Osman Murati-Gramozit: Në PS e keni humbur busullën e drejtimit social, jeni kthyer në një grup interesash

479
Osman Murati, një simpatizant i PS, i dërgon një letër të hapur Gramoz Ruçit dhe i shpreh gjithë emocion e dhimbje, katandinë e sotme të PS, që po zhgënjen votuesit. 

Gramozit!
Po lexoj në një gazetë, që në ndryshimet e Kodit Elektoral qënke për mazhoritar të pastër. Nëse e ke mendim serioz, mazhoritarin e pastër, në zgjedhjet e ardhshme, do të thotë se je në një moment kthese ndaj Partisë që bën pjesë si drejtues. Sipas mendimit tim, sot për sot PS e ka humbur gradualisht drejtimin e saj. Me pak fjalë, po ju them se në veprimet praktike nga qendra në bazë, ju e keni humbur busullën e drejtimit social, jeni kthyer në një grup interesash. Programin elektoral të PS, e keni hedhur në kosh të plehrave. Në ankesat e popullit ndaj drejtimit shtetërorë të PS keni shumë, shumë ankesa, sepse tek ju po veprojnë disa aparatçikë të sëmurë, me “sëmundjen e kapitalizmit”, që është e pashërueshme dhe me megalomane, e surrealistë të sëmurë, që ia kanë kthyer shpinën popullit. Më duket se edhe gazeta e “Zërit të Popullit” e mbyllët, ose u mbyll nga konkurrenca.

Shkurt nuk drejtohet shteti e partia me batuta, as më me figura të inkriminuara, që e kanë rrethuar, as duke fyer më çdo minutë të kaluarën e duke ironizuar atë. Mos pështyni bukën, kripën dhe nderin e një populli të tërë që ju rriti, ju dha shkollë , ju vuri në poste drejtuese dhe kryetari juaj me suitën (ku mendoj se përbën aksident për ju), po bën bunker arte e vizatime skandaloze, si e si të përbuzë një të kaluar historike, legjendare. Dhe më keq, heshtja juaj, si parti, po inkurajon nxjerrjen në dritë me buste e përmendore, me miratimin e “Qytetarit të Nderit ” nëpër Shqipëri të kriminelëve e të tradhtarëve të atdheut. Është turpi i pushtetit tuaj, i deputetëve që keni në atë parlament që e” kanë abandonuar veten”, duke u marrë me punë të tjera dhe as që i vret ndërgjegjja se kanë marrë votën e popullit, për t’i shërbyer atij, për të ruajtur pastërtinë e figurës, për të mos u përlyer me biznese të pa merituara dhe pse jo të jashtëligjshme. Këto e dukuri të tjera që dhe opozita nuk po hesht, me kritika skandaloze ndaj jush, do të thotë që drejtimi i partisë ka marrë kthesën e gabuar, madje mund të themi dhe tatëpjetën, duke i tradhtuar interesat e elektoratit të Majtë. 

Zoti Gramos Ruçi! Ju drejtohem drejtpërdrejt ju, se ju kam vlerësuar që në kongresin e 10 të PPSH, që ishe një djalë i ri e me mjaft shpresë për të ardhmen e PS, si parti e Majtë, si parti sociale që mbështet me përparësi popullsinë e varfër. Sipas mendimit tim, ju jeni përshtatur kryetarëve të partive, sipas stilit të tyre, nuk e ke mbajtur frymën e shëndoshë të proletarit, për të mos thënë të labit. Ju nuk zbritet nga qielli, po ishit në parlament, në takime të herëpashershme me popullin, dhe nuk e dinit ju se Shqipëria ishte karfosur në borxhe të brendshme e të jashtme me Saliun. Vërtet nuk e dinit ju se të paktën 30% e popullsisë nuk e paguante energjinë elektrike? Si është e mundur që (siç dëgjojmë nga ju) se 50% e ekonomisë së biznesit zhvillohej në informalitet, në kohën e pushtetit të Saliut, po ju ku keni qenë, që nga viti 1992, që filloj biznesi, sa herë e keni drejtuar Qeverinë, gjithnjë keni pasur epërsinë e pushtetit vendorë dhe akoma sot që po ju shkruaj kjo sëmundje vazhdon, ku gati 90% të fshatit e keni në informalitet, mbas 24 vitesh “demokraci”kapitaliste, etj, etj. Po me kriminalitetin? Më shumë se ju, asnjëri prej atyre që ke në krah nuk e di, se si kontrollohet biografia CV deputetëve, pushtetarëve, drejtuesve te PS, e kuadrove të tjerë të kësaj partie, që rrjedh nga një ish parti me begraund të lartë në të kaluarën në këtë fushë.

