Tërmeti në Itali, MPJ: Asnjë shqiptar të lënduar, po e ndjekim situatën

149
Ministria e Punëve të Jashtme ka shprehur ngushëllimet ndaj tërmeteve që kanë goditur sot Italinë, ndërkohë që ka siguruar të gjithë opinionin se ndër viktimat dhe të lënduarit, deri tani nuk është regjistruar asnjë shqiptar. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, kjo ministri thotë se, është duke ndjekur situatën hap pas hapi pasi në këtë rajon ka një numër të konsiderueshëm shqiptarësh që punojnë e jetojnë, ndërkohë që ka vënë edhe numër kontakti në dispozicion të të gjithë atyre personave që kërkojnë ndihmë, në radhët e komunitetit shqiptar.
Ja komunikata e Ministrisë së Punëve të Jashtme
Ministria e Punëve të Jashtme solidarizohet me Italinë mike në këto momente të vështira të shkaktuara prej tërmetit që goditi dje në mbrëmje rajonet e Lazios dhe Marches, me pasojë humbjen e jetëve njerëzore dhe dëme të mëdha materiale. Duke Ju gjendur pranë qeverisë dhe popullit Italian në këto çaste të vështira shprehim ngushëllimet më të ndjera për familjet e viktimave.
Ministria e Punëve të Jashtme është në ndjekje të situatës dhe nga njoftimet e deritanishme nga Ambasada jonë në Romë informohemi se deri në këto momente nuk rezulton që të ketë qytetarë shqiptarë të lënduar.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Rome për t’ju ardhur në ndihmë, vendos në dispozicion të qytetarëve shqiptarë numrin e emergjencës +393420498192. Ministria e Punëve te Jashtme, është në ndjekje të situatës dhe do të informojë në vijimësi opinionin publik.