Vitet e burgut që rrezikojnë Gjiknuri dhe Hicka

631
(Vijon nga numri i kaluar)
II. Nga vlerësimi i pasqyrave financiare (të publikuara) të shoqërisë CEZ, konstatohet që CEZ a.s, Pragë dhe drejtuesit në Tiranë nëpërmjet keqmenaxhimit e ka çuar shoqërinë drejt një situate falimenti, fakt që lexohet nga rënia e vazhdueshme në vlerë e kapitalit neto të shoqërisë (kapital aksionar + humbje) duke rezultuar një vlerë kapitali neto negative që në fundin e vitit 2011. Kapitali negativ nënkupton se shoqërisë i janë shkaktuar humbje në atë nivel që tejkalon çdo pagesë të bërë për aksionet e saj nga investitorët. Ekzistenca e një kapitali neto negativ “është një tregues i fortë i falimentimit të pashmangshëm dhe kështu duhet konsideruar si një sinjal paralajmërues për çdo analist të thjeshtë financiar”. Megjithëse është konstatuar një kapital neto negativ që në fund të vitit 2011, nga shoqëria CEZ a.s, Pragë, nuk janë marrë masa për të frenuar këtë fenomen por është lejuar që situta të vijoj të degradojë. Keqmenaxhimi është i lexueshëm, mjafton të analizojmë që humbja e llogaritur në fund të vitit 2012, është sa niveli i humbjes së akumuluar gjatë gjithë viteve të aktivitetit të shoqërisë, kështu humbja e vitit 2012 arriti në rreth 38 miliardë lekë nga 35 miliardë lekë që është niveli i akumuluar ndër vite. Po të shikojmë pozicionin e kapitalit neto mund të duket qartë se vlera e kapitalit të vet neto nga 188 milionë euro që ishte në fund të vitit 2008, ka arritur në (-284 milionë euro) në fund të vitit 2012. Zërat e kapitalit aksioner dhe rezervës nuk kanë ndryshime në vite kështu që rënia është vetëm efekt i humbjeve të cilat në fund të 2012 arritën në vlerën 72,7 miliardë lekë nga 7 miliardë lekë që ishin në momentin e ndryshimit të pronësisë. Megjithëse verifikohet rritja e humbjes me 66 miliardë lekë (472 milionë euro) nga Grupi i Punës nuk është dokumentuar asnjë pretendim i tillë, duke i lënë në këtë mënyrë Shtetit Shqiptar detyrimin për të paguar për keqmenaxhimin në vite të realizuar nga administratorët e emëruar nga CEZ a.s, Pragë, për kompaninë që privatizoi nën statusin e investitorit strategjik në fillim të 2009. 
Shoqëria CEZ në kushtet e falimentimit
Situata e verifikuar ku shoqëria CEZ, jo vetëm ka një kapital neto negativ por është edhe në kushtet e paaftësisë për të paguar detyrimet ndaj furnitorëve të cilat janë rritur ndjeshëm gjatë vitit 2012, tregon se shoqëria ishte në kushtet e falimentit. Nëse do të shkonte në likujdim, nga shoqëria CEZ a.s, nuk do të ishte rikuperuar ndonjë pjesë nga shuma e investuar, ndërkohë që me marrëveshjen e lidhur, risku i falimentit i ka kaluar i gjithi Shtetit Shqiptar, i cili edhe pagoi për të marrë këtë risk. Pra jo vetëm u trashëgua një shoqëri e falimentuar por paguam edhe para për të marrë përsipër humbjet dhe borxhet e trashëguara. Ajo që konstatohet nga pasqyrat financiare është mungesa e kapitalit qarkullues, pra marrëveshja ka marr përsipër të mbulojë diferencën e kapitalit qarkullues që do të përbëj një dëm të konsiderueshëm për financat e shoqërisë në të ardhmen (diferenca midis detyrimeve të njohura dhe të drejtave të pranuara bazuar në pasqyrat financiare arrijnë në vlerën e rreth 49 miliardë lekë) ose 352 milionë euro, vlerë ku përfshihen edhe faturat e blerjes së energjisë dhe tarifave të transmetimit nga KESH dhe OST respektivisht për periudhën deri 31 dhjetor 2012, pasqyrohen në aneksin 11.1 dhe 11.2. ku totalizohet në një nivel 41,198,699,479 lekë bashkë me interesat ose 294 milionë euro. Konstatohet një regjim trajtimi me standarde të dyfishta duke favorizuar shoqërinë CEZ a.s dhe shoqëritë bija të krijuara në Shqipëri (CEZ Trade dhe CEZ Albania), duke njohur dhe likuiduar detyrimet e këtyre shoqërive dhe duke lënë me statusin debitor detyrimet e shoqërive anonime shtetërore KESH dhe OST të cilat kanë dhe nivelin më të lartë të detyrimeve të marra përsipër nga shteti nën këtë marrëveshje. Keqmenaxhimin financiar të shoqërisë nën administrimin e CEZ a.s, e theksojnë edhekontratat e lidhura me shoqëri të ndryshme të mbledhjes së borxhit të cilat rezultojnë të kenë realizuar një faturim në vlerën 621 milionë lekë sipas pasqyrave të siguruara nga eksperti i kontraktuar nga shteti ose 4.4 milionë euro, kontrata në të cilat nivelet e tarifave të shërbimit konstatohet të variojnë nga 28% deri 50% të shumës së borxhit të mbledhur, kur është e vërtetueshme që tarifat normale të shërbimit të përmbarimit privat në Shqipëri janë ndërmejt 2-6% të borxheve mbi 500,000 lekë.
