Skandali/ Qesarat-Iliras, 3 km në aksin Levan-Tepelenë që kanë “ngrënë” 4 milionë euro e kanë mbetur gërmadhë

274
Sipas letrave zyrtare të financave që komandon me vulë e më firmë kreu i rrugëve Dashamir Xhika, rezulton se Autostrada Levan-Tepelenë ka përfunduar dhe e tillë është raportuar në qeverinë “Rilindja”, duke e konsideruar si “përfundim të një investimi” të lënë përgjysmë nga ish-qeverisja e përpara qershorit të vitit 2013. Në këtë “investim të sukesesshëm” përmendet edhe segmenti Memaliaj-Tepelenë! Në fakt, segmenti Memaliaj Tepelenë ka përfunduar, paçka se punimet e kryera prej firmave n/kontraktore që merren me prodhim gjize e bërsie për lopët, janë bërë jashtë standardit të sigurisë dhe me mungesë të plotë të sinjalistikës rrugore, madje pa asnjë ndriçim të detyrueshëm sipas projektit të investuar. Por një segment tjetër po në rrethin e Tepelenës, më saktë në Bashkinë Memaliaj, ka mbetur gërmadhë, paçka se është raportuar dhe rezulton si investim i kryer e i përfunduar! E kemi fjalën për segmentin Qesarat-Iliras, me gjatësi mbi 3 kilometër në Autostradën Levan-Tepelenë. Ky segment ka mbetur gërmadhë prej 8 vitesh! Kështu vazhdon të jetë.

 Ndërsa automjetet ecin në rrugë të përfunduar deri 1 kilometër në hyrje të fshatit Qesarat në Tepelenë, aty përballen me pjesën e rrugës gërmadhë. Janë ende mbi 3 kilometër rrugë të asfaltuara qysh në vitin 1978, në të cilën kalojnë automjetet që shkojnë drejt zonës së jugut. Kjo pjesë rrugë e cila është pjesë e Autostradës Levan-Tepelenë, nuk është përfunduar as si trase, paçka se në “financat” e drejtorit të rrugëve Dashamir Xhika rezulton se ka përfunduar dhe se sipas dosjeve thuhet se “janë kryer punimet”! Në fakt ndërtimi i këtij segmenti, nuk ka përfunduar, Fotografitë e bëra dje nga gazeta “Telegraf”, janë provë e qartë dhe e plotë e këtij mashtrimi të bërë nga drejtori i Rrugëve Dashamir Xhika dhe “bekuar” me firma e raportime false prej ministrit Haxhinasto. Mjafton të përmendim raportin e vjetor të kësaj drejtorie dhe aty theksohet, se autostrada Levan-Tepelenë ka përfunduar plotësisht. Në fakt, nuk ka përfunduar. Paralel me këtë segment të rrugës Qesarat-Iliras janë bërë gërmime të sipërfaqes së rrugës dhe të kodrës anësore, por kanë mbetur sikur i kanë “ngrënë qentë”. Rruga është lënë gërmadhë, prej 10-15 kontraktorëve e n/kontraktorëve të angazhuar me firmën e drejtorit Xhika, të cilët kanë gërmuar bazamentin e trasesë së rrugës dhe e kanë lënë atë si rrugë të bombarduar, duke mbushur xhepat me miliona euro dhe duke ia mbathur. sa për saktësim, vetëm për këtë segment rrugor janë akorduar 4.1 milionë euro dhe në letrat e tenderxhiut Xhika dhe shefit të tij Haxhinasto, rezulton i përfunduar 100% si punime! Ata që kanë përlarë milionat e eurove të dhëna me firmën e Xhikës dhe Haxhinastos pa kryer punimet, kanë lënë këtë segment rrugor mbi 3 kilometër në gjendje mjerane. Ndërkohë që Drejtoria e Rrugëve Rajonale të Gjirokastrës, drejtuar nga një kolltukofag tipik shpërfillës e pazarxhi postesh të larta rajonale edhe me pasoja jetë fëmijësh të mitur kur ka drejtuar spitalin e Përmetit, i përkëdhelur i një deputeti të zonës, nuk çon në këtë aks rrugor as formalisht “lopataxhinjtë” për të mbushur gropat dhe për të pastruar llumin e baltën që mbulon këtë pjesë rrugë në raste shiu, por që firmos pagat e tyre rregullisht në mënyrë fiktive. 
