Viti i ri shkollor, probleme me librat dhe “eksod” çregjistrimesh

168

Shkollat nisin zbatimin e kurrikulës së re dhe vijojnë mësimin “3 lëndë në 6 orë”. Intervistë me drejtorin e përgjithshëm të arsimit parauniversitar, Selman Hodaj, për suplementin Mapo Arsim: Ja risitë e këtij viti shkollor.

Rreth 380 mije nxënës i drejtohen sot shkollës për të nisur vitin e ri 2019-2020, prej tyre 24 mijë nisin klasën e parë. Këtë vit sipas Ministrisë së Arsimit janë 71 shkolla të rikonstruktuara, por nuk ka akoma shifra për shkollat që janë mbyllur për shkak të lëvizjeve demografike. Si çdo vit para nisjes së vitit të ri shkollor prindërit kanë mbajtur javën që shkoi radhë të gjata për të blerë librat e fëmijëve të tyre. Në kryeqytet u shfaq fenomeni i një eksodi të lartë nxënësish që iknin nga shkollat ku gjuha e parë e huaj ishte frëngjishtja apo italishtja. Këtë eksod ministria e frenoi me një udhëzim të nxjerrë në fund të gushtit.

“Ky vit shkollor do të jetë viti i cilësisë në arsim, me shkolla më të sigurta, me oficer sigurie, godina të reja, stafe të kualifikuara, me shërbim psiko-social, me mësues ndihmës për nxënës me aftësi ndryshe, me tekste bashkëkohore dhe kurrikula të bazuara në kompetenca, të njehsuara me vendet e tjera të BE-së”. Kështu shprehet për Mapo Selman Hodaj, drejtor i arsimit parauniversitar. Hodaj iu përgjigj disa problematikave që kanë të bëjnë me zhvillimin e mësimit dhe fenomenit të çregjistrimeve nga shkollat për shkak të gjuhës së huaj.

Zoti Hodaj, para nisjes së këtij viti të ri shkollor një problem i ri i hasur kryesisht në shkollat e Tiranës ka të bëjë me transferimet e nxënësve.

Udhëzimi i datës 28 gusht që mban firmën e dy ministrive, arsimit dhe ekonomisë, nuk u lë hapësirë prindërve që të ndryshojnë shkollën dhe gjuhën e huaj të cilën kanë pasur që në klasën e 3 fëmijët e tyre.

A erdhi ky udhëzim si pasojë e një ‘eksodi’ të nxënësve nga gjuhë si frëngjishtja apo italishtja dhe si do t’i përgjigjet shteti ndjeshmërisë së prindërve dhe fëmijëve që duan të zgjedhin gjuhën që u përshtatet atyre për të ardhmen? Pse gjuha e huaj duhet të jetë një detyrim?

Në mbështetje të parimit të shumëgjuhësisë dhe shumëkulturave si një domosdoshmëri për formimin e një gjenerate të përfshirë në zhvillimet europiane dhe botëroreinstitucionet arsimore ofrojnë dy gjuhë të huaja, njërën si gjuhë e huaj e parë dhe një tjetër si gjuhë e huaj e dytë.

Si gjuhë të huaj të parë nxënësit mund të studiojnë gjuhë të ndryshme anglisht, italisht, frëngjisht ose gjermanisht. Udhëzimi përbashkët ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë Nr.18, datë 20.08.2019, në pikën c, të germës 2 citohet tekstualisht “Për sigurimin e vijimësisë së gjuhës së huaj: Institucionet arsimore Vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar dhe drejtoritë e shkollave të sigurojnë vijimësinë e gjuhës së huaj të parë, të nisur në klasën e 3-të të arsimit fillor dhe të gjuhës së huaj të 2-të, të nisur në klasën e 6-të, pavarësisht planit mësimor me të cilin punohet.

