Vendimi i Qeverisë për shpërblimin e 18 medaljeve për Forcat e Armatosura

84
Qeveria ka caktuar masën e shpërblimit për medaljet në Forcat e Armatosura. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 32, të ligjit nr.9/2015, “Për medaljet në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave vendosi që masa e shpërblimit për medaljet që jepen sipas ligjit nr.9/2015, “Për medaljet në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të jetë si më poshtë vijon:
a) Për medaljet që jep Ministri i Mbrojtjes:
– “Medalja e nderit” 40 000 lekë; “Medalja e mirënjohjes” 30 000 lekë; Medalja “Në shërbim të atdheut” 30 000 lekë; Medalja “Për shërbime të shquara” 20 000 lekë; Medalja “Për shërbime të larta” 20 000 lekë.

b) Për medaljet që jep Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura:
– “Medalja shpëtimtari” 30 000 lekë; “Medalja e trimërisë” 30 000 lekë; “Medalja e sakrificës” 20 000 lekë; “Medalja e karrierës” 5 000 lekë; Medalja “Për shërbime të veçanta” 10 000 lekë; Medalja “Pjesëmarrje në operacione humanitare” 10 000 lekë; Medalja “Pjesëmarrje në emergjenca civile” 10 000 lekë.

c) Për medaljet që japin komandantët e forcave dhe komandantët e komandave mbështetëse:
– “Medalja e ushtarit” 10 000 lekë; “Medalja e pilotit” 10 000 lekë; “Medalja e marinarit” 10 000 lekë; “Medalja e dijes” 10 000 lekë; “Medalja e mbështetjes” 10 000 lekë; “Medalja e karrierës” 5 000 lekë. 

Shpërblim për medalje do të marrin vetëm ushtarakët aktivë dhe punonjësit civilë të strukturave organike të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura. Shpërblimet për medaljet sipas pikës 1, të këtij vendimi, jepen, përkatësisht, nga ministri i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, komandanti i forcës dhe komandanti i komandës mbështetëse.