Tropojë, 40-vjeçari vret veten me armë, nuk e ndalon dot nusja e xhaxhait

72

Një 40-vjeçar i ka dhënë fund jetës, duke u vetëvrarë me armë zjarri, ndërsa në tentativë për të hequr dorë nga akti i vetëflijimit ka mbetur e plagosur edhe një grua. Ngjarja e rëndë ndodhi dje në fshatin Kovaçe të Tropojës. Burime zyrtare nga Policia e Kukësit bënë me dije se viktima, shtetasi K.Hoxha është vetëvrarë në banesën e tij. Ndërkohë, e plagosur ka mbetur aksidentalisht edhe shtetasja H.H., 54 vjeçe, nusja e xhaxhait të viktimës, e cila dyshohet se ka tentuar për t’i marrë armën viktimës, për të ndaluar vetëvrasjen.

Fill pas kësaj, e plagosura është dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga hetimet paraprake dyshohet se viktima e ka kryer këtë akt në gjendje depresive. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar, 1 armë zjarri automatik, 1 një krëhër me 11 copë fishek, një granat dore të cilën e kishte në xhep të xhupit, viktima. Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprat penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje të armëve luftarake e municionit”.