Xhafzotaj, banorët në protestë: Ujësjellësi po na shet uji

112

DURRËS- Banorët e Xhafzotajt janë hedhur në protestë për ujin e pijshëm, i cili prej fillimit të verës mungon tërësisht në këtë komunë me 5 mijë banorë. Ata shprehen se uji vjen në depot e Ujësjellësit të komunës, por më pas uji zbrazet në autobotet që e shesin atë në zonat bregdetare duke lënë komunën pa ujë të pijshëm.

Protesta

Të grumbulluar në qendër të komunës burra gra dhe fëmijë me karroca e bidona të duar, ngritën shqetësimin e mungesës së ujit të pijshëm që prej muajit mars të këtij vitit. Banorët shprehen se që nga muaji mars dhe në vazhdim, nuk kanë uji të pijshëm, ndërkohë që në kushtet e temperaturave të larta, situata është rënduar, sepse i gjithë fshati ka gjetur si mundësi të vetme pusin e një fermeri për të përmbushur vetëm nevojat emergjente. Ata shprehen se paguajnë faturat afrofe, çdo muaj në një kohë që uji i pijshëm nuk vjen fare. Ata kanë denoncuar edhe një fakt tjetër që lidhet me pronarët e boteve që qarkullojnë në këtë zonë, të cilët mbushin ujë pikërisht në depot e ujësjellësit dhe më pas ujin ua shesin banorëve që nuk furnizohen. “Autobotet vijnë radhë- radhë çdo mëngjes, marrin ujin e pijshëm që ka mbërritur dhe në drekë vijnë dhe na e shesin me 30 mijë lekë për çdo shtëpi! Kjo është vjedhje e hapur dhe abuzim i hapur që po bëhet ndaj të gjithë komunitetit”, shprehet një banor. Zona në fjalë, ashtu si edhe pjesa më e madhe e komunave të Durrësit, furnizohen me ujë të pijshëm nga Ujësjellësi që merr ujë nga burimi i Fushë Kuqes në Laç. Ekziston vetëm një linjë furnizimi nga stacioni i pompimit në Fushë Kuqe deri në Durrës dhe kjo linjë ka degëzimet e saj në fshatrat, ku kalon tubacioni i Ujësjellësit. Drejtuesit e mëparshëm të ndërmarrjes së Ujësjellës – Kanalizime në Durrës kanë kërkuar që të ketë dy linja paralele për ujin e pijshëm, njëra vetëm për qytetin e Durrësit dhe tjetra për të furnizuar zonat rurale si mënyra e vetme që do të siguronte furnizim të rregullt, por investimet nga kjo ndërmarrje kanë munguar tërësisht ndërsa abuzimet janë bërë hapur në dëm të komunitetit.