Zhvlerësimi i 44% aksione të shtetit
III. Është fakt që CEZ a.s, ka paguar 102 milionë euro për të kontrolluar 76% të paketës së operatorit të shpërndarjes në fillim të vitit 2009, moment kur vlera e 24% të aksioneve të shteti shqiptar ishte 32 milionë euro. Për shkak të keqmanaxhimit por edhe të pranimit pa kushte të situatës së falimentit të shkaktuar kryesisht nga vetë pala çeke, shtetit i është shkaktuar një dëm i madh nga zhvlerësimi në 0 i vlerës së tregtueshme të 24% të paketës së aksioneve të zotëruara nga ai. Ky fakt nuk merret në konsideratë nga grupi negociator i kryesuar nga Z.Damian Gjiknuri, Ministër i Energjetikës dhe Industrisë, megjithëse është theksuar me të drejtë nga eksperti në raportin e tij, kur shprehet se “Qeveria e Shqipërisë mund të ngrejë kundër CEZ a.s, për zvogëlimin në vlerë të 24% të saj të aksioneve në CEZ sh.a. Ky pretendim do të ishte për diferencën ndërmjet vlerës së aksioneve të Qeverisë Shqiptare gjatë privatizimit dhe vlerës së aksioneve të saj më 21 janar 2013”. 
Por nuk kemi vetëm kostot e përmendura më sipër, të cilat janë tërësisht të vlerësuara nga eksperti dhe për të cilat Grupi ka djeni të plotë por theksohet edhe ekzistenca e pretendimeve (kosto shtesë) të tjera të cilat do të kishin kërkuar një vlerësim më të kujdesshëm dhe të saktësuara përpara përmbylljes së negociatave.
Shkeljet e grupi qeveritar me palën çeke
Një moment tjetër i rëndësishëm, i cili ka kaluar pa u vënë re dhe trajtuar nga Grupi i Punës, është kosto oportune, për ta normalizuar situatën e verifikuar. Në referencë të raportit teknik i cili posedohej nga Grupi i Punës, që në datën 10.02.2014, theksohet domosdoshmëria e një kostoje shtesë të nevojshme për shkak të mungesës së investimeve të programuara, nivelit të humbjeve mjaft të rritur (46, 38%) dhe borxheve që kanë kapur maksimumin e tyre përgjatë periudhës së zotërimit nga CEZ a.s, do të favorizohen çmime tarifore shumë më të larta për konsumatorët, pra kosto oportune për të rivitalizuar sistemin dhe normalizimin e treguesve financiar të shoqërisë, tashmë në kushte falimenti, kosto e cila sipas ekspertit bazuar në një vlerësim institucional arrin në nivelet 185 miliardë lekë deri në 218 miliardë lekë Nga përcaktimet e bëra në marrëveshje, pala shqiptare paraqitet tërësisht në kushte jo të barabarta, madje në pozita tepër inferiore dhe të disfavorshme karshi CEZ a.s, duke e favorizuar atë në çdo aspekt, pretendim, dëmshpërblim, përgjegjësi, duke përdorur standarde të dyfishta për të njëjtën çështje madje dhe në çdo risk të mundshëm hipotetik që mund ti vijë kësaj kompanie në të ardhmen. Fakti që në marrëveshje nuk janë evidentuar dhe nuk janë përfshirë asnjë prej pretendimeve të mëparshme të Shtetit Shqiptar si dhe dëmet e konstatuara dhe evidentuara si nga institucionet e ndryshme shtetërore ashtu edhe nga ekspertët ndërkombëtar të kontraktuar nga Shteti, tregon që nga ana e grupit të negocimit nuk është ngritur asnjë pretendim dhe nuk është negociuar asnjë detyrim i CEZ a.s kundrejt Shtetit Shqiptar. 
