Hamdi Kacani i Dibrës dhe Frrok Bardhi urgjencës mjekësore të Tiranës

548
Abdurahim ASHIKU

Koha, kur shërbimi urgjencës mjekësore ngjitej edhe majë maleve, paçka se me autoambulanca prodhim lindor të viteve 1940-‘50
Në odën dibrane, po qe se dikush përmend emrin e Hamdi Kacanit, të gjithë do të luajnë vendit e fjalët për të do të marrin rrjedhën e Drinit. Nuk kishte shkollë Hamdi Kacani, shkollë ulur në bankë me libra, fletore, kalem e penë në dorë. Nuk kishte laps Hamdi Kacani të shkruante udhëtimet e tij maleve të Dibrës, pranë njerëzve e me njerëzit në ditë të vështira shëndetësore, në 35 vjet punë, me ta e për ta. I kam bërë një fotografi Hamdiut me ambulancën e tij. Nuk e kam intervistuar, as kam bërë ndonjë shkrim për heroikën e tij në atë profesion ku humanizmi dhe dashuria për njeriun ngjitet e nuk zbret. Shofer ambulance ishte Hamdi Kacani, shofer me një makinë ruse OAZ 4×4, DI 91 14 ardhur nga fillimi i viteve pesëdhjetë. Një jetë të tërë mbi katër rrota e me timonin ndër duar. Po, po, një jetë të tërë, derisa doli në pension. Madje, edhe kur erdhën kohë të reja, kur filluan privatizimet, ai e mori makinën e jetës së tij, siç merret një fëmijë nga “shtëpia e fëmijës” e bëhet gjak i familjes. Ishim komshinj, në një pallat me Hamdiun. Në këndin e drejtë që formohej nga takimi i dy pallateve shikoja çdo ditë Hamdiun dhe makinën e tij të bardhë. E pashë derisa iku në qetësinë e një njeriu që dashuronte punën e tij, siç dashuronte fëmijët, siç dashuronte njerëzit. Nuk e di se çfarë kushtesh duhen për të qenë pjesë e “Librit Gines”, por Hamdi Kacani me autoambulancën e tij janë për t’u shënuar pa asnjë dyshim.

Dibra është një ndër zonat më të prapa në rrugëtimet drejt njerëzve, fshatrave e zonave të largëta.

Peshkopia, qendra e Dibrës, ka parë asfaltin e rrugës që e lidhte me Tiranën dhe Shqipërinë, vetëm në mes të viteve shtatëdhjetë kur u lidh me Bulqizën me një rrugë njëkalimshe…

Rrugët e tjera në hapësirën prej 1600 kilometrash katrorë, nga Llanga në Qafë Draj e nga Qafa e Buallit në Kala të Dodës, Selishtë, Lurë e më gjerë, ose ishin rrugë të shtruara me kalldrëm e me pak zhavorr sipër ose ishin thjesht rrugë verore me heroikë lëvizjeje verës e me sakrifica tej njerëzore dimrit. Afër, afër edhe sot kështu janë. Autoambulanca e Hamdiut nuk pyeste këtyre rrugëve, ditën dhe natën, në shi e dëborë, në lagështi e në akull. Sekreti ishte i thjeshtë. Hamdiu e konsideronte autoambulancën si pjesëtare të familjes së tij, si fëmijë që kërkonte kujdesin e prindit për t’u rritur i shëndetshëm. Ato orë midis dy thirrjeve urgjente për udhëtim tek të sëmurët Hamdiu ishte nën e në makinën e vet, me vështrimin në gjithçka që duhej kontrolluar e rregulluar. Asgjë nuk i shpëtonte kujdesit të tij. Në vitin 1985 në spital vjen një ambulancë e re prodhim Rumun. Ia dhanë Hamdiut. Bëri me të një rrugë në Bulqizë. E ktheu. Kërkoi prapë OAZ-in. “Kjo nuk të çon në Lurë, Kala të Dodës, Selishtë, Reç, Trebisht.”-, u tha. OAZ-i me dy diferencialë, nën kujdesin e vazhdueshëm të tij, i dinte më mirë rrugët e Dibrës, verës dhe dimrit, në shi e në dëborë. Mbase nuk do ta kujtoja Hamdi Kacanin larg e larg vendlindjes time në mërgim ku jam sikur gjatë skanimit të mbi gjashtë mijë negativave të jetës time, të mos e gjeja në një pozim diku tek ura e Muhrrit në krah të rrjedhës së Drinit të Zi.

