Të jesh “Misionar i Paqes”

2167
Njeriu ndjehet i plotë, madje edhe i befasuar teksa sheh që në krah të tij qëndrojnë personalitete të ardhur enkas nga larg për të nderuar, për të vlerësuar me urdhra e medalje dy njerëz të thjeshtë, dy persona që deri para disa çasteve ishin vetëm miq, vetëm shokë të zemrës. Në një ceremoni të organizuar bukur e me seriozitetin e merituar nga Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet (DMPP), me qendër në Tiranë, të cilin e drejton që nga themelimi Dr. Shefki Hysa, U vlerësuan me tituj të lartë dy tepelenas. Medaljen e Artë “ Urdhri i Misionarit të Paqes Shenjtorja Nënë Tereza”, akorduar të paharruarit Selfo Dosti (pas vdekjes) dhe Medaljen e Artë “Urdhri i Misionarit të Paqes Mahatma Gandi” akorduar mësuesit Medin Caushi, në emër të Academy of Universal Global Peace (AUGP), Amerikan Diplomatic Mission for World Peace (ADMWP) dhe Diplomatic Mision Peace and Prosperity (DMPP), i dorëzoi Dr. Madhu Krishan. Mënyra më e mirë për të gjetur veten, është ta humbasësh atë në shërbim të të tjerëve. Kjo është shumë e vërtetë, si drita e diellit. Po çfarë është e vërteta? -pyeste Mahatma Gandi, i cili ishte i pari i lëvizjes “Fuqia e shpirtit ose fuqia e të vërtetës”? Pyetje e vështirë, thoshte ai, por unë për vete e kam zgjidhur, duke thënë se ajo është “Ajo që zëri i brendshëm të thotë”. Dhe unë pyes: ç’më thotë zemra për…

…Selfo Dostin
Shpesh ne harrojmë se i përkasim njëri-tjetrit. Harrojmë, gjithashtu, mësimin nga lashtësia se urrejtja nuk mund ta largojë urrejtjen, por vetëm dashuria mund ta bëjë këtë. Selfo Dosti, intelektuali nga Tepelena ishte dhe mbeti për sa ishte gjallë vetëm në shërbim të njerëzve të thjeshtë, të atyre njerëzve që kishin nevojë për t’u treguar rrugën e dijes dhe të lartësimit për të qenë të zotët e vetes. Atë asgjë nuk e trishtonte më shumë se sa ngurtësia e zemrës të njerëzve me pushtet, të njerëzve të arsimuar që nuk hapnin rrugë për t’u arsimuar të gjithë, i varfëri e i kamuri. Ai, sipas atyre që kanë punuar dhe jetuar me të, ishte i magjishëm, kishte aftësinë të përcillte tek njerëzit e thjeshtë, pa përkrahje, ndjenjën e optimizmit për të marrë drejtimin e duhur në jetë. Dhe e di pse? Sepse Ai i përmbahej thënies të dëgjuar nga njerëz të mençëm: Njeriu nuk di çfarë është i aftë të bëjë deri në momentin kur e pyesin. Janë sot shumë kuadro e specialistë, shumë personalitete të spikatura të kulturës dhe shkencës, të cilët “hapin e pare” në udhën e shkollimit, të përgatitjes për t’u bërë të vlefshëm për vete e shoqërinë, e kanë marrë nga ky person, në ndërgjegjen e të cilit vlonte kruajua e njeriut inteligjent. “Duke lexuar biografinë e Selfo Dostit, shkruan në përshëndetjen Dr. Jose, Konsull i Përgjithshëm – ADMWP, dhe Dr. Shefki Hysa, drejtor i Misionit për Paqe dhe Prosperitet, drejtuar të vëllait, aktorit të mirënjohur Barjam Dosti, cilido ndjehet i frymëzuar nga aktiviteti i tij si zyrtar model dhe si lider shoqëror, përfaqësues i denjë i komunitetit shqiptar të Tepelenës ku lindi, u rrit dhe zhvilloi aktivitetin më të mirë të jetës së tij politike”. E pashë vëllanë e Selfos, Barjamin, si luante në teatër rolin e një njeriu të hutuar. Jam mahnitur kur dëgjova ç’fjalë të zgjedhura tha ai, për vëllanë dhe të pranishmit. I dëgjova symbyllur për t’i shijuar deri në fund. Në sakrificat dhe arritjet që e karakterizuan Misionarin e Paqes Selfo Dosti, gjatë gjithë aktivitetit jetësor, tanimë në shpirtin e tij të pavdekshëm pasqyrohet dukshëm edhe shëmbëlltyra e Gandit, Martin Luter King, Mandelës dhe Shenjtores Nënë Terezë, personalitete ideatorë dhe frymëzues të Paqes Moderne Botërore. Ishte çast domethënës kur në mjedisin ku u zhvillua ceremonia një nga pjesëmarrësit, shkrimtari Jovan Jano i dhuroi Dr. Madhu Krishan, kryetar i Akademisë Botërore të Paqes, dy libra kushtuar Gandit dhe Martin Luter King. Shqiptarët, sipas Dr. Madhu Krishan, janë të dashuruar me këto figura të shquara të njerëzimit.

