“Shpërthimi” i Plasarit: Pse Xhorxh Soros është i rrezikshëm

750
Ish-drejtori i Bibliotekës Kombëtare shpjegon akuzat e tij ndaj miliarderit të njohur

Aurel Plasari, i ftuar në “E diell” nga Adi Krasta, ka folur për një sërë problemesh që nga djegia e librave në Bibliotekën Kombëtare dhe deri tek reforma të dështuara nga “kryeshërbëtori” siç ai e etiketon kryeministrin Rama. Në intervistën e gjatë të tij, Plasari tregoi një incident dhe faktin se përse vazhdimisht ai shkruan se Xhorxh Soros është një rrezik kombëtar.

“Soros ka ardhur në Shqipëri më 1993 dhe më ka sulmuar mua. Në konferencën që ka mbajtur më ka sulmuar për detyrën që unë mbaja. Ai ka ardhur nga p… i s… të më sulmojë mua në Shqipëri. A mund t’i shkoj unë në SHBA atij dhe ta sulmoj”, u shpreh Plasari. Ai shtoi se atëherë thoshte, që nuk mund të japin mësim nxënës pa diploma që promovonte Soros. “Edhe 2 vite më vonë unë dhe një grup studentësh ishim të ftuar në një takim në SHBA. Ambasadori amerikan në Shqipëri në atë kohë aprovoi vizat për studentët dhe për mua jo. Kjo është e paprecedentë që një ambasador të shfryjë mllefin personal”, nënvizoi Plasari.

“Fuqia e këtij njeriu do të ishte që unë do të ndëshkohesha ose do të largohesha nga ajo detyrë. Çuditërisht pas takimit me presidentin e atëhershëm, të nesërmen në mënyrë të pacipë njoftoi që pranonte dorëheqjen e drejtorit të fondacionit SOROS. I jam mirënjohës Presidentit të atëhershëm për çfarë ka thënë për të vërtetat me njerëzit e fondacionit”, tha Plasari, duke shtuar se është marrë me ta kur e kanë ngacmuar. 

“Jam marrë 1 vit më përpara kur më ka ngacmuar një nga këlyshët e vegjël, një kone që na tregon; bëni një libër për demokracinë në Shqipëri. E promovon kryeshërbëtori me disa shërbëtorucë të tjerë. Çfarë bën ai në atë libër të paguar nga SOROSI? Ai tregon sa i keq është Sali Berisha, sa i mirë është Edi Rama, sa i mirë është Remzi Lani, sa i keq është Aurel Plasari, sa i mirë është filani i Sorosit, sa i keq është Rudolf Marku”, tha ndër të tjera Plasari.

Aktiviteti i Sorosit në Shqipëri dhe disa vende të tjera është kritikuar, veçanërisht për ndikimin në jetën politike. Fondacioni i miliarderit të njohur është vënë në akuzë në shumë vende për promovimin e politikanëve të ndryshëm, ndërsa nuk kanë munguar edhe ankesat zyrtare të senatorëve pranë qeverisë amerikane. 

Në Shqipëri, ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar miliarderin Xhorxh Soros për ndikim në hartimin e reformës në drejtësi në Shqipëri dhe kërkoi shpalljen e tij “non grata”. Berisha ka thënë, se një e vërtetë e madhe po del sot si drita e diellit para shqiptarëve e do