Shqipëria e Madhe/ Ambasadori Mal Berisha përplaset me ministrin grek në Oxford

523
Ambasadori Shqiptar në Britaninë e Madhe, Mal Berisha përplaset ashpër me Ministrin e Jashtëm grek, Nikos Kotzias në një takim të zhvilluar dje në Univeritetin Oxford.
Ministri grek po prezantonte politikën e jashtme greke. Gjatë bisedës ai hodhi akuza të rënda ndaj Shqipërisë kur tha:
“…Këto plane janë të njëjta me – dhe po aq kundërproduktive sa – planet e atyre që ëndërrojnë për një Shqipëri të madhe dhe prodhojnë harta (të një Shqipërie të Madhe) e cila përfshin pjesë të Greqisë së Veriut dhe ishujve në Detin Jon. Në veçanti, partneri i ri në qeveri partia PDIU e cila është “pasardhëse” e partive naziste nga koha kur rajoni ishte në pushtimin nazist” i dëmtojnë marrëdhëniet tona”.
Ai gjithashtu shprehu shqetësimin mbi, sic tha ai “shkeljen e të drejtave të minoritetit grek indogjen në Shqipëri”.
Më pas ai u ndal tek mosrespektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, sic e cilësoi Kotzias, nga ana e Shqipërisë. Kotzias shtoi se shqiptarët duhet të vlerësojnë faktin se Greqia vazhdon të jetë burim të ardhurash monetare nga emigrantët shqiptar që punojnë në Greqi dhe se iu është dhënë e drejta e shtetësisë fëmijëve të emigrantëve të lindur në Greqi. Biseda e tij u bë në një sfond me një hartë të vjetër të Europës.
Ambasadori shqiptar Mal Berisha ndërhyri menjëherë dhe i kujtoi atij se harta me të cilën po ilustronte bisedën ishte një hartë gjeopolitike të cilës i mungonin dy vende të Ballkanit – Kosova dhe Mali i Zi.
Më tej ai shtoi se në Shqipëri nuk ka pasur kurrë dhe as që ka parti naziste.
“Një parti e tillë dihet se ekziston në Greqi dhe sipas mediave greke ajo është anëtare e parlamentit grek. Nëse bëhet fjalë për nënkryetarin e parlamentit shqiptar, ai nuk ka asnjë lidhje me nazizmin dhe në Shqipëri nuk ka as një parti ekstremiste as të djathtë as të majtë. E drejta për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur në Shqipëri garantohet me Kushtetutë dhe Parlamenti Shqiptar është një organ Sovran. Ndërkohë asnjë organizatë ndërkombëtare nuk ka përmendur ndonjëherë praninë e partive ekstremiste në Shqipëri”.
Sa i takon trajtimit të minoritetit grek në Shqipëri, Ambasadori shqiptar i tha Ministrit Grek se ata gëzojnë tëra të drejtat sipas kartave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
“Shqiptarët, trajtimin njerëzor të grupeve tjera etnike e kanë në traditën e tyre. Po ashtu ai iu drejtua audiencës se Shqipëria është shembulli më unik në Europë në mënyrën se si i trajtoi hebrejtë gjatë periudhës së Hollokaustit duke e trefishuar popullsinë e tyre, pa humbur asnjë jetë, në një kohë kur në tërë Europën numri i tyre u reduktua për shkak të bashkëpunimt të vendeve ku ishin ata me nazistët”, tha ambasadori Berisha.
Sa iu takon emigrantëve shqiptar, Ambasadori tha se është e vërtetë që ata kanë sjellë të ardhura në Shqipëri, por janë po ata që në 25 vjet kanë kontribuar në zhvillimin ekonomik të Greqinë.
Sigal