Mbledhjet negociuese pa asnjë procesverbal
Nga auditimi rezultoi që nga ana e Kryetarit të Grupit të Punës dhe vetë Grupi i Punës i caktuar për negocimin e marrëveshjes së mirëkuptimit, nuk është dokumentuar asgjë në lidhje me mbledhjet e zhvilluara ndërmjet anëtarëve të tij (diskutimet apo vendimet që mund të jenë marrë gjatë periudhës së negocimit në lidhje me pretendimet e palës shqiptare apo CEZ a.s), si dhe takimet negociuese të zhvilluara me CEZ a.s (pretendimet e ngritura nga pala shqiptare, mbrojtja dhe negocimi i tyre), detyrime këto të mirëpërcaktuara në nenin 16 dhe 17 të Ligjit nr. 8480, datë 27.05.1999 “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”, si dhe në pikën 2 dhe 5 të Urdhërit të Kryeministrit, nr. 228, datë 02.12.2013 “Për përcaktimin e përbërjes së Grupit të Punës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë CEZ a.s”.Për rrjedhojë, në kushtet kur ky grup negocimi, nuk ka dokumentuar asgjë në lidhje me punën dhe negociatat e zhvilluara prej tij me CEZ a.s, (duke vepruar kështu në kundërshtim me kërkesat e Urdhërit nr. 228, datë 02.11.2013 në bazë të të cilit duhet të kishin përcaktuar strategjinë dhe platformën e negocimit si dhe të administronin dokumentacionin e negocimit), vihet në diskutim serioz puna dhe mbrojtja që ky grup i ka bërë (për rreth 6 muaj) interesave dhe pretendimeve të Shtetit Shqiptar, çka identifikohet fare qartë edhe në vetë përmbajtjen e Marrëveshjes së Zgjidhjes me Mirëkuptim të nënshkruar prej tij. Për më tepër, siç evidentohet edhe në pikat e sipërcituara të marrëveshjes, pala shqiptare ka rënë dakord që të marrë një kompani të zotëruar më parë 100 % nga vetë shteti shqiptar, pa asnjë dokumentacion në lidhje me shoqërinë CEZ sh.a, për periudhën e administrimit të kësaj shoqërie nga CEZ a.s, çka normalisht i shërben vetëm një qëllimi, atij të fshehjes apo mbulimit të provave në lidhje me keqmenaxhimin disa vjeçar të kompanisë CEZ sh.a, çuarjen me dashje të kësaj kompanie drejt falimentimit, destinacionin e vërtetë të huave dhe vlerave të tjera monetare të shpenzuara në CEZ sh.a. apo në kompanitë e tjera CEZ Trade apo CEZ Albania, madje edhe përgjegjësisë penale të ish-administratorëve të CEZ Shpërndarje sh.a, apo çdo punonjësi dhe ish-punonjësi të kësaj kompanie.
Përfundime të raportit të KLSH
Në përfundim, kemi konkluduar se, me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje Mirëkuptimi Shtetit Shqiptar i është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 479 milionë euro, si pasojë e veprimtarisë dhe vendimmarrjes së vetë Grupit të Punës, i cili nëpërmjet Kryetarit të tij Gjiknuri i ka relatuar Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit miratimin e kësaj marrëveshje, pa pasur dokumente të shkruar mbi këtë vendimarrje të palës shqiptare, që do të reflektonin ecurinë e negociatave. Po kështu Avokati i Përgjithshëm i Shtetit ka patur detyrimin dhe përgjegjësinë e veçantë që jo vetëm të mos nënshkruante një marrëveshjeje tërësisht të disfavorshme dhe në shpërfillje të plotë të pretendimeve dhe interesave të Shtetit Shqiptar por edhe të paralajmëronte dhe informonte edhe anëtarët e tjerë të Grupit të Punës, në lidhje me të gjitha ato përcaktime në marrëveshje në të cilat rrezikoheshin qartazi interesat e ligjshme të Shtetit Shqiptar. Veprimet dhe mos veprimet e Grupit të Punës kanë bërë zero të gjitha pretendimet për detyrimet që CEZ a.s, i detyrohej palës shqiptare duke mos mbrojtur kështu interesat e Shtetit Shqiptar, ndërmjet mungesës së ballafaqimeve të fakteve në favor të shtetit, dhe duke përdorur standarde të dyfishta në vendimmarrje.
