“Xhakja”, Prokuroria: “Procedim penal ndaj gjyqtarit Neritan Tabaku”

540
Sigal

Prokuroria e Tiranës nisi dje procedimin penal ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Durrësit, Neritan Tabaku, për “shpërdorim të detyrës”, lidhur me dosjen e shtetasit Ilir Xhakja, i dyshuar si autori kryesor i vrasjes se kryekomisarit Adem Tahiraj, pak ditë më parë në Katund Sukth të rrethit të Durrësit. Me anë të një deklarate, shpërndarë sot për mediat, Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur se Prokuroria e Tiranës ka regjistruar sot procedimin penal nr.4291 për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, në ngarkim të Neritan Tabakut, me detyrë Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës. Sipas Prokurorisë, gjyqtari Neritan Tabaku ka cenuar rëndë interesat e ushtrimit të ndjekjes penale në kohë ndaj shtetasit Ilir Xhakja, person me precedentë të theksuar penal. Sipas Prokurorisë, regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë për faktin se pranë Gjykatës se Durrësit, në datën 19.11.2010, Prokuroria e Durrësit ka përfunduar përfaqësimin e akuzës në ngarkim të shtetasit Ilir Xhakja, i akuzuar për veprat penale të vrasjes me paramendim, kryer në bashkëpunim, të shtetasit Qerim Maloku dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Ndërsa, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Prokuroria e Durrësit kërkoi deklarimin fajtor të shtetasit Ilir Xhakja dhe dënimin e tij me 24 vjet burgim. Këtë kërkesë prokuroria e ka paraqitur në të gjitha shkallët e gjykimit të shtetasit Ilir Xhakja, si dhe në Gjykatën e Lartë, ku çështja u rikthye sërish në Gjykatën e shkallës së parë për mos kompetencë.