Shpëtim Gjika bënë një falënderim mbarëkombëtar pas festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë

528
Sigal

Kryebashkiaku i Vlorës: “Askush nuk mbeti pa marrë pjesë në festën e madhe të kombit tonë”

 Vetëm pak ditë nga mbyllja e festimeve madhështore që u bënë në Vlorë në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika me anë të një prononcimi për median bënë një falënderim mbarëkombëtar pas festimeve. Gjika u shpreh: “Në 28 Nëntor, qyteti ynë i përbashkët dhe gjithë shqiptarët përjetuam ngjarjen më të madhe në historinë tonë, atë të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Në 28 Nëntor dhe ditët që i paraprinë kësaj date, Vlora u shndërrua në kryeqendrën e të gjithë shqiptarëve, në kryeqytetin historik dhe atë shpirtëror të të gjithë bashkëkombësve. 100 vjet pas ditës kur, Ismail Qemali dhe burrat e ndritur të kombit, shpallën Shqipërinë e pavarur, qyteti ynë u rikthye në dimensionet e kremtimit të një ngjarjeje të tillë, me të gjithë madhështinë dhe shkëlqimin që meriton ajo. Në 28 Nëntor, në Vlorën tonë ishte Kosova, ishte Çamëria, ishte Maqedonia e Mali i Zi, ishin të gjithë shqiptarët e diasporës, nga Evropa në Amerikë, nga Australia në Argjentinë. Askush nuk mbeti pa marrë pjesë në festën e madhe të kombit tonë. Këtu, në Vlorën e Flamurit, ishin Mitrovica e Gjilani, ishte Peja e Prizreni, Prishtina e Kaçaniku, Luniku e Drenica, Skënderaj e Klina, Struga e Tetova, Shkupi e Ohri, Tuzi e Ulqini, Tirana e Shkodra, Durrësi e Elbasani, Lushnja e Berati, Tropoja e Skrapari, fizikisht 1 milionë shqiptarë, por shpirtërisht e me zemër, 7 milionë të tjerë. Për të qenë bashkë në vatrën e ndezur të atdhetarizmit, në Vlorën e Ismail Qemalit, të Isa Boletinit e Luigj Gurakuqit, të Jani Mingës e Hasan Prishtinës, të Marigo Posios e patriotëve të mëdhenj, që e skalitën historinë me emrat e tyre. Ashtu si 100 vjet më parë, ne i pritëm me zemrat tona”, tha Gjika. Kryebashkiaku gjithashtu u shpreh: “Me 28 Nëntorin e 2012-ës, ne treguam madhështinë tonë.  Ne treguam se dimë të jemi krenarë me historinë, dimë të jemi krenarë me veten dhe dinjitetin tonë, ne dimë të jemi krenarë për paraardhësit tanë, për babanë e kombit, për Ismail Qemal Bej Vlorën dhe shokët e tij të idealit, ne dimë të jemi krenarë me ditëlindjen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, që nisi këtu, në Vlorën tonë, në Vlorën e shqiptarizmit. Për më shumë se një vit, dikush u përpoq që ta sfumonte këtë datë, të zvogëlonte dimensionet e 28 Nëntorit dhe të vetë Qytetit të Flamurit. U përpoq të zhdukte emra e të nxirrte nga harresa të tjerë. Dikush, synoi të zhvendoste historinë dhe ta ribënte nga e para, synoi të shkatërronte monumente e të ngrinte statujëza, të nxirrte nga hiri i harresës ata që historia i ka mbuluar me turp një herë e përgjithmonë dhe të mbulonte diellin që shkëlqen. Për më shumë se një vit, u sajuan e u servirën ngjarje e dokumente, u përdorën firma e historianë të dyshimtë.  Dhe të gjitha këto, me një objektiv të vetëm: të eklipsonin Vlorën dhe historinë, të hidhnin baltë mbi vetë 28 Nëntorin, mbi ata që e bënë atë, që risollën në piedestalin e kuq të lavdisë, Flamurin e kuq të Skënderbeut. Vlora e 28 Nëntorit të vitit 2012, dëshmoi se asgjë dhe askush nuk mund të na lëkundë besimin tek të vërtetat tona. Vlora ka qenë dhe mbetet kryeqyteti i Pavarësisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kryebashkiaku Shpëtim Gjika ndër të tjera u shpreh: “Historia flet vetëm një herë. E kundërta nuk mund të ndodhë. Unë jam krenar, që jam kryetar i Bashkisë në këtë 100 vjetor. Jam krenar për ju bashkëqytetarë të mi, që ngritët vlerat e këtij qyteti, duke bashkuar vlerat tuaja. Prandaj dhe ju falënderoj për gjithçka bëtë për Festën e Flamurit, që ajo të mbetet krenaria më e madhe e kombit”.

Falënderimi

 -Ju falënderoj për gatishmërinë, për shpirtin që treguat. U jam mirënjohës të gjithë të rinjve dhe të rejave, qytetarëve të të gjitha moshave, veteranëve, të gjithë bashkëqytetarët e mi që, në këto ditë feste mbajtën në shpirt e në zemër vetëm një Flamur:  Flamurin e Skënderbeut e të Ismail Qemal Vlorës

-Falënderoj të gjithë shqiptarët nga të gjitha trevat, që ishin me ne këtu.

-Falënderoj të gjithë ata artistë nga Kosova e Maqedonia, nga Mali i Zi e Amerika, që i dhanë ngjyra kësaj feste.

-Falënderoj të gjithë miqtë që u bashkuan me ne, me Ditën e Flamurit në vendin e rilindjes së tij.

-Falënderoj gjithë bizneset vlonjate dhe Dhomën e Tregtisë së Vlorës që u bënë pjesë e kontributit për Vlorën në këtë përvjetor të madhërishëm të Shtetit Shqiptar!

-Falënderoj në mënyrë të veçantë Policinë e Shtetit, Drejtuesit e saj, gjithë strukturat dhe punonjësit e policisë në Vlorë, për angazhimin dhe bashkëpunimin e tyre në mbarëvajtjen e të gjithë aktiviteteve dhe veçanërisht të dy ditëve të fundit, për ta mbajtur këtë datë dhe këtë festë në lartësinë që ajo dhe gjithë shqiptarët e meritojnë.

-Falënderoj median shqiptare, lokale e qendrore, të shkruar dhe elektronike, që shpalosi me realizëm vlerat tona më të mira, idealet tona më të shenjta, shpirtin tonë kombëtar, Vlorën tonë të së djeshmes, të sotmes e së ardhmes.

-Dhe në fund, jo për nga rëndësia apo radha, një falënderim për gjithë administratën e Bashkisë Vlorë.

-Ju faleminderit