Historia e lidhjes dhe e prishjes së kontratës me CEZ Pragë
Më datë 11.03.2009 është nënshkruar kontrata e shitjes së 76% të aksioneve midis Ministrisë së Ekonomisë dhe Tregtisë dhe Energjetikës si shitës i aksioneve dhe CEZ a.s, si blerës dhe investitor strategjik. Pas problematikave të vazhdueshme disa vjeçare, ERE me shkresën nr. 281/11, datë 11.04.2012, ka njoftuar fillimin e një procesi të gjerë monitorimi të gjendjes financiare të shoqërisë CEZ Shpërndarje sh.a. Në përfundim të këtij procesi, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) me Vendimin nr. 4 dhe nr. 5 datë 21.1.2013, ka mbajtur qëndrimin se shoqëria CEZ Shpërndarje sh.a. është në shkelje të kushteve të licensave RPS dhe DSO, për këtë shkak, ka vendosur heqjen e licencave të mësipërme dhe kalimin e shoqërisë CEZ, në administrim të përkohshëm. Më datë 15.05.2013 shoqëria CEZ a.s, Pragë, pas heqjes së liçencave dhe vendosjes së shoqërisë nën administrim të përkohshëm, paditi e para Republikën e Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit UNCITRAL, duke ngritur një sërë pretendimesh ligjore dhe financiare. METE më datë 04.09.2013, ka përzgjedhur shoqërinë BDO LLP si ekspert financiar për të bërë vlerësimin financiar të pretendimeve të lidhura me CEZ a.s, dhe lidhi kontratën me këtë shoqëri në datën 29.08.2013 në vlerë 40 milionë lekë. METE, ka realizuar proçedurën e prokurimit për shërbimin e vlerësimit të humbjeve teknike, më datë 30.05.2013 duke përzgjedhur si fitues shoqërinë BBH Berlin dhe lidhi kontratën me këtë shoqëri më datë 25.11.2013 në vlerë 23 milionë lekë. Grupi i Punës që në muajin shkurt 2014, kishte në dispozicion raportin e vlerësimit të Ekspertit Financiar Ndërkombëtar BDO LLP. Strategjia e ndërtuar për t’u përballur me çështjen gjyqësore të hapur nga CEZ a.s ndaj Shtetit Shqiptar si dhe veprimet e institucioneve shtetërore morën drejtim tjetër, pasi me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 969 datë 25.10.2013 është vendosur të ngrihet Grupi i Punës dhe fillimi i proçedurave të negociatave për zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet RSH dhe shoqërisë CEZ a.s. Grupi i Punës u nominua me emra konkretë në Urdhërin nr. 228 në 2.12.2013 të Kryeministrit (Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj, Shkëlqim Cani, Ëngjëll Agaci, Alma Hicka, Koli Bele, Entela Cipa, Arian Hoxha, Vilma Causholli, Ergys Cirici, Armer Juka), pasuar me një Urdhër të mëvonshëm nr.181 datë 18.06.2014 i cili angazhonte në përbërje të Grupit të Punës dhe përfaqësuesit e OST, KESH dhe CEZ (Ëngjëll Zeqo, Agron Hetoja dhe Arben Seferaj). Grupi negociator do të kryesohej nga Damian Gjiknuri. Këto proçedura kanë përfunduar me nënshkrimin e Marrëveshjes me Mirëkuptim nga Grupi i Punës më 23.06.2014, përcjelljen në Këshillin e Ministrave dhe miratimin e saj me Ligjin nr. 114/2014 datë 31.07.2014. Pas zhvillimit të një sërë takimeve negociuese për rreth 6 muaj, në zyrat e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Grupi i Punës, me Vendimin nr. 2, datë 19.06.2014, ka miratuar marrëveshjen e arritur me CEZ a.s, duke autorizuar për përfaqësim në nënshkrimin e marrëveshjes një grup më të vogël të përbërë nga pesë anëtarë, në përbërje të të cilit ishin edhe Damian Gjiknuri (Ministër i MEI) dhe Alma Hicka (Avokat i Përgjithshëm i ASH). Më datë 23.06.2014, grupi i mësipërm përfaqësimit nënshkroi Marrëveshjen e Zgjidhjes me Mirëkuptim, e cila më pas u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë me Ligjin nr. 114/2014 “Për miratimin e marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ, a.s”.
Sigal