Edhe në rastet e transferimeve, të ruhet vijimësia e gjuhës së huaj të parë dhe të dytë nga arsimi bazë në arsimin e mesëm të lartë dhe atë profesional.Informojmë sevijueshmëria e gjuhëve të huaja është zbatuar prej disa vitesh në institucionet e arsimit parauniversitar. Vijueshmëria e gjuhës ruhet gjatë gjithë periudhës së shkollimit ndaj dhe është në interesin publik veçanërisht të lëvizjeve të nxënësve që ndërrojnë vendbanimin që shkollat të respektojnë integrimin e gjuhëve të ndryshme të huaja si gjuhë e parë dhe gjuhë e dytë.

Është detyrim i drejtorit të institucionit arsimor të informojë komunitetin e prindërve duke filluar që nga prindërit e nxënësve të klasave të parapër gjuhët që ofron shkolla për nxënësit e saj. Kurrikula me kompetenca krijon kushte që nxënësit që fillojnë si gjuhën e huaj të parë dhe atë të dytë në përfundim të ciklit të studimit në klasën e 12-të të arrijnë nivele të larta gjuhësore përkatësisht B2 dhe B1 sipas Dokumentit Evropian Kuadri i Përbashkët i Referencave për Gjuhët.

Në rastin e lëvizjeve demografike apo të ndryshimit të vendbanimeve zbatimi me rigoroziteti këtij udhëzimi lehtëson gjetjen e shkollave me disa gjuhë të huaja dhe mundësinë për t’i vazhduar ato deri në përfundim të ciklit pa ndërprerje.

Misioni i sistemit arsimor është të ndërgjegjësojë individin se studimi i gjuhëve të huaja të ndryshme është një vlerë dhe pasuri pa veçuar as njërën apo tjetrën dhe ky diversitet gjuhësh ofron shanse të shumta për nxënësit, shkollimin apo përfshirjen e tyre në tregun e punës në vend apo në botë.

Ministrja Shahini tha se këtë vit do të nisë në gjithë vendin zbatimi i kurrikulës së re, çfarë parashikon kjo kurrikul? A keni bërë ju një studim mbi efektshmërinë e kurrikulës së re?

Kurrikula e re synon të ndërtojë dhe të zhvillojë te nxënësit kompetenca, të cilat janë të domosdoshme për jetën dhe për tregun e punës. Kjo do të thotë që shkolla do t’i pajisë nxënësit me njohuri, aftësi, vlera dhe qëndrime, të cilat do t’i ndihmojnë ata që të përshtaten në botën e sotme digjitale, të menaxhojnë ndryshimet dhe situatat e reja, si dhe të nxënë gjatë gjithë jetës.

Kurrikula me bazë kompetencat është në koherencë me zhvillimet e reja arsimore në Europë dhe me gjerë.

A ka patur probleme në zbatim?

Ndryshimet në arsim shoqërohen me pasiguri dhe skepticizëm. Megjithatë mësuesit kanë patur dhe do të kenë gjithmonë mbështetjen e nevojshme gjatë procesit të zbatimit të kurrikulës së re. Gjatë këtij procesi:

• Janë trajnuar të gjithë mësuesit dhe drejtuesit e arsimit parauniversitar për të gjithë komponentët e kurrikulës së re, pra për programet mësimore, planifikimin e mësuesit dhe vlerësimin e nxënësit.

• Janë hartuar programe mësimore sipas kurrikulës së re, jo vetëm për shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet, por edhe për shkollat me kohë të shkurtuar, për nxënësit e pakicave kombëtare, për arsimin e mesëm të orientuar dhe profesional.

• Janë hartuar materiale burimore në ndihmë të mësuesve gjatë zbatimit të kurrikulës së re, si p.sh.: materiale shpjeguese, udhëzues për zbatimin e kurrikulës, udhëzues kurrikularë lëndorë për çdo cikël arsimor etj.

• Janë pajisur nxënësit me tekste të reja shkollore, të cilat i janë nënshtruar një procesi konkurrimi, vlerësimi dhe certifikimi të bazuar në standarde bashkëkohore. Tekstet e matematikës dhe të shkencave të natyrës janë përshtatje e teksteve nga shtëpi botuese prestigjioze si Oxford, Cambridge, Pearson.

