Të përndjekurit politikë, ndryshon llogaritja e pensionit

177
Të përndjekurit dhe të dënuarit politikë, të cilët kanë punuar në miniera, do të përfitojnë pension në bazë të rregullave të reja të përcaktuara nga qeveria. Qeveria ka vendosur të ndryshojë ligjin e vitit 1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, duke prekur mënyrën e llogaritjes së viteve të punës. “Koha e vuajtjes së dënimit të ish-të dënuarve politikë në burgjet ku punohej në minierë në nëntokë, për efekt pensioni, të njihet si punë e kryer në minierë në nëntokë. Periudha njihet sa dyfishi i periudhës së qëndrimit në këto burgje. Paga llogaritet sa paga e punës në minierë. Vërtetimi për kohën e vuajtjes së dënimit në burgjet ku punohej në minierë në nëntokë lëshohet nga Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë”, thuhet në një projektligj të ri që do t’i dërgohet Kuvendit. Të përndjekurit politikë kërkojnë në vazhdimësi ndryshimin e mënyrës së kompensimit për vitet e kaluara në burg, si dhe për punën e detyruar.