Zoti Rama jeni deputet i Labërisë, jepini kësaj treve diçka simbolike, nga shumë vlera që i takojnë!

715
Shqetësimi ynë është lënia në mes e punimeve në rrugën nacionale Kardhiq –Delvinë, mospërfundimi i saj ne na dekurajon!
PETICION
Zoti Kryeministër,
ne që ju drejtohemi me anën e këtij peticioni jemi banorë të disa fshatrave të krahinës së Kardhiqit të Gjirokastrës, si dhe të disa fshatrave të Rëzomës të Delvinës. Shqetësimi ynë është lënia në mes e punimeve në rrugën nacionale Kardhiq -Delvinë. Mospërfundimi i saj ne na shqetëson, se na mban larg qyteteve, na mban të shkëputur nga qendrat e banuara, na mban larg edhe në lëvizjen e komunikimin fshat, më fshat. Me një fjalë, mos përfundimi i saj për ne është pengesë, vështirësi, largësi. E kundërta, ajo që kërkojmë ne është lehtësi në mjaft drejtime. Na favorizon shumë, është frymëmarrje, është zhvillim i zonave tona. Duke u vonuar ndërtimi i plotë i saj, edhe pjesa e ndërtuar ka pasoja, pasi është dëmtuar apo po dëmtohet nga agjentët atmosferikë. Pse kjo rrugë për ne është kaq e rëndësishme dhe duhet ndërtuar?

Së pari, ajo është vendosur për t’u ndërtuar qysh në vitin 2003, duke u përfshirë edhe në planin urbanistik kombëtar të Qeverisë “Nano”. Qeveria “Berisha”, në vitin 2005, nisi punimet në këtë segment. Por, ndërtimi i rrugës prej asaj qeverie, u shfrytëzua më shumë për fushatë elektorale, sesa për qëllimin për të cilin kishte filluar. Është fakt që, në atë kohë, inaugurimi i fillimit të punimeve u bë tri herë. Rruga e re, në krahasim me ekzistuesen, që kalon nga Qafa e Muzinës, shkurton 50 km. Rruga Kardhiq-Delvinë ka një gjatësi prej 28 km, nga këto, në pjesën e zonës së Kardhiqit janë ndërtuar 6 km, kurse në zonën e Delvinës janë ndërtuar 15 km. Pra, është e nevojshme të ndërtohet distanca ende e pafilluar, bashkë edhe me një tunel rreth 1 km.
Së dyti, kjo rrugë do mundësojë lidhjen e pesë qyteteve të jugut: Sarandë- Delvinë – Gjirokastër – Tepelenë – Përmet, si dhe do ndikojë në qarkullim në nyjën kombëtare me Çamërinë dhe me Greqinë.

Së treti, kjo autostradë, duke qenë një nyje nevralgjike për jugun e Shqipërisë me arteriet kryesore kombëtare, do të bëjë të mundur jo vetëm lidhjen me gjithë Shqipërinë, por në të njëjtën kohë edhe me Kosovën, Maqedoninë e Malin e Zi.
Së katërti, me mbërritjen në Sarandë të jahteve e kroçerëve, turistet do të vizitojnë Butrintin apo Delvinën, por do vijnë menjëherë me këtë distancë kaq të shkurtër edhe në Gjirokastër, Tepelenë dhe në Përmet. Kjo rrugë është një nyje nevralgjike me përparësi që e bën shumë të lehtë lëvizjen e turistëve për të vizituar qytetet e ndryshme të Shqipërisë, përfshi dhe ndalesat e gjata në qendra kryesore si Tirana, Durrësi etj.
Së pesti, me përfundimin e kësaj rruge, pushuesit e rajonit jugor të gjithë Prefekturës së Qarkut të Gjirokastrës dhe qytete të tjera të Shqipërisë do ta kenë më të lehtë për të frekuentuar plazhet e Sarandës dhe bregdetin Jon.
Së gjashti, kjo rrugë ka vlera historike, pasi në lashtësi ka qenë përdorur edhe nga Princ Skerdilajdi, kunati i mbretëreshës sonë ilire, Teutës.
Së shtati, ka qenë rrugë strategjike e përdorur nga shqiptarët në shekuj, në luftërat për pavarësi kombëtare.
Së teti, është rruga që ka përshkruar para 400 vjetësh në jug të Shqipërisë në udhëtimin e tij, kronikani i famshëm turk, Evlia Çelebi, nga Sanxhaku i Delvinës për në Gjirokastër.
Së nënti, është rruga që, sistemi që lamë pas e ka shfrytëzuar si një rrugë strategjike ushtarake.
Dhe së fundi, nëpërmjet kësaj rruge, fermerët do çojnë për të shitur në qytet prodhimet e tyre, si dhe do blejnë atje, produktet e nevojshme dhe do të marrë frymë lirishtë tërë jugu i Shqipërisë. I nderuar zoti kryeministër! Kjo rrugë, duke shkurtuar distancat, afron njerëzit. Kjo rrugë, atyre që do udhëtojnë, do t’iu shkurtojë kohë; distanca më e shkurtër, drejtuesve të mjeteve, do t’iu kursejë karburant; gomat dhe pjesët e ndërrimit do konsumohen më pak. Duke qenë autostradë me parametra bashkëkohorë, mundësia e aksidenteve do jetë më e vogël. Rruga do të sjellë zhvillim. Rruga do të sjellë qytetërim në krahinat tona. Njerëzit, për hallet dhe problemet e tyre në bashkitë e mëdha, do ta kenë më të lehtë për t’i zgjidhur. Banorët e qendrave të ndryshme do ta kenë më të lehtë komunikimin me njeri–tjetrin. Kjo rrugë do nxisë dhe do shtojë numrin e turistëve. Është kjo arsyeja që Qeveria juaj e ka konsideruar rrugën nacionale Kardhiq -Sarandë, një rrugë me përparësi dhe objekt zhvillimi, por ju kujtojmë se qeveria e Berishës vetëm i premtoi Labërisë dhe e la krejt Jugun e Shqipërisë pa asnjë investim apo ndërtim urbanistik, ai investoi në komuna e zona malore dhe Jugut i bëri vetëm premtime, duke e lënë këtë vepër kombëtare në mes, pa e mbaruar. Për përparësitë që përmendën më lart dhe për nevojat imediate të banorëve të Jugut të Shqipërisë,
Ju kërkojmë: Të vihet në planin më të afërt përfundimi i kësaj rruge, kësaj arterieje me kaq rëndësi kombëtare e lokale. Jemi në pritje të marrjes parasysh të kërkesës sonë!
PËR SHOQATËN ATDHETARE-
KULTURORE “FUSHËBARDHË”
Kryetari
Manxhar Basho
Shënim: Shtojmë se, veç anëtarëve të shoqatës sonë janë solidarë me këtë peticion edhe Shoqata Kombëtare Kulturore Atdhetare “Labëria” dhe gjithë shoqatat e qytetit të Gjirokastrës dhe banorët e zonave që kap kjo rrugë në Jug të Shqipërisë.
Sigal