• Janë zhvilluar takime të vazhdueshme dhe është bashkëpunuar me të gjitha institucionet arsimore vendore për të mbështetur zbatimin e kurrikulës së re.

• Janë hartuar materiale informuese për prindërit për kurrikulën e re.

• Janë hartuar programe orientuese për të udhëzuar nxënësit dhe mësuesit për të gjithë provimet kombëtare (V, IX dhe XII), si dhe udhëzues për të orientuar maturantët për zgjedhjet në IAL.


Vështirësi ka pasur kryesisht për vlerësimin e nxënësit, pasi me kurrikulën e re synimi kryesor është motivimi dhe përmirësimi i rezultateve të nxënësit dhe jo thjesht vënia e një note. Për të ndërgjegjësuar dhe mbështetur mësuesit në lidhje me këtë filozofi vlerësimi vijojnë trajnimet dhe veprimtari të tjera kualifikuese.

Zbatimi ikurrikulës së re nuk ka ngarkuar mësuesin me dokumentacion shtesë.

Vlerësimi i kurrikulës së re:

Vlerësim i brendshëm

Zbatimi i kurrikulës me bazë kompetencat është një proces i vazhdueshëm dhe kompleks që kërkon vëmendje, vlerësim dhe mbështetje të vazhduar nga hartuesit e kurrikulës. Për këtë arsye ASCAP ka ndërmarrë një proces vlerësimi të kurrikulës së arsimit bazë, i cili synon:

• Mbështetjen dhe këshillimin e vazhdueshëm të mësuesve dhe drejtuesve.

• Evidentimin e përvojave pozitive dhe shpërndarjen e këtyre përvojave.

• Identifikimin e problematikave që dalin përgjatë zbatimit të kurrikulës dhe përcaktimin e strategjive për përmirësimin e tyre.

Gjatë këtij procesi, specialistët kanë bërë vëzhgime të orëve mësimore në shkolla nga gjithë rajonet e vendit, kanë zhvilluar takime me drejtues, mësues, nxënës dhe prindër. Sugjerimet e tyre janë reflektuar në materialet kurrikulare. Po kështu janë zhvilluar pyetësorë (hardcopy dhe googleform) me mësues dhe drejtues në të gjitha shkollat e vendit.

Aktualisht ASCAP është në fazën e përpunimit të pyetësorëve dhe të hartimit të një raporti përfundimtar për vlerësimin e kurrikulës së arsimit bazë. Puna do të vijojë me vlerësimin e kurrikulës së arsimit të mesëm, me analiza të rezultateve të nxënësve në provimet kombëtare të arsimit bazë dhe të maturës shtetërore, si dhe të PISA-s.

Vlerësim i jashtëm

Vlerësim i kurrikulës së re është bërë nga UNESCO (2017) dhe UNICEF (2018).

Sugjerimet e tyre janë kryesisht për hartimin e materialeve mbështetëse, përdorimin e burimeve alternative për të përkrahur kurrikulën e re, zhvillimin profesional të mësuesit, mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta dhe përmirësimin e infrastrukturës në shkolla. Këto sugjerime janë reflektuar, pasi janë hartuar udhëzues lëndorë kurrikularë, udhëzues për përzgjedhjen e teksteve, janë emëruar dhe trajnuar mësues ndihmës për nxënësit me nevoja të veçanta etj.

Pse rezultoi pa sukses një tentativë e ministres së mëparshme Nikolla për të bashkuar orët e mësimit të një lënde si tentativë për të ulur ngarkesën e librave në çantë? Shumë ekspertë të arsimit i kritikojnë këto eksperimente sidomos kur ato bëhen në mes të vitit shkollor?

Së pari, nuk jam dakord me togfjalëshin rezultoi pa sukses. Përkundrazi kjo nismë rezultoi e suksesshme.

