Sigal

ATHINE- Thellohet bilanci i viktimave nga zjarret në Greqi, ndërsa numri i të vdekurve ka shkuar në 74. Nga të dhënat e shërbimit të zjarrfikësve, mësohet se 187 persona janë plagosur, mes tyre edhe fëmijë. Ndërkohë dhjetra persona vijojnë të jenë të zhdukur, ku mendohet se janë mes viktimave.

Përgjatë ditës së djeshme edhe gjatë natës, në tri zona të ndryshme të Athinës ‘shpërthyen’ 15 vatra zjarri, ku situata më dramatike ishte në fshatin bregdetar Mati

Përveç dhjetëra të vdekurve në vende të ndryshme të periferisë së Athinës për shkak të zjarreve masive, ekipet e shpëtimit u tmerruan kur gjetën 26 persona të djegur të gjallë në një restorant, kjo edhe për shkak të bombolave të gazit.

Qindra turistë janë evakuuar nga plazhet përgjatë operacioneve të shpëtimit, me 3 gra dhe një fëmijë që u mbytën në det në përpjekje për t’u ikur flakëve. Një evakuim masiv është duke u zhvilluar me anijet ushtarake, anije private dhe helikopterë të ushtrisë të mobilizuar për të shpëtuar ata që ndodhen në portin e Rafinës, ndërkohë që shumë të tjerë ndodhen ende në det në pritje për t’u shpëtuar.