————————– 
Ja Neni 248 i Kodi Penal, sipas të cilit do të hetohet e gjykohet drejtori Dashamir Xhika
Shpërdorimi i detyrës 
(Ndryshuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 21; ndryshuar me ligjin Nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 21) 
Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jo-materiale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë.
————————————————
Ja 10 nga 49 provat e abuzimeve që janë në dosjen hetimore të drejtorit Dashamir Xhika
1. Dëmi ndaj buxhetit të shtetit, arrin në rreth 634 milionë lekë, shkaktuar nga mungesa e supervizimit gjatë zbatimit të projekteve në infrastrukturën rrugore.
2. Ndryshimet e shpeshta të projekteve e strukturës së punimeve edhe me mbivendosje, bërë përgjatë vitit në programin e investimeve, kanë krijuar kosto buxhetore të panevojshme.
3. Prokurime me objekt “konsulencë, studime dhe projektime për projekte investimi”, ndërkohë që mungojnë fondet e programuara për realizimin e këtyre projekteve, me pasojë kosto shtesë në kontratat e lidhura. 
4. Mosveprim i pajustifikuar i ARRSH-së (për më shumë se një vit e gjysmë) në nxjerrjen e përgjegjësive financiare të subjekteve që kanë kryer punime me cilësi të dobët, apo nuk i kanë kryer ato sipas kushteve të kontratës. 
5. Rritje artificiale e fondit limit, në vlerën prej 100,001,686 lekë, përfituar padrejtësisht nga operatori ekonomik fitues i prokurimit me objekt: “Studim, projektim zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës”.
6. Përfitim i padrejtë, nga sipërmarrësit e punimeve të ndërtimit, të vlerave monetare për punime të pakryera, u konstatua nga auditimi i zbatimit të punimeve të objektit “Sistemim, Asfaltim Unaza Ersekë”, ku rezultoi një përfitim i padrejtë nga ana e sipërmarrësit të punimeve në vlerën 2,332,658 lekë. 
7. Ekzistenca e mangësive dhe shkeljeve të rëndësishme procedurale në hartimin e termave të referencës, hartimin e dokumenteve standarde të tenderit, vendosjen e kritereve të veçanta kualifikuese, vlerësimit të ofertave, si dhe lidhjen dhe zbatimin e kontratave, konstatohet se ARRSH nuk ka një preventiv tip për orientimin e operatorëve ekonomikë konkurrues, mbi te cilin të vlerësojë ofertat e operatorëve ekonomik.
8. Çmimet e ofertave të paraqitura nga operatorët e ndryshëm ekonomik në procedurat e prokurimit rezultojnë të fryra artificialisht me zëra shpenzimesh të pajustifikueshme dhe jo në përputhje me termat e referencës (si punime ambientale, qira zyre, energji elektrike, licenca, punime shpronësimi, etj) duke rezultuar në një rritje të kostos së shërbimit, ku në raste të caktuara zërat indirekte të kostos së shërbimit arrinin në rreth 70% të kostos direkte të shërbimit të prokuruar.
9. Abuzim me vendosjen e kritereve të veçanta të kualifikimit, me qëllimin e shpalljes fitues të operatorëve të caktuar ekonomik.
10. Cilësimi i mirëmbajtjeve të tuneleve si “investime” dhe jo si “shpenzime korente” duke sjellë një deformim të kostos së investimeve në zërin “rrugë” dhe të kostos së mirëmbajtjeve të këtyre tuneleve.