Nisma “3 lëndë në 6 orë”, ishte nisma e duhur, sepse reformat e 2013 që përfshinë aktualisht arsimin parauniversitar, në lidhje me kurrikulën, mësimdhënien, vlerësimin e nxënësve, kërkonin ndryshime të cilat duhet të mbështetnin dhe lehtësonin zbatimin e këtyre reformave, por që njëkohësisht të siguronin cilësinë e arritjeve në këtë proçes.
Kjo nismë u realizua gjatë vitit shkollor, por siç dihet zbatimi i kurrikulës së re në shkolla ndahet në tri periudha jo semestra.

Këto janë periudha reflektimi për mësuesit dhe për nxënësit për të reflektuar mbi punën dhe rezultatet e tyre, si dhe për të përcaktuar rrugët për përmirësimin e tyre në të ardhmen. Kjo nismë nuk solli asnjë ndryshim as në programin mësimor dhe as në ngarkesën javore të mësuesve. Ora e parë është aftësi, ora e dytë është zbatim, nuk ka të bëjë me ndryshim të programit mësimor, por afri tematike, duke grupuar tema që lidhen me njëra- tjetrën.

Për t’i ardhur në ndihmë mësuesve menjëherë pas daljes së urdhrit, specialistët e kurrikulës pranë IZHA(sot ASCAP) dhe Drejtorive Arsimore Rajonale (sot ZVAP) trajnuan për zbatimin e udhëzuesit, të gjithë drejtuesit e shkollave publike dhe privatedhe të gjithë drejtuesit e rrjeteve profesionale sipas lëndëve.

Gjithashtu në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar, u zhvilluan seanca informuese me të gjithë nxënësit dhe prindërit për qëllimet dhe përfitimet e kësaj nisme.
Specialistët e kurrikulës në IZHA (sot ASCAP) në bashkëpunim me specialistët e kurrikulës pranë Dar-eve (sot ZVAP) përgatitën një set ndihmës për mësuesit me përvojat më të mira nga e gjithë Shqipëria për planifikimin e periudhave sipas lëndëve, planifikimin ditor dhe përdorimin e metodave të mësimdhënies në orën 45+45 minuta.
Është bërë traditë tashmë prej disa vitesh organizimi i orëve të hapura nga të gjithë mësuesit në lëndë të ndryshme me pjesëmarrjen edhe të prindërve.

• Në këto orë mësimore prindërit madje dhe ata skeptikë pranuan që organizimi i mësimit 45+45 minuta për një lëndë ishte një mënyrë organizimi që duhet të ishte zbatuar më parë sepse, përdorimi i metodave të ndryshme interaktive nga mësuesit sjell asimilimin e njohurive që në klasë nga nxënësit, ata kanë më shumë kohë në dispozicion për t’u thelluar në një lëndë të vetme, kanë mundësi të përvetësojnë dhe të përpunojnë më mirë informacionin e ri.

• Por shumë të kënaqur ata janë shprehur pas përfundimit të tremujorit të dytë ku rezultatet e fëmijëve të tyre nuk ndryshonin, pra, fëmijët nuk kishin rënie nga mësimet edhe pse pasditet e tyre ishin më të lira.

Gjithashtu nga informacionet që ne kemi, me anë të takimeve, pyetësorëve komunikimeve të ndryshme, prindërit e kanë përkrahur këtë nismë sepse:

• ndiejnë lehtësinë e fëmijëve në uljen e ngarkesës në shtëpi për përgatitjen për të nesërmen duke vlerësuar faktin që fëmijët përqendrohen më mirë në dy ose tre lëndë kjo e shoqëruar me uljen e nivelit të stresit tek ata që sillte përgatitja për 6 lëndë.

• nevoja e pranisë së tyre për ndihmën e fëmijëve për detyra apo projekte bëhet më pak e nevojshme pasi këto konsumohen brenda orës së mësimit dhe me ndihmën e mësuesit.

• janë më të informuar për nivelin e njohurive të fëmijës të tyre, si rezultat i vlerësimit më të shpeshtë të tij.

• bëhet më i thjeshtë kontrolli ditor i fëmijëve të tyre për detyrat e shtëpisë.

