Vlorë, s’deklaroi pasurinë,Prokuroria çon në gjykatë Anesti Dhimojanin

739
Sigal

VLORË – Prokuroria e Vlorës ka dërguar për gjykim çështjen ndaj Anesti Dhimojani, ish-Kryetarit të Këshillit të Qarkut Vlorë i akuzuar për veprën penale të “refuzimit për deklarim të interesave private”, (deklaratës së pasurisë).

Hetimi ndaj Dhimojanit ka nisur pas kallëzimit të dorëzuar më 29 Gusht të këtij viti nga ana e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI-së. 

Nga hetimi ka rezultuar se Dhimojani nuk ka dorëzuar deklaratën e interesave private ‘Pas largimit nga funksioni”, pavarësisht se ai kishte njoftim zyrtar mbi këtë detyrim dhe fillimisht ndaj tij ishte aplikuar edhe masa administrative “gjobë” për vonesë në deklarim.

Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë marrjes në pyetje të ish-kryetarit të Këshillit të Qarkut Vlorë, ky i fundit ka pranuar se ka qenë në dijeni të masës asministrative, por deklartimin e pasurisë nuk e ka kryer për shkak neglizhence. Por sipas Prokurorisë, kjo nuk përbën shkak për përjashtimin e të pandehurit nga përgjegjësia penale.   

Njoftimi i Prokurorisë Vlorë për çështjen ndaj Anesti Dhimojanit
I pandehuri Anesti Dhimojani ka ushtruar detyrën e Kryetarit të Këshillit të Qarkut Vlorë nga data 01.11.2011 deri në datën 04.06.2014, datë në të cilën është larguar nga kjo detyrë. Bazuar në kërkesat e nenit 3, paragrafi (1), gërma (ç) të ligjit nr.9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar, për shkak të këtij funksioni i pandehuri Anesti Dhimojani ka pasur detyrimin që të dorëzonte deklarimin e interesave private pranë Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, (I.L.D.K.P.K.I) Tiranë.    

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se i pandehuri Anesti Dhimojani nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për deklarimin e interesave private “Periodike Vjetor”, për vitet 2011, 2012 dhe 2013. Po kështu, nuk rezulton që i pandehuri Anesti Dhimojani të ketë përmbushur detyrimin ligjor për të dorëzuar deklaratën e interesave private pas largimit nga funksioni, brënda afatti 15 ditor, sic është parashikuar edhe nga neni 7/1, pika 3 e ligjit nr.9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar.

Lidhur me këto mosveprime I.L.D.K.P.K.I Tiranë, me vendimin me nr.178, datë 29.08.2014 ka vendosur që të marrë masë administrative ndaj të pandehurit Anesti Dhimojani, duke e dënuar atë me gjobë në masën 100.000 lekë. Vendimi i mësipërm i është njoftuar të pandehurit me anë të shërbimit postar dhe i pandehuri ka marrë dijeni për vendosjen e masës administrative.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se edhe pas vendosjes së masës administrative dhe njoftimit të saj i pandehuri Anesti Dhimojani nuk ka dorëzuar në organin kompetent deklarimin e interesave private “Periodike Vjetor”, për vitet 2011, 2012 dhe 2013, si dhe nuk ka dorëzuar interesave private pas largimit nga funksioni.

Në këto rrethana, i pandehuri Anesti Dhimojani akuzohet se ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”, të parashikuar nga neni 257/a/1 i K.Penal.

I pyetur lidhur me akuzën i pandehuri ka shpjeguar se ka dijeni për masën administrative të marrë nga I.L.D.K.P.K.I Tiranë ndaj tij, ka shpjeguar gjithashtu se deklaratat e interesave private periodike vjetore dhe atë pas largimit nga funksioni nuk i ka dorëzuar për shkak të neglizhencës së tij, por jo me ndonjë qëllim për të fshehur ndonjë pasuri. Këto shpjegime nuk përbëjnë shkak për përjashtimin e të pandehurit nga përgjegjësia penale.