Zhduku provat në vrasjen e Elton Çiços, kush është mjeku që dyshohet për atentatin ndaj Ndojës, nipi i Rrahman Rrajës

120

Redjan Rraja, 34-vjeç, është i arrestuari i parë për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja në Durrës, ndodhur të premten e 1 Nëntorit.

Redjan Rraja është nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja, një personazh ky me influenca të forta në zonën e Fushë Krujës.

Mësohet se Redjan Rraja është arrestuar teksa ishte duke u larguar nga Shqipëria në aeroportin e Rinasit. Policia dhe prokurori kanë kërkuar arrestimin e tij për shkak se kanë gjetur gjurmët e gishtave në makinën që u gjet e braktisur në zonën e Shkafanës, në ditën kur ndodhi atentatit.

Derimë tani raportohet se vetë Rraja nuk e ka pranuar që të ketë qenë pjesë e atentatit, dhe as të ketë dijeni në lidhje me të.

Emri i Redjan Rrajës, me profesion mjek, nuk është i panjohur për policinë, pasi ai akuzohet se ka prishur provat në vrasjen e Enton Çiços.

Edhe pse akuzohej për “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” në ngjarjen ku mbeti i vrarë miku i tij Elton Çiço, Rraja u dënua nga Gjykata e Tiranës vetëm me 8 muaj burg.

Dy vite më pas, emri i Redjan Rrajës shfaqet në çështjen “Xhisiela”, ku i përfshirë ishte kushëriri i tij, Rexhep Rraja.

Oficeri Emiljano Nuhu përmendi emrin e Redjan Rrajës si një prej nipërve të deputetit Rraja që e kishte kërcënuar për shkak të hetimeve që po kryente pas denoncimit të shtetases Xhisiela Maloku.

Xhisiela akuzonte djalin e deputetit se dhunonte vazhdimisht, ndërkohë që ajo kërkonte t’i jepte fund lidhjes. Kjo ngjarje më pas u mbyll me tërheqjen e Xhisielës nga denoncimet dhe largimin nga Shqipëria të oficerit Nuhu.