mbrohen të dhënat e tij personale. Këto të dhëna maturanti/kandidati mund t’i shikojë në shkollën e tij, ku ka mbaruar studimet e mesme ose ku është regjistruar për të aplikuar me formularin A2.

Llogaritja e pikëve të secilit prej kandidatëve bëhet në bazë të kombinimit të formulave të realizuara në një program kompjuterik për programet e studimit pa konkurs dhe për programet e studimit me konkurs (shih në faqen e AKP-së www.akp.gov.al ose në faqen e internetit të MASH www.mash.gov.al ).

Për programet e studimit pa konkurs pikët e Maturës Shtetërore llogariten me formulën e mëposhtme:

Pikë Matura =[(MES+D1+D2) x KSH+Z1xKZ1+Z2xKZ2]x100

Ku: MES– Nota ose pikët mesatare të viteve të shkollimit të mesëm

D1– Nota e provimit e provimit Gjuhë Letërsi

D2– Nota e provimit Matematikë

Z1– Nota e provimit të lëndës së parë me zgjedhje të detyruar

Z2– Nota e provimit të lëndës së dytë me zgjedhje tëdetyruar

KSH – Koeficienti i profilit të shkollës

KZ1– Koeficienti i lëndës së parë me zgjedhje të detyruar

KZ2– Koeficienti i lëndës së dytë me zgjedhje të detyruar

Për programet e studimit me konkurs, formula llogaritëse është:

Pikë Matura– janë pikët e llogaritura me formulën e paraqitur më sipër. Pikë Max Matura – janë pikët e llogaritura me formulën e mësipërme, por ku të katër notat D1, D2, Z1, Z2 janë të barabarta me 10, koeficientet KSH, KZ1 dhe KZ2 janë maksimalë (=1.4), ndërsa pikët mesatare (MES) janë 11.2. Në këtë rast Pikët Maksimale janë të barabarta me 7168pikë).

% Maturës – është përqindja që zënë pikët e Maturës në programet e studimit me konkurse.

Pikë Konkursi– janë pikët që ka fituar kandidati në konkursin përkatës.

Pikë Max Konkursi – janë pikët maksimale që mund të merren në konkurrim.

% Konkursi – është përqindja që zë konkursi në Maturën Shtetërore. (Të gjitha këto të dhëna ndihmëse maturanti/kandidat mund t’i gjejë në Ëeb Siten e AKP ose MASH)

Në librin e transparencës për ata maturantë/kandidatë që kanë dhënë provime me zgjedhje dhe kanë të pasqyruara të 5 elementet për llogaritjen e pikëve, për programet e studimit që janë me konkurse nuk janë llogaritur pikët. Ato janë shënuar me vlerën zero, meqenëse konkurset do zhvillohen më vonë. Për rrjedhojë ato nuk janë pikët përfundimtar e për ato programe studimi, sepse në fazën e shpërndarjes së të drejtave të studimit, pikët për programet e studimit me konkurse do të llogariten siç edhe është shpjeguar më lart (me formulën për programet e studimit me konkurse). Libri i Transparencës është një libër pune, ku secili maturant/kandidat mund të kontestojë me anë të Formularit të Korrigjimit të Pasaktësive, ndonjë parregullsi që vëren në të dhënat e tija në Librin e Transparencës. Për çdo ndryshim, do të kërkohet dokumentim zyrtar nga Drejtoritë e Shkollave dhe Drejtoritë Arsimore të rretheve (shih Formularin e Korrigjimit të Pasaktësive).

UDHËZIM/Për plotësimin e Formularit të Korrigjimit të Pasaktësive

Bashkë me Librin e Transparencës, në formë elektronike publikohet në Web Site e AKP dhe MASH si dhe dërgohet në të gjitha DAR/ZA-të Formulari i Korrigjimit të Pasaktësive, që pasqyron:

Të dhënat personale

(Emër, Atësi, Mbiemër, Datëlindje)

Elementet vlerësues të Maturës Shtetërore për çdo maturant:

1. Pikët ose Nota mesatare e shkollës së mesme

2. Nota e provimit të detyruar D1 (Letërsia)

3. Nota e provimit të detyruar D2 (Matematika)

4. Nota e provimit me zgjedhje të detyruara Z1

5. Nota e provimit me zgjedhje të detyruara Z2

Ky formular është përgatitur për të evidentuar pasaktësitë që mund të shfaqen në Librin e Transparencës për maturantë të ndryshëm. Pas plotësimit të tij nga maturanti përkatës dhe konfirmimit zyrtar nga drejtoritë e shkollave dhe drejtoritë e DAR/ZA-ve, këto të fundit i përcjellin formularët në rrugë elektronike (të skanuara) në adresën [email protected], brenda ditës së enjte, datë 05.09.2013, ora 14.00 dhe ndërkohë duhet t’i përcjellin dhe zyrtarisht në format letër. Hedhja e korrigjimeve në bazën e të dhënave në sistem bëhet nga specialistët e AKP-së. Ky formular u jepet vetëm maturantëve që kanë kontestime për të dhënat e tyre në Librin e Transparencës.

