Thirrja e Presidentit Meta: Koha për të dëgjuar shkencëtarët, jo servilët

137

Presidenti Ilir Meta e nisi javën duke postuar online një shkrim, teksa shkruan: Koha për të dëgjuar shkencëtarët, jo servilët.

Shkrimi i postuar nga Meta u publikua nga revista Monitor. Aty thuhet se në vitin 2013, disa prej profesorëve më të njohur të sizmiologjisë në vend i ofruan falas qeverisë hartën e re sizmike në vend. Por kjo e fundit nuk e vuri ujin në zjarr.

Në vitin 2013 katër sizmologë të njohur në vend, Prof. Dr. Eduard Sulstarova, Prof. Dr. Shyqyri Aliaj, Prof. Dr. Siasi Koçiu dhe Prof. Dr. Betim Muço, i ofruan qeverisë një hartë të re sizmike që shoqëronte botimin e tyre të përbashkët “Sizmiciteti, sizmotektonika dhe vlerësimi probabilitar i rrezikut sizmik në Shqipëri”.

Kur e prezantuan këtë studim para mediave ato i bënë thirrje qeverisë që të azhornonte hartat e reja në standardet kombëtare në sektorin e ndërtimit.

Profesor Alija u shpreh në atë kohë se qeveria duhet t’i bënte hartat e reja si kusht normativ për të gjitha ndërtimet. Sipas tij hartat e reja duhet të zëvendësonin hartën sizmike të viteve 80 që sot e kësaj dite është ende në fuqi edhe pse vendi u godit përgjatë dy muajve të fundit nga 2 tërmetet më të fuqishme të 40 viteve të fundit.

Disa projektues pohuan se hartat e reja të krijuara nga katër profesorët e nderuar sot përdoren si udhëzues për shumë projektues dhe ndërtues, por ato nuk janë të detyrueshme, për shkak se ligji nuk i njeh.