Sotiraq Filo: Korça përfituese e programit 100 milionë euro

170

Bashkia e Korçës përfituese nga programi 100 milionë euro

 

Do të investohet në turizëm, në zona historike dhe fshatra

 

Edhe Bashkia e Korçës, ashtu si ajo e Shkodrës, e Beratit dhe e Fierit, do të jetë përfituese nga programi 100 milionë euro, financuar nga Bashkimi Evropian dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Fondet e përfituara do të përdoren në turizëm, në trashëgiminë kulturore, në pjesët historike të qytetit të Korçës, në sistemin e kanalizimeve, në rikonstruksionin e rrugëve, në lidhjen e zonave turistike me rrugë, te pika e fluturimit me parashutë në malin e Moravës, në fshatra etj. Projekti në fjalë do të përfshijë gjithë territorin e Bashkisë. Pritet që financimet e para të nisi brenda këtij viti. Kjo do të bëjë të mundur rritjen e mëtejshme të numrit të vizitorëve dhe turistëve që vijnë nga vende të ndryshme të botës, gjë që do të ndikojë edhe në mirëqenien e banorëve të saj dhe në investime. Gjithashtu panorama e qytetit të Korçës do të jetë edhe më mbresëlënëse, ndërsa vendeve të vizitueshme nuk do t’iu mungojë infrastruktura e duhur. Ky është program më i madh për mbështetjen e infrastrukurës dhe turizmit. Projektet për këtë qëllim janë gati. Ndërkohë nga ana e Bashkisë janë kryer investime për krijimin e hapësirave të gjelbra dhe mbjelljen e fidanëve në kodrat e qytetit.

Kryetari i Bashkisë Sotiraq Filo, zbardh projektet

Në lidhje me programin 100 milionë euro, kryetari i Bashkisë Korçës, Sotiraq Filo, bëri të ditur ku do të investohet fondet që do të përfitohen. Sipas tij, do të realizohen ndërhyrje te muzeu i ABC-së, ku bashkë me rikonstruksionin do të bëhet dhe rimuzealizimi i tij; te shtëpia muze e piktorit Vangjush Mio, te muzeu arkeologjik, te disa itinerare të trashëgimisë kulturore, te pjesët historike të qytetit siç janë zona e Pazarit të vjetër të Korçës dhe lagjet 1, 2, 3, 11 dhe 12. Gjithashtu janë parashikuar ndërhyrje të plota për fshatrat e Vithkuqit dhe në Polenë, të cilat do të jenë si ato të kryera në Voskopojë. Ndërkohë do të bëhen ndërhyrje në sistemin e kanalizimeve dhe rikonstruktimin e rrugëve në fshatrat Drenovë dhe Boboshticë. Investime do të kryhen edhe te rrugët lidhëse ndërmjet Voskopojës dhe Vithkuqit, dhe në pikën panoramike në malin e Moravës, të destinuar për fluturimet me parashutë. Së fundi Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, nënvizoi edhe diçka tjetër: Meqenëse Bashkia e Korçës e ka gati listën e projekteve për financim, është e mundur të përthithet maksimumi i fondeve të këtij projekti madhor. Sotiraq Filo foli edhe për investime të tjera.

Investime për hapësira të gjelbra

Gjithashtu gjatë muajve të fundit janë kryer investime edhe për krijimin e hapësirave të gjelbra për banorët. Fillimisht u kryen ndërhyrje te lulishtja prej 10 mijë mitrash katrorë, në krah të stadiumit “Skënderbeu” së cilës i kishte munguar edhe uji për vaditje. Për këtë arsye u mundësua hapja e një pusi dhe instalimi i një impianti bashkëkohor, i cili tashmë siguron ujitjen në formë shiu në gjithë hapësirën e saj. Ndërkohë u bë sistemi, mbjellja e barit, e luleve dhe e pemëve dhe vendosja e stolave, ku nuk mungon as ndriçimi bashkëkohor. Aktualisht për banorët e Korçës, lulishtja në fjalë, mbetet ndër më të bukurat. Së fundi, në lulishte u shndërrua edhe një sipërfaqe prej 4 mijë metrash katrorë, te vendi i njohur me emrin “Gropa”, i cili ishte kthyer në vend-hedhjesh për plehrat dhe mbetjet inerte. Aktualisht ky vend është i gjelbër me ambiente çlodhëse, gjelbërim, ndriçim, fushë kalçeto dhe trotuare. Lulishtja do të jetë edhe në shërbim të fëmijëve të një kopshti që gjendet ai pranë. Prona prej 4 mijë metrash katrorë është pronë e Myftinisë së Korçës, por deri në realizimin e projekteve të saj të ardhshme mbi këtë territor, Myftinia e vuri në shërbim të banorëve të Korçës, kryesisht të lagjes nr 6.