…dhe Medin Caushin
Të nderosh e respektosh të kaluarën, të ecësh në gjurmët e të parëve, duke i çuar shumë më lart atë çka ata kanë bërë për vendin e komunitetin ku janë rritur, është diçka hyjnore. Medin Çaushi, mësuesi punëshumë nga Levani i Tepelenës, më duhet të them se është disi hyjnor. Nuk e di pse. Ndoshta për shkak të inteligjencës dhe shpirtit të tij të fisnikëruar që në djep, sapo ka lindur. Medini i ka rrënjë te besimi bektashian. Por ajo çka më bën të hyj në mendime është një fakt tjetër disi mistik: ai mban emrin e baba Medin Gllavës. Sepse Baba Medini është stërgjyshi i tij, është nga ata themele. Mësues Medini, pra ky i Riu, ka ecur në atë rrugë, me atë forcë besimi. Madje në ditën që ai mori Medaljen e Artë “Urdhri i Misionarit të Paqes Mahatma Gandi”, më erdhi vetëtimthi në mendje se një “Medalje të Artë” e ka marrë edhe baba Medin Gllava me motivacionin “Besë e Bashkim për shpëtimin e Atdheut” nga Princ Vidi. Këto dy ngjarje i ndan fiks një shekull. 

“…Nderon të parët e fisit
lisi në rrënjë të lisit…”
– janë dy rreshtat e tekstit të këngës, të cilën e kënduan labçe pjesëmarrësit në këtë ngjarje për mësuesin e tyre, tashmë të dekoruar, Medin Caushin. Pjesëmarrësit ishin të gjithë si “të zgjedhur me dorë”. Aty kishim juristët Fredi Progonati dhe Bedri Qorri, Prof. Dr. Fatmira Rama, Prof. Dr. Shyqyri Hysin, drejtues dhe të zgjedhur në qark e në bashki, Sulo Muçobega dhe Petrit Jahaj, mësuesit dhe drejtuesit e palodhur të arsimit, Ethem Kanani dhe Gëzim Mahmutaj, etj. A mund të mos jenë Misionarë të Paqes këta pasionantë të këngës labe të cilëve aty për aty u burojnë nga zemra vargjet poetike, për t’i kënduar e për t’i bërë pjesë të një ceremonie kaq domethënëse? 

“…Për Selfon e për Medinin 
Derdhur medalje floriri…”
Misionarët e paqes Lumturi Vladi dhe Kristo Goçi ishin të harmonizuar në këtë ansambël natyror dhe të gjithë së bashku na dukej se kishin sjellë aty gurgullimën e rrjedhës së Vjosës.

Të gjithë misionarë të paqes
Në këtë ceremoni mbresëlënëse morën pjesë njerëz të thjeshtë, nga ata “personalitete” që të bëjnë për vete, që gëzohen e lumturohen sikundër ata që morën vlerësime të larta. Unë aty pashë Naim Dërën, i cili është rritur e burrëruar në truallin e përbashkët që lindi e rriti Selfon dhe Medinin. Në një pikë kulmore, në çastin kur kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, zoti Gramoz Ruçi, i dorëzoi “Medaljen e Artë” vëllait të Selfo Dostit, Barjamit, nuk nguroi të thoshte solemnisht se të gjithë pjesëmarrësit, pa përjashtim, në një farë mënyre ishin misionarë të paqes, qytetarë që kontribuonin përditë për të sjellë miqësi, dashuri, mjedis të paqtë midis njerëzve. Sepse, sipas tij, mënyra më e mirë për të gjetur veten, është ta humbasësh në shërbim të të tjerëve, gjë që rrallë ngjet në politikën e ditës. Duke parë e soditur prezencën e disa personaliteteve të skenës e të ekranit, miq të familjes Dosti, të ngazëllyer për vlerësime kaq domethënëse për kontribute vetëm për njerëzit, pa dashje të del pyetja që e do përgjigjën aty për aty: A nuk mund të mos jenë Misionarë të Paqes artistë aq të dashur për popullin si “Artisti i Popullit” Luftar Paja, “Artisti i Merituar ” Prof. Dr. Birçe Hasko, aktori i spikatur Ilir Bezhani etj? Të shkojnë në shtëpi dhe të duan familjen, ka thënë Mahatma Gandi. Dhe ata, të gjithë, shkuan në shtëpitë e tyre, pranë familjeve, për të promovuar orë e çast paqe. Sepse nëse duam ta mësojmë paqen e vërtetë në këtë botë, dhe nëse jemi vërtetë kundër luftës, duhet ta fillojmë këtë mësim që tek fëmijët, paska qenë një porosi e Mahatma Gandit.
Sigal