Vasili: Meta, zyrtarisht kandidat për kryetar i LSI-së, Konventa më 27 tetor

486
Sigal

Muaji tetor do të jetë muaj zgjedhjesh në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Në emër të LSI-së, Petrit Vasili bëri të ditur se kreu aktual, Ilir Meta është zyrtarisht kandidat për kryetar i LSI-së në zgjedhjet e ardhshme, ndërkohë që u bëri thirrje të gjithë atyre që duan të kandidojnë për këtë post, të depozitojnë kandidaturat brenda afateve. “Komiteti Organizator i partisë ka pranuar dhe ka marrë në shqyrtim iniciativën e Kryetarit aktual, Ilir Meta për të rikandiduar në krye të LSI-së, në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen më 28 tetor. Procesi i pranimit të kandidaturave të tjera është i hapur deri më 20 shtator”,- u shpreh Vasili në një konferencë për shtyp nga selia e LSI-së. Kryetari i Komitetit Organizativ të LSI-së bëri të ditur se, Konventa e LSI-së do të zhvillohet më 27 tetor, ndërsa theksoi se proceset organizative në të gjithë vendin kanë ecur shumë mirë. “572 delegatë vijnë si të zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë, ndërsa 936 delegatë të tjerë zgjidhen në përputhje me shpërndarjen organizative të LSI-së në të gjithë Shqipërinë. Kriter i rëndësishëm do të jetë edhe rezultati i realizuar në zgjedhje. 30% e delegatëve do të jenë përfaqësues të Lëvizjes Rinore për Integrim dhe 30% përfaqësues të Lëvizjes së Grua për Integrim”,- nënvizoi Vasili.