Firma “Todini” sh.p.k ka një vit që nuk na paguan dhe punëtorët shqiptarë po vdesin për bukën e gojës

653
Sigal

 Protesta të fuqishme të firmave nënkontraktore  të ndërtimit të  autostradës Levan-Tepelenë kundër firmës italiane

Ka ditë që pesë firma shqiptare me rreth 250 punëtorë, nënkontraktor në ndërtimin e autostradës Levan –Tepelenë  protestojnë kundër firmës italiane “Todini” sh.p.k, e cila është shpallur nga shteti shqiptar si fituese e tenderit të autostradës së jugut. Shkaku i protestave  është bllokimi i parave dhe moslikuidimi i tyre nga firma italiane “Todini” sh.p.k . Në krye të protestuesve qëndronin  punëtorët, specialistët dhe drejtues të firmave shqiptare, të cilët kërkonin nga kompania italiane “Todini” sh.p.k, likuidimin e parave për punët e bëra pasi punëtorët ishin zhytur në borxhe dhe po vdesin për bukën e gojës.  Sikur të mos mjaftonte skandali i bllokimit të autostradës prej  rrëshqitjeve masive si rezultat i  punës së dobët të kësaj kompanie, por edhe mosdhënia e pagesave për punëtorët shqiptarë, të cilët flenë me ëndrra se një ditë agallarët e ardhur nga Italia do vënë dorën në zemër për t’u paguar  djersën e ballit. Italianët e “Todini”-t po luajnë  me gjakun e shqiptarëve, duke u majmur për vete çdo ditë dhe s’duan të dinë pasi këtu shteti është i kapur dhe rruga e vetme për kompanitë nënkontraktore janë paditë, protestat ndaj qeverisë shqiptare, bllokimi i rrugëve dhe mjete të tjera demokratike . Të lësh 1 vit pa paguar punëtorët e shkretë është krimi më i madh që mund të bëjë dikush ndaj bukës së fëmijëve të shqiptarëve të varfër. Kompania italiane ka filluar shpërnguljen dhe burimet bëjnë të ditur për “Telegraf” se, brenda 10 ditëve kjo kompani do të shpërngulet.  Heshtja e shtetit tregon se, struktura të veçanta janë të implikuar dhe se Bujar Leskaj kreu i KLSH-së, Kryeprokurori i ri Adriatik Llalla  si dhe krimi ekonomik duhet të vënë para përgjegjësisë batakçinjtë që kërkojnë të luajnë me sakrificat dhe bukën e gojës të njerëzve të varfër, durimi, i të cilëve po merr fund dhe se shpërthimi  pritet nga dita në ditë të jetë i paimagjinueshëm. Qeveria “Berisha” ta harrojë se do të ketë mbështetjen e katër viteve më parë në Qarkun e Fierit, pasi punëtorët që po vuajnë për bukën e gojës shpërfillen nga shteti, i cili po mbron kompaninë “Todini” sh.p.k. Ndërkohë që, autostrada më e re Levan-Tepelenë, vazhdon të jetë e bllokuar nga dherat e shumta dhe rrëshqitjet masive, duke e bërë të vështirë kalimin e automjeteve në këtë aks rrugor.  Janë mbi 300 mijë metër kub gurë, të cilët kanë rënë nga faqja e malit duke bllokuar kalimin saktësisht në 100 metra të kësaj rruge nga të dyja anët, gjë që, detyroi ndërmarrjen e mirëmbajtjes që të hapin një rrugë provizore. Por drejtuesit e automjeteve, furgonave dhe autobusëve ndihen të kërcënuar nga mungesa e sigurisë rrugore. Ata deklarojnë se rrëshqitja e faqes së malit tregoi papërgjegjshmërinë e punimeve të firmës “Todini” sh.p.k, si dhe bashkëfajësinë e atyre që kanë pranuar cilësinë e këtyre punimeve. Likuidimi i punimeve është një tjetër veprim i rëndë dhe me pasoja ekonomike dhe financiare për shtetin shqiptar në këtë situatë krize ekonomike. KLSH-ja deklaroi se do të nisë kontrollin e këtij aksi rrugor, duke verifikuar shpalljen e fituesit, detajet e punimeve,likuidimet, rolin e Drejtorisë së Rrugëve dhe fajet e supervizorëve. Do të investigojmë çdo detaj u shprehën para pak kohësh ekspertët e KLSH-së, kur ndodhi edhe katastrofa më e rëndë në rrugët shqiptare, ajo e rrëshqitjes masive në aksin Levan-Damës, pranë fshatit Kremenarë të Komunës Fratar.

Por Drejtoria e Qarkullimit Rrugor në Fier thotë se, edhe 500 metra të tjerë përgjatë kësaj rruge rrezikojnë shembjen dhe jetën e qytetarëve që kalojnë në këtë rrugë ndërkohë që, italianët po përgatiten të ikin.