Si duhet të plotësohet Formulari i Korrigjimit të Pasaktësive

Në pjesën e parë është e detyrueshme të plotësohen të dhënat për Rrethin, Bashkinë/Komunën, Shkollën dhe ID e maturantit. Në çdo kuti shkruhet vetëm një shkronjë ose një numër. Shkronjat duhet të jenë kapitale dhe numrat me shifra arabe. Këto të dhëna janë të domosdoshme për identifikimin e maturantit që kërkon ndryshime të dhënash në bazën e të dhënave.

Në pjesën e dytë, në seksionin Si ishte, janë të detyrueshme të plotësohen të gjitha të dhënat: Emri, Atësia, Mbiemri, Datëlindja, Nota/Pikët Mesatare (me shifra dhe me shkrim si në Formularin A2). Praktikisht këto të dhëna janë si në Librin e Transparencës.

Në seksionin Si bëhet, do të plotësohen vetëm ato të dhëna ku kërkohet ndryshimi: P.sh. nëse kërkohet ndryshim tek emri, tek rreshti Emri shkruhet si duhet të jetë emri i saktë. Mund të ndodhë të kërkohen dy ose më shumë ndryshime: p.sh. Datëlindja edhe Nota/Pikët Mesatare.

Pasi kërkesa për ndryshimet të jetë plotësuar me kujdes, maturanti shkruan Emrin, Mbiemrin dhe firmos në vendin përkatës. Këto ndryshime që kërkohen nga maturanti duhet të konfirmohen nga mësuesi kujdestar, Drejtori i Shkollës, që pasi firmos vendos dhe vulën e shkollës, si dhe nga Drejtori i DAR/ZA që gjithashtu firmos dhe vulos këtë formular. Vëmë në dukje se të dhënat që kanë lidhje me notat Mesatarja, D1, D2, Z1, Z2 konsultohen nga ana e specialistëve të AKP me bazën e të dhënave dhe më pas konfirmohen nga Drejtori i AKP.

Sot starton “lufta” midis maturantëve që kanë preferuar degët me konkurs

Të gjithë kandidatët që dëshirojnë të ndjekin studimet në Universitetin e Arteve, Universitetin e Sporteve, Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin Politeknik, si dhe programet e studimit FASTIP në Universitetin e Durrësit duhet që t’u nënshtrohen konkurseve të pranimit, që do të zhvillohen nga datat 2 deri në 6 shtator. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, konkurset fillojnë sot më datë 2 shtator dhe deri më 6 shtator duhet të kenë mbaruar në të gjitha universitetet.

Datat e konkurseve për të gjitha degët

Universiteti i Arteve, Tiranë

1.Fakulteti i Muzikës 2-6 shtator 2013

2.Fakulteti i Artit Skenik 2-6 shtator 2013

3.Fakulteti i Arteve Figurative 2-6 shtator 2013

Akademia e Arteve, Shkodër

1.Fakulteti i muzikës 2-6 shtator 2013

2.Fakulteti ia rteve figurative 2-6 shtator 2013

Konkurrimi për kandidatët e akademisë në Shkodër do bëhet në bashkëpunim me Universitetin e Arteve në Tiranë, në ambientet e këtij universiteti.

Universiteti Politeknik i Tiranës

1.Arkitekturë 2-4 shtator 2013

2.Arkitetkurë(Urbanist) 2-4 shtator 2013

Universiteti i Sporteve të Tiranës

1.Shkencat e Lëvizjes 2-4 shtator 2013

2.Fushat e Veprimtarisë fizike të shëndetit dhe rekreacionit 2-4 shtator 2013

Universiteti i Shkodrës

1.Edukim Fizik dhe sporte 2-4 shtator 2013

Tarifa e regjistrimit në konkurs 5 mijë lekë

Universiteti i Elbasanit

1.Edukim Fizik dhe Sporte 2-4 shtator 2013

Universiteti i Durrësit (FASTIP)

1.Menaxhimi i Bankave 2-4 shtator 2013

2.Menaxhim Hoteleri-Turizëm 2-4 2013

3.Menaxhim i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme 2-4 shtator 2013

4.Multimedia dhe Teknologji Informacioni 2-4 shtator 2013