• çantat janë më të lehta një problem që deri tani ishte mjaft shqetësues për fëmijët.
Pozitivisht për zbatimin e nismës “3 lëndë 6 orë” janë shprehur nxënësit edhe mësuesit.

• Përgatitja e mësuesit është më e fokusuar dhe më e përmbledhur në përdorimin e metodave me në qendër nxënësit që nxisin të menduarin kritik të cilat janë efektive në procesin e mësimnxënies.

• Mësuesi identifikon më mirë nevojat e nxënësve dhe krijon hapësirë të ripunoj njohuritë e paqarta.

• Mësuesi i lë fushë të lirë edhe nxënësit të kërkojë vetë, të reagojë për situata të ndryshme e nxit në punët krijuese, duke siguruar gjithëpërfshirjen e tyre.

• Në lëndët me orë eksperimentale (kimi, fizikë, biologji, Tik) nxënësit nuk mbeten brenda kornizës teorike por kanë hapësirë edhe për të aplikuar në praktikë.

• Do të përgatiten për një numër më të kufizuar lëndësh dhe do të kenë më shumë kohë dhe mundësi për t’u angazhuar në aktivitete të tjera (lexim, veprimtari sportive, artistike, mësimin e gjuhëve të huaja etj.).

A do të vijojë kjo praktikë këtë vit?

Patjetër që po, pasi jo vetëm që është pjesë e Udhëzimeve të MASR, por është pritur pozitivisht dhe përkrahur si një nismë frutdhënëse nganxënësit, prindërit dhe mësuesit.
Duhet vetëm menaxhim, planifikim, pasion, dashuri për veten, profesionin e mbi të gjitha për fëmijët.

Dhe e fundit, zoti Hodaj po me datë 16 shtator shpallen dhe fituesit në konkursin e mësuesve në portalin e mësuesit, a besoni se kjo praktikë punësimi ka funksionuar dhe ka arritur të zgjedhë mësuesit më të kualifikuar? A keni akoma probleme me punësime nepotike apo politike të mësuesve në drejtoritë arsimore?

Portali “Mësues për Shqipërinë”, u realizua sipas përcaktimeve të Udhëzimit Nr.13, datë 22.05.2019 “Për proçedurat e pranimit e të emërimit të mësuesit në një vend të lirë pune në institucionet arsimore publike të arsimit parauniversitar dhe për administrimin e portalit “Mësues për Shqipërinë” të MASR. Në këtë Portal morën pjesë rreth 6600 aplikantë nga të cilët rreth 4800 morën pjesë në testimin e informatizuar, rreth 1800 mbartën pikët duke qenë pjesë e Portalit “Mësues për Shqipërinë” 2018.

Ishte një proçes i vështirë që kërkoi shumë energji dhe vëmendje të posaçme, por ia dolëm ta realizojmë me sukses dhe ajo që është më shumë e rëndësishme në transparencë të plotë dhe duke i dhënë shansin çdo aplikanti.

Nën përgjegjësinë time të plotë dhe stafit që unë drejtoj garantoj çdo mësues që me meritë ka fituar një vend pune që askush nuk do të mund të përfshihet në sistemin arsimor për të deformuar këtë proçes, kush do të guxojë do të ndëshkohet dhe sigurisht do t’i rikthehet e drejta.

Ky vit shkollor do të jetë viti i cilësisë në arsim, me shkolla më të sigurta, me oficer sigurie, godina të reja, stafe të kualifikuara, me shërbim psiko-social, me mësues ndihmës për nxënës me aftësi ndryshe, me tekste bashkëkohore dhe kurrikula të bazuara në kompetenca, të njehsuara me vendet e tjera të BE-së.

Mbetet angazhimi ynë që të bëjmë kthesën e madhe të merituar në historinë tonë të arsimit. Çdo nxënësi, mësuesi, prindi dhe gjithë komunitetit i uroj me zemër Gëzuar Vitin e Ri Shkollor 2019-2020. Suksese dhe fat për të gjithë. Atdheut duhet t’i japim atë që meriton.