Vdekja tragjike e 17-vjeçarit në Vlorë, policia merr në pyet drejtuesit e firmës

560
Sigal

Policia e Vlorës dha informacion zyrtar mbi aksidentin tragjik të ndodhur në Vlorë, duke theksuar se ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 21 vjeçarin që ndodhet i shtruar në spital, drejtues i mjetit tip BMW X6.

Me anë të një deklarate, policia thotë se ka thirrur për të marrë në pyetje përfaqësuesit dhe punonjës e firmës që po kryen punimet për Lungomaren.

“Grupi hetimor përvec hetimeve të tjera për zbulimin e shkaqeve dhe sqarimin e rrethanave të aksidentit, ka thërritur për të marrë në pyetje përfaqësuesit dhe punonjësit e firmës Nën/Kontraktore “XH.E.M – sh.p.k”, e cila kryen punimet për rikonstruksionin e kësaj rruge”, sqaron policia lokale.

Policia sqaron gjithashtu se “firma fituese e tenderit për rregullimin e rrugës është ajo greke “INTRAKAT – sh.p.k”, ndërsa ajo që ka marrë përsipër kryerjen e punimeve është firma “XH.E.M – sh.p.k” me president I.Bega dhe administrator F. Merkaj”.

Hetimet në vendin e ngjarjes po zhvillohen edhe nga prokuroria.

“Në vendngjarje përvec grupit hetimor, ka qenë prezent edhe Prokurori i cili ka marrë drejtimin e hetimeve në lidhje me aksidentin me pasojë vdekjen e një shtetasi”, sqaron policia gjithashtu.

Gjithashtu, drejtuesi i mjetit shtetasi Petraq Beja, 21 vjeç, banues në Vlorë, ndodhet në Spitalin Rajonal Vlorë, jashtë rrezikut për jetën, ndaj të cilit Policia ka ngritur një masë arresti për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë në ngarkim të firmës nën/kontraktore, në pritje të konkluzioneve që do të dalin nga ekspertët dhe nga hetimi i mëtejshëm, i cili do të përcaktojë shkaqet e vërteta të aksidentit.