E ardhmja e Shqipërisë për në BE nis nga kujdesi për personat e paaftë

562
Sigal

VENDIMI/ Nuk vihet në zbatim kompensimi për faturën e energjisë elektrike dhe faturën e telefonisë fikse

Kanë kaluar 7 muaj nga ndryshimi i ligjit që në zbatim të tij është nxjerrë vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 404 datë 20.6.2012 “Për caktimin e masës së kritereve e të procedurave të përfitimit të kompensimit financiar, nga Personat me statusin e të Verbrit dhe invalidit, Para e Tetraplegjik, për faturën e energjisë elektrike dhe faturën e telefonisë fikse” (botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 82 datë 17 korrik 2012) dhe ende nuk është vënë në zbatim ky kompensim qesharak. Është fakt se, ndryshimi i ligjit 8098 datë 28.03.1996, i statusit të të verbrit, u privoi njerëzve të kësaj kategorie një varg të drejtash, për të lehtësuar detyrimet e qeverisë për këtë shtresë. Pasi kanë kaluar muaj të tërë shqetësimi i ndryshimit të ligjit, u bë njësh me problemet financiare për të paguar faturat në masën 100 % dhe u rrit ankthi i invalidëve për kompensimin e faturave të energjisë elektrike dhe telefonisë fikse, sepse asnjë dritë jeshile nuk shfaqet në horizont . Invalidët në Shqipëri jetojnë çdo ditë me frikën për mbijetesë që mbillet nga një qeverisje e keqe dhe ushqehet nga ligje të helmatisura që varfërojnë dhe shkatërrojnë  ekuilibrat socialë edhe pse aludimet e kreut të ekzekutivit, se vendi ynë po kalon një periudhë të qëndrueshme e progresive ekonomike. E si mund të paguhen faturat e invalidëve, kur ata nuk po marrin as të ardhurat mujore të paaftësisë nga bashkitë e komunat e vendit ? Me çfarë të paguajnë detyrimet  ndaj CEZ dhe “Albtelecom” kur, në shtëpitë e tyre mungojnë edhe ilaçet që duhet të rimbursoheshin kur në bazë të ligjit, invalidët e plotë duhet t’i përfitojnë mjekimet falas dhe invalidët e pjesshëm duhet të paguajnë vetëm 50% të vlerës së tyre. Kujt t’i drejtohen për shqetësimet e tyre kur qeveria jonë mbyll  veshët për zërat e lodhur të qytetarëve të vet? Në fundin e vitit 2011 u aprovua buxheti për të gjithë vitin në vazhdim. Pjesë e tij ishte dhe fondi i akorduar për mbi 147 mijë persona të paaftë, por për muaj me radhë në mjaft komuna e bashki nuk po shpërndahet ky fond. Me të drejtë secili nga ne mund të ngrejë pyetjen: Për çfarë u përdor ky fond dhe përse nuk shkoi në destinacionin e parashikuar qysh një vit më parë për buxhetin e vitit 2012? Me çfarë të drejtë pushteti qendror neglizhon pagesën mujore të paaftësisë kur nga këto të ardhura varet drejtpërdrejt jeta e kësaj shtrese të shoqërisë, e cila nuk ngjason aspak me atë të një invalidi në një vend tjetër të BE. Ndërkohë që ministri i Ministrisë së Punës, Çështjeve sociale dhe Shanseve të barabarta, z.Spiro Ksera flet me krenari dhe kompetencë për rritje dyfish të fondit për Personat me Aftësi të Kufizuara e që arrin deri në 13 miliardë, është kjo ministri në shënjestër të përgjigjeve që kemi marrë nga Ministria e Financave për mos akordim të fondeve për personat e paaftë. I gjithë ky paradoks i Ministrisë së Punës, po dëmton rëndë shtresën e paaftësisë dhe gjithashtu tregon dobësinë e pushtetit qendror ndaj zgjidhjes së problemeve të një shtrese që kërkon përkrahje të plotë shoqërore e juridike. Në progres-raportin e vitit 2011 të BE-së për Shqipërinë është theksuar se “…progresi në trajtimin e personave me aftësi të kufizuara është i pamjaftueshëm”. Kjo fjali e shprehur nga BE nuk tregon gjë tjetër veç të vërtetave të pamohueshme të trajtimit të invalidëve në shoqërinë shqiptare. Fillimisht ndryshohet nga shumica e thjeshtë në Parlament ligji i miratuar disa vite më parë, më pas vendoset një kompensim i turpshëm për energjinë elektrike e telefoninë fikse duke mbyllur sytë përballë protestave të pareshtura të njerëzve të sëmurë. Edhe pse kanë gurin e arrën në dorën e tyre, përsëri nuk po japin as kompensimet në bazë të ndryshimit të ligjit të  botuar në fletoren zyrtare qysh më 17 korrik. Me të gjitha këto të vërteta të hidhura, të cilat vijnë për shkak të interesave të ngushta të qeverisësve tanë, le ta dinë njëherë e përgjithmonë se nëse një ditë do të bëhemi pjesë e BE-së, nuk do të vijë për mëshirë, por për shkak të ndryshimeve të thella që duhet të nisin fillimisht ndaj shtresës tonë. Në një kohë kur Shqipëria nuk e merr as për të tretën herë statusin e vendit kandidat në BE dhe kur çështja e trajtimit të invalidëve është një nga 12 detyrat e shtëpisë, të lënë nga BE-ja për vendin tonë sjelljet e padrejta me invalidët mund të jenë deçizive për një vendim të padëshiruar për shqiptarët e 1 një shekulli pavarësi pasi e ardhmja e Shqipërisë për në BE nis nga kujdesi për personat e paaftë.