Universitetet, kuotat bosh për raundin e dytë

1296
Mundësitë që kanë aplikantët për të studiuar në degën e preferuar. Si do të nisë gara nga fillimi dhe lirimi i vendeve bosh
Universitetet po bëjnë bilancin e fazës së parë të regjistrimeve, duke u përgatitur për të nisur më 15 shtator fazën e dytë. Gjatë ditës së djeshme, aplikantëve fitues ju është lënë hapësira për t’u regjistruar, nëse ata mendojnë se mund të jenë të suksesshëm në një degë më të preferuar. Megjithatë, faza e parë e regjistrimeve në institucionet e arsimit të lartë ka lënë vende bosh, që do të krijojnë një tjetër mundësi për aplikantët. Raundi i dytë do të jetë një gara nga e para. Kandidatët për studentë mund të zgjedhin 10 preferenca, të cilat i zgjodhën në raundin e parë ose mund t’i ndryshojnë ato.
Universiteti i Tiranës
Në Universitetin e Tiranës kanë mbetur dhe 915 kuota bosh për në raundin e dytë, garë e cila do të hapet në 15 shtator. Rektori i universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, tha se 4.716 studentë janë regjistruar në këtë raund të parë të hyrjes në institucionet e arsimit të lartë. “Në raundin e parë janë regjistruar 4.716 studentë, nga 5.631 kuota. Kanë mbetur edhe 915 studentë, të cilët janë në dispozicion për raundin e dytë”, tha Koni. Aplikantët, të cilët kanë një mesatare të lartë, kanë edhe mundësinë më të madhe për të qenë fitues. “Nga vlerësimet paraprake përkatëse rezulton se në nivel universiteti, mesatarja e studentit të fundit të regjistruar është 8 e lartë. Kjo është një cilësi shumë e lartë për universitetin e Tiranës”, vlerësoi rektori. Sipas tij, absolutisht do të jetë një garë nga e para, veçse kampioni është më i kufizuar. Universitetet kanë premtuar se të gjitha kuotat e lira do të plotësohen, gjë që do të thotë se mundësitë për të hyrë në shkollën e lartë për kandidatët për studentë me mesatare mbi 6 vijojnë të jenë të mëdha.
Universiteti Bujqësor
Pas mbylljes së raundit të parë të pranimeve, në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT) kanë rezultuar mbi 700 kuota të lira. Rektori Bahri Musabelliu u bëri apel të rinjve që të aplikojnë për degët e Bujqësorit në raundin e dytë, duke theksuar se bujqësia është perspektiva e zhvillimit të vendit, çka do të thotë se dhe shanset e punësimit janë të mëdha. “Universiteti Bujqësor ka 1966 kuota totale, deri në këtë moment janë regjistruar 1241 kandidatë. Në Fakultetin e Ekonomisë numri i të regjistruarve ka arritur në rreth 85-86%, në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare është përsëri në këtë nivel. Në fakultetet e tjera ka më shumë vende bosh. Perspektiva e zhvillimit të këtij vendi në mënyrë të padiskutueshme është bujqësia, industria bujqësore dhe të gjitha degët e lidhura me të. Pra, mundësia për t’u punësuar është shumë më e madhe”, tha rektori Musabelliu. Ai sqaron se kurrikulat e Universitetit Bujqësor janë sipas modelit gjerman dhe amerikan dhe i përgatisin studentët me kompetenca të shumëfishta. “Përpjekjet që bëjmë ne për të integruar, bashkërenduar teorinë me praktikën, mundësojnë që këta studentë që diplomohen te ne të fitojnë kompetencat e duhura profesionale për t’u përshtatur shumë shpejt, por edhe për të pasur mundësi për ridiplomime dhe për më shumë profesione”, tha drejtuesi i Universitetit Bujqësor. Nga një studim i bërë nga Këshilli i Lartë për Kërkimet Shkencore në Spanjë për rankimin e universiteteve, Universiteti Bujqësor i Tiranës është renditur i pari në Shqipëri. “Në vitin 2017, Këshilli i Lartë për Kërkime Shkencore në Spanjë, që është pjesë integrale e Ministrisë së Arsimit të Spanjës, ka bërë një kërkim në nivel botëror për rankimin e universiteteve dhe Universiteti Bujqësor për Shqipërinë në kuadër të universiteteve shqiptare është renditur më i miri, i pari”, tha rektori. 
Sigal