Zbulohen pronat e pushtetarëve që kanë pushtuar trojet e fshatarëve

528
Sigal

Objektet pa leje të partisë dhe borxhlinjtë e shtetit

Ato që dikur quheshin “prona të popullit” sot quhen ndryshe “objektet e partisë”, apo edhe më ndryshe “pronat e pushtetarëve”, që pavarësisht pa leje, ushtrojnë aktivitetin e tyre ditën me diell, duke zaptuar mijëra metra katrore, pa patur një leje ndërtimi, duke ndotur ambientin e duke abuzuar edhe me energjinë elektrike. Kjo ndodh rëndom në disa objekte në fshatrat fare pranë Elbasanit, atje ku ngrihen pronat e partisë dhe pushtetarëve. Atje ku ngrihen dhe lulëzojnë, duke i bërë karshillëk ligjit, shtetit, dhe konkurrencë të pandershme komshinjve dhe kujtdo që ka vite që punon me korrektësi. Fjala është për objekte 3-4 katëshe, me bodrume dhe fortifikata të ndërtuara, pikërisht 6 muajt e parë të vitit 2013, kur kishte nisur fushata elektorale dhe shteti ishte me vëmendje nga marrja e votave, kurse opozita e asokohe ishte në ethet e fitores së shumëpritur. Por duket se ata që deri para 23 qershorit çirreshin për “paligjshmëri në fushën e biznesit dhe ndërtimeve pa leje”, sot janë klientët e tyre të përhershëm, duke u bërë madje edhe mbrojtësit dhe bashkëpronarët e tyre. Një prej tyre mbetet një objekt i ndërtuar pikërisht në muajt e “rrumpallës” elektorale dhe që sot rezulton pa leje ndërtimi, mjedisore, në paligjshmëri totale dhe që prej 1 viti e gjysmë mbledh çdo ditë zyrtarët dhe krerët e politikës lokale të Elbasanit, duke i shtruar dreka e darka si dikur pashallarët. Objekti ka zënë një sipërfaqe prej 3500 metrash katrore, dyfishin e asaj që ka blerë personi nga shitësi truallit, një fshatar nga Labinoti. Objekti gjendet fare pranë rrugës nacionale, dhe ngrihet hijerëndë sikur të ishte më korrekti ndaj ligjeve të këtij vendi. Vetëm një javë më parë, atje zbarkuan Agjencia e Mjedisit, Urbanistika dhe OSHEE dhe kontrolluan gjithë dosjen që personi apo personat kishin në dispozicion, duke mos gjetur asgjë zyrtare dhe legale. Vetëm pak ditë më pare inspektori ARM Gëzim Salla deklaroi se “ne kemi vajtur tek objekti për të cilin kanë ardhur ankesa dhe denoncime dhe nuk kemi konstatuar dhe gjetur asnjë dokument zyrtar me të cilin duhej të ishte pajisur ky objekt, veç mangësive të tjera si leja e ndërtimit dhe i kemi lënë afat deri në 23 shkurt 2015, të përfundojë krejt dokumentacionin ligjor, ndryshe do t’i vendoset shiriti i kuq dhe mbyllet aktiviteti privat”. Energjia ishte lidhur tek një biznes ngjitur pa leje, leja mjedisore mungonte në një kohë që nga oxhaku i tij del gjithë ditën tymi i zi, pasi piqen pula, roza, dele, qengja e gjela, duke përdorur qymyr e jo dru. Por duket se edhe kontrollet kanë rezultuar kundra pronarit të objektit. Ai qysh në 2003 dispononte një leje ndërtimi e cila ishte shfuqizuar qysh në 2006-n dhe duke mos e rinovuar ka ndërtuar gjatë “rrumpallës” elektorale të 2013-s dhe vetëm 1700 metra katrore rezultonin të dhëna me Ligjin 7501. Pra, i gjendur në një kolaps të tillë ligjor dhe institucional, pa disponuar asnjë dokument zyrtar mbi objektin dhe aktivitetin, duket se mënyra më e mirë për të mbijetuar mbetej “lidhja me pushtetin”, gjë e cila deri në njëfarë mase u realizua. Duke patur klientë të përditshëm drejtues dhe zyrtarë të institucioneve lokale, duket se ky biznes ka mundur të mbijetojë, madje edhe të sfidojë cilindo që ankohej apo drejtonte gishtin nga ai. Duhet thënë se në 2006, ka dalë një ligj që ndalonte ndërtimet në tokë bujqësore, gjë e cila mbetet si një tjetër fakt kundër atij që menaxhon sot “pronën e pushtetit”. Pra, pa leje ndërtimi, pa leje mjedisi, pa lidhje të rregullt energjie, ka ndërtuar në kundërshtim me ligjin në tokë bujqësore, duke zaptuar dyfishin e sipërfaqes së blerë nga poseduesi atij trualli. Këto dhe shumë arsyetime të tjera, kanë shkaktuar indinjatë tek banorët dhe bizneset rreth tij, të cilat pavarësisht kërkesave ndaj komunës Labinot, OSHEE, ARM, INUK, etj., kanë mundur vetëm ta “gudulisin” pak pronën e partisë. Ajo sërish sfidon ligjin, sfidon institucionet, dhe ata që kërkojnë barazinë para ligjit. “Prona e partisë” gjendet fare pranë rrugës ku kalojnë ministrat e zv/ministrat, zv/kryeministri dhe kryeministri vendit.

Nga Tefik Osmani