Zhgënjehen socialistët nga keqqeverisja e Rilindjes, vjen dita të shpërthejnë zemërimin

466
Kambana e pakënaqësisë nga keqqeverisja, jo vetëm e popullit, por edhe e elektoratit socialist, për qeverisjen e Rilindjes, e cila u dha në zgjedhjet e 21 qershorit 2015, me humbjen e 15 % elektorat, ose me 311.321 vota më pak nga zgjedhjet e 2013, siç duket nuk u dëgjuan nga kryetari i PS dhe kryeministri Edi Rama, i cili jeton në kullën e fildishtë të euforisë të pushtetit, dhe realitetin e njeh vetëm nga informacionet që i përcjellin të shumëbesuarit e tij, Ruçi, Balla dhe 2-3 eksponentë të tjerë, të cilët i ka cilësuar si koordinatorë të tij me qarqet. Ka më se 4-5 vjet që vetë Partia Socialiste si organizëm, si institucion ka pushuar së funksionuari, derisa nuk mblidhet dhe vepron asnjë forum i partisë, derisa edhe vendimmarrjet merren nga një grup i vogël të mirëbesuarit e kryetarit të PS dhe kryeministrit, ndërsa të tjerët, ata që janë emëruar nëpër forumet e tjera të partisë, janë të detyruar vetëm të zbatojnë verbalisht urdhrat. 

Socialisti Edmond Yzeiri: Nuk shikojmë dritë jeshile nga qeveria. Do shpërthejë zemërimi ynë

Deputetët, të cilët premtuan shumë gjatë fushatës zgjedhore parlamentare të 2013 në elektoratin e tyre, tashmë, në këto 2 vjet qeverisjeje të Rilindjes janë “zhdukur, nuk dalin më asnjë ditë të takojnë njerëzit që u dhanë votëbesimin, premtimet u harruan, ndërsa socialistët thjesht po zhgënjehen duke pritur. Ja një shpërthim-reagimi zhgënjyes i Edmond Yzeirit, një prej socialistëve të ditëve të para në qytetin e Fierit. “Edmond Yzeiri: Kam 23 vite që kontribuoj për PS e këtë qeveri e asnjë dritë jeshile nuk po shikojmë. Ku është ai kryetar partie, ku është ai deputet, që tha se kontributi ynë do vlerësohet? Çfarë presin këta? Shpërthimin tonë? Një ditë do të vijë!
Si Edmondi, që kontribuon në PS 23 vjet, janë me mijëra, janë ata 311.321 votues që nuk ia dhanë më votën PS në zgjedhjet e 21 qershorit 2015, sepse qeveria e Rilindjes, në këto 2 vjet nuk u njohu kontributin socialistëve të vërtetë, derisa në administratën publike emërimet i bëjnë të “fortit” e PS, dhe kriteret janë ato, që emërohen në postet më të larta të administratës publike njerëz që nuk kanë lidhje fare me PS, por kanë lidhje të dyshimta me deputetë të PS, janë emëruar njerëz që blejnë “besimin” e deputetëve të PS, duke injoruar haptazi socialistët me kontribute. Qeveria e Rilindjes në 2 vjetët e qeverisjes nuk mbajti asnjë premtim, për punësim, për ndihmesa sociale, për taksat, për nxitjen e biznesit, për drejtësi sociale, për meritokracinë e emërimeve. Dhe më kryesorja: Qeveria e Rilindjes ka braktisur socialistët që kanë kontribuar 23 vjet për kauzën e socialistëve! Socialistët e zhgënjyer, tashmë kërkojnë deputetët që i votëbesuan, kërkojnë kryetarin e PS, por të gjithë këta fshihen, tashmë, sepse nuk mund të përballen dhe të ballafaqohen me zemërimin dhe revoltën e socialistëve të zhgënjyer. 

Zgjedhjet në PS, parodi e radhës

Ndonëse po mbaron edhe muaji tetor, ende në strukturat e PS nuk kanë filluar procesi i analizës së humbjes elektorale të PS në 21 qershor, ende nuk ka filluar procesi i zgjedhjeve të forumeve të PS, ende nuk ka filluar procesi i emërimeve të reja në PS, edhe pse janë skaduar të gjitha afatet kohore që mori vendim Asambleja Kombëtare e PS në 18 korrik 2015. Dhe të gjitha këto kanë një emërues të përbashkët, si shkak. Të gjithë, deputetë, kryetarë partie të forumeve të PS, koordinatorë të PS, që vetë Kryetari i PS ( dhe jo kryesia e PS) i ka caktuar nëpër qarqe, nuk guxojnë të ballafaqohen me bazën e PS, me socialistët e PS, sepse u tremben reagimit dhe zemërimit, të zhgënjimit të tyre, për braktisjen që u kanë bërë në 2 vjetët e qeverisjes së Rilindjes. Deputetët, koordinatorët dhe kryetarët e emëruar të PS në forume, thjesht tani përpunojnë prapaskena, që gjithë ky proces analize, zgjedhjeje në forumet e PS të manipulohet, dhe të emërojnë në forumet e PS njerëzit e tyre të mirëbesuar, njerëzit që nuk u hapin telashe, duke injoruar tërësisht socialistët e vërtetë, ata socialistë që kontribuojnë në PS. Dhe këtë manipulim të procesit të analizës dhe zgjedhjeve në forumet e PS, këta deputetë, këta kryetarë të PS në forume dhe koordinatorë do t’ ja përcjellin kryetarit të PS, si një realitet. Mirëpo, gjithë këta manipulues të realitetit në PS harrojnë një gjë: Reagimin dhe zemërimin e elektoratit socialist, i cili zhgënjehet përditë. Zgjedhjet e 2017 afrojnë dhe nëse PS, nëse Kryetari i PS, nëse Kryeministri Rama dëshiron që të dëgjojë që sot reagimin dhe zhgënjimin e socialistëve, duhet të takohet me elektoratin e tij. Sa nuk është vonë. 
Sigal