 Më vjen shumë rëndë të përgojoheni ju, PS për kriminalitet të lartë, për kontrabandistë të regjur, banditë, të asaj shkallë, që jetojnë nëpër Sheratone, e vila luksoze dhe më shumë se 1/4 e popullsisë e kë nën nivelin e minimumit të jetesës së varfërisë, (nuk e dimë minimumin jetik të sotëm). Po bëni 2,5 vite në pushtet dhe e filluat (me të drejtë) shembje ndërtimesh pa leje, dhe jeni duke dëgjuar vetëm fjalë e vepra me burgje e gjoba, një sulm të paparë në popullin e thjeshtë, sikur ju deri me sot ishit jashtë këtij realiteti. Mua më vjen keq, më vjen shumë rëndë, kur dëgjoj këtë opinion të krijuar për PS, në popull që ju ka dhënë votën. Keni kuadro me përvojë që kjo situatë që keni krijuar, nuk u justifikon për të mbajtur pushtetin, pa bërë fjalë, që asnjë premtim nuk mbajtët, deri tani, ndaj viktimave të shkaktuara nga PD për 24vite. Asgjë për korrupsionin. Asgjë për Saliun e pasuesit e tyre. Akoma me Vishon e Llallën në SHISH e Prokurori. Çfarë do të presim më prej jush? Mua më vjen keq, kur dëgjoj vjellje vreri ndaj jush si PS nga simpatizantët që keni pasur, dhe nuk i keni më. Mendoj se duhet reflektuar shumë thellë. Ju shkruaj hapur, si shok dhe jo si zotëri. Unë u përkas brezit të shokëve dhe shqiptarëve atdhetarë dhe jo shkatërruesve të Shqipërisë. 

Reagimi:
Bardhyl Hazizaj: Qeveria ngre stuhi në gotë
Shoku Osman! Jemi vend i vogël, por jemi përfshirë në një lojë të madhe! Stuhia e ngritur sot nga Qeveria i ngjan stuhisë në një gotë me ujë? Në mes të shqiptarëve ka kontradikta e konflikte, që po shtohen çdo ditë e më shumë edhe brenda familjes shqiptare. Ka shumë varfëri në Veri, por edhe në Jug! Pothuajse tre dekada pas ndarjes nga sistemi socialist, shoqëria shqiptare është futur në krize. Qeveria po kërkon ta zgjidhë problemin me arrogancë, pasi është e zhytur në korrupsion, por edhe Opozita, e cila paralajmëron për mosbindje qytetare, po nuk cakton as ditën e as vitin, gjë që tregon pamundësi frike e opozitës për të artikuluar një alternativë jo të dhunshme. Virusi i dosjeve është një shantazh e kërcënim, që i ka rënë vlera, edhe për ata që janë “Vulosur” si të inkriminuar. A do ta vendosim ndonjëherë në rend të ditës ne shqiptarët t’i themi Europës: “Edhe ne stërnipërit e Skënderbeut, do t’i themi bishës huaj. Se ky vend i Kastriotit është i yni, se kërkoj prej jush e as prej Zotit”‘. 
Osman Murati: Pa as më të voglin dyshim, të keqen duhet ta kërkojmë në radhë të parë tek vetja, pastaj të hedhim edhe sytë rreth e rrotull, për të pastruar njollat e huaja, që na janë ngjitur si viruset e gripit. 
Sigal