Mbase me fotografinë e tij dhe një shënim të shkurtër në facebook do të mjaftohesha me falënderimet e djalit të tij, Ilmi Kacanit diku larg Atlantikut e të dashamirësve të shumtë në Dibër e gjetkë. Mbase… Ajo që më detyroi të shkruaj duke rrëmuar në kujtimet e mija ishte Frrok Bardhi, Frroku i veshur me të bardha, shofer ambulance në qendrën e urgjencës në Tiranë.

Frroku çfarë nuk nxori brenda e jashtë autoambulancës. I nxori duke bërtitur me zë baritoni si të ishte në një miting elektoral kundër ministrit të shëndetësisë duke e thirrur me emër e mbiemër e duke i treguar se si ishte katandisur autoambulanca e tij. Nxirrte nga brendësia e autoambulancës qeska me mbeturina a thua se atje i kishte vënë ministri dhe jo ai vetë apo shokët e tij që e përdornin makinën. Tregonte ndenjëset e grisura dhe përsëriste në shkallën më të lartë të pentagramit emrin dhe mbiemrin e ministrit të shëndetësisë. “Ky është Beqja”, “Ky është Beqja”, “Ky është Ilir Beqja”. Thërriste me të madhe i inkurajuar nga gazetari dhe kameramani për t’u përcjellë me zë katërfish të rritur nga moderatori i emisionit investigativ “STOP”.

Më tej, do ta linte ambulancën në goditjet e llamarinave anësore e në llumin e papastërtive për t’i përcjellë shikuesit e për të na treguar se ministri i shëndetësisë nuk kishte vënë prizë për kondicionerit e një zyre. Dhe refreni i thirrjeve vijonte. “Ky është Beqja”, “Ky është Beqja”, “Ky është Ilir Beqja”. Dhe në tërë këtë rrëfenjë zëri i moderatorit buçiste… ”Se mos e pushoni Frrokun nga puna se do të keni të bëni me ne”. Sikur i ëmbli, i urti, i mençuri, punëtori Hamdi Kacani ta shikonte skenën me thirrje e me të bërtitura të Frrok Bardhit, gjendjen brenda dhe jashtë të ambulancës së tij edhe nga “ajo botë” do të thoshte: “Një njeri që nuk mban dot pastër vendin e punës, nuk kujdeset për mjetin që i kanë dhënë për të siguruar bukën e fëmijëve të tij, është pak të pushohet”. Gazetari, moderatori i emisionit STOP, më e pakta duhet t’i thoshte Frrokut me bluzë të bardhë: “Ky nuk është Beqja, ky je ti që mjetin që të ka dhënë shteti e ke katandisur në një kosh mbeturinash”. Ilir Beqja, ministër i shëndetësisë, si drejtues ka kusuret e veta, ka përgjegjësitë e veta ndaj shërbimit shëndetësor. Bashkohem me të gjithë ata që e bëjnë përgjegjës të gabimeve e fajeve në sektorin jetik të shëndetësisë. Por ta akuzosh atë se nuk ka pastruar autoambulancën e Frrokut, se janë grisur ndenjëset e makinës, se është përplasur makina dhe janë shtrembëruar llamarinat, se nuk ka vënë një prizë për kondicionerin e një zyre në spital… është një absurditet që nuk e mban toka. Kërrabë e këtij absurditeti, fatkeqësisht bëhet edhe stafi i një emisioni investigativ serioz. Njerëzve në shërbim në shëndetësi, dhe në të gjithë sferën e shërbimeve qytetare, u vura përballë shembullin e Hamdi Kacanit, shembullin e njerëzve që mjetin që u është dhënë nga shteti e konsiderojnë si fëmijën e gjakut të vet dhe jo si fëmijë të hedhur në kosh plehrash. Është kohë parazgjedhore dhe shembuj me “frrokër” nuk do të mungojnë në ekranet e vegjël televizivë dhe në faqet e para të gazetave të përditshme e atyre online…
Sigal