“S’ka asnjë masë mbrojtëse. Punëtorët e demontimit, të rrezikuar nga lëndët kimike”

509
Sigal

KOMBINATI I POLIÇANIT/ Flet ish-kimisti, Servet Muka: Ja masat që duhet të merren për shëndetin e 350 punëtorëve

Punonjësit e repartit të demontimit të predhave në Poliçan janë të rrezikuar nga lëndët helmuese të llojeve të ndryshme. 350 punëtorët e këtij reparti janë të ekspozuar ndaj rrezikut të lëndëve kimike që çlirohen nga çmontimi i predhave të dimensioneve të ndryshme. Të gjithë punëtorët të rendur pas punës, si mënyrë jetese nuk kanë marrë parasysh asnjë rrezik, i cili gradualisht po dëmton organizimin e tyre. Të punësuarit, këtë lloj pune e kanë parë si një dritë jeshile për këtë vend, i cili vuan nga varfëria dhe nga numri i madh i të papunëve, por e gjithë kjo mirësi ka edhe pasojat e veta, të cilat shfaqen me kalimin e viteve.

Ambienti

Në vendin, ku janë lëndët kimike nuk ka asnjë masë mbrojtëse për shëndetin e punonjësve. Në ambientin, ku demontohen predhat çlirohet dioksid karboni (CO2). Kjo lëndë ndot të gjithë mjedisin, ku punohet. Baruti që del nga çmontimi i predhave grumbullohet dhe më pas ai ekzekutohet duke u djegur. Por gjatë kohës që ai qëndron i grumbulluar në ambientet e repartit çlirohen elementët kimik. Specialisti kimist, ish-ushtaraku Servet Muka u shpreh për “Telegraf” se, baruti dhe dioksidi i karbonit që krijohen nga demontimi i predhave janë tej mase të rrezikshme për jetën e njerëzve dhe në veçanti për ata punëtorë që punojnë direkt në këtë punë. “Këto lëndë kimike veprimin e tyre në organizëm e kanë të mëvonshëm, ku japin pasoja të rënda për jetën e njeriut”, tha Muka.

Kombinati

Burime të sigurta nga Kombinati bëjnë me dije se reparti, ku punohet për demontimin e predhave nuk ka aspirator të fuqishëm për të pastruar ambientin. Prandaj punëtorët që punojnë direkt në prodhim apo demontim të predhave duhet të trajtohen sipas sigurisë teknike. Për këtë çështje kimisti Muka sqaron: “Punëtorëve shpeshherë duhet t’u bëhet një trajtim shëndetësor. Atyre duhet t’u bëhen analizat në Spitalin Ushtarak për të parë sesa kanë depërtuar lëndët kimike në organizmin e tyre. Në bazë të kësaj duhet të marrin edhe kurimin përkatës, në mënyrë që jeta e tyre të mos jetë në rrezik. Madje, çdo punëtor para fillimit të punës çdo mëngjes duhet të pijë një gotë me qumësht”. Është për t’u theksuar se, në Kombinatin e Poliçanit 80 për qind e reparteve kanë qenë kimik dhe specialistët i dinë shumë mirë pasojat që vijnë nga lëndët kimike. “Vitet e diktaturës që kemi kaluar kanë pasur me prioritet zbatimin e sigurimit teknik dhe trajtimin e punëtorëve, duke filluar nga analizat, antidoda (qumësht) dhe shërbime të tjera shëndetësore. Por edhe pse janë marrë masa të forta në atë kohë sot shumica e ish-punëtorëve që kanë punuar në repartet e kimisë vuajnë pasojat e lëndëve kimike. Një pjesë vuajnë nga mushkëritë, pjesa tjetër nga zemra, nga kockat etj., pa harruar të theksojmë këtu se një pjesë e tyre u bënë invalid para kohe nga sëmundjet e krijuara nga këto lëndë. Po sot që nuk merren masat, si do të jetë në të ardhmen shëndeti i 350 punëtorëve të repartit të demontimit? Dhe të mendosh për pasojat në këtë rast është e dhimbshme”, tha Muka.