Plazhet ilegalë, hije dyshimi për korrupsion

1244
Sigal

Aksioni ishte thjesht mediatik ose presion për privatët. Në vendet publike, pushuesit paguajnë taksën e qëndrimit

Bregdeti i Durrësit, i Shkëmbit të Kavajës dhe Golemi  janë zaptuar nga plazhet privatë dhe nuk gjen asnjë hapësirë publike për pushuesit, me përjashtim të zonave, ku derdhen kanalet e ujërave të zeza në det. Përveç këtyre zonave, në të cilat plazhi është i pamundur për shkak të ndotjes që shkaktojnë kanalet e ujërave të zeza, asnjë pëllëmbë tjetër bregdet nuk ka mbetur i lirë. Dhe sikur të mos mjaftonte zaptimi i të gjitha hapësirave, subjektet e licencuar janë fare pak në raport me hapësirat e zëna.

Situata

Raporti i ndarjes së sipërfaqes së bregdetit sipas vendimit të Këshillit Bashkiak duhet të jetë 40% për publikun dhe 60% për privatin, sepse hotelet dhe subjektet e tjera duhet të kenë plazhe për pushuesit e tyre. Bashkia e Durrësit ka përcaktuar 4 plazhe publikë, përkatësisht tek Apollonia, Hekurudha, Rrota e Kuqe dhe në Iliria, minimalisht me nga 1 mijë metra katror secili. Por aktualisht asnjë plazh nuk është i lirë, por i zënë nga privatët me çadra dhe shezlongë. Pjesa më e madhe aktiviteteve janë ilegalë të paregjistruar e të palicencuar, ndërsa tatimorët e njësive vendore e  ata të Drejtorisë Rajonale ose janë të pafuqishëm për të mbledhur detyrimet, ose janë korruptuar, nga privatët duke i lënë të lulëzojnë në informalitet. Në të gjithë hapësirën bregdetare ushtojnë aktivitetin me qindra subjekte të plazheve privatë, por, të licencuar janë vetëm një numër minimal, çka lë të dyshosh për korrupsion të madh nga ana e inspektorëve vendorë, inspektorëve të Tatim – Taksave dhe Policisë Bashkiake. 100% e sipërfaqes së plazhit në zonën nga Ura e Dajlanit, Përroi i Agait deri në kufi me Golemin është zaptuar nga privatët.

Aksioni

Drejtoria Rajonale Tatimore, në një krah dhe Policia Bashkiake në krahun tjetër, zhvilluan aksione të ndarë, me sekuestro të shezlongëve tek subjektet privatë të palicencuar nga zona e Kallmit e duke u shtrirë në të plazhin e madh të Durrësit, ku janë zënë të gjitha hapësirat publike, e nuk ka asnjë vend të përshtatshëm për të bërë plazh. Objekt i aksionit ishte kontrolli, i subjekteve private, që operojnë në sipërmarrjen plazh privat, ku rezulton se pjesa më madhe e sipërfaqes e konsideruar plazh publik, është  zaptuar forcërisht, ndërsa rreth 90% e të gjithë subjekteve që ushtrojnë aktivitetin, nuk janë të licencuar. Aksionet e kësaj natyre janë mjaft të domosdoshëm sepse lirojnë hapësirat publike për pushuesit, por largojnë edhe subjektet informale, të cilët janë në lulëzim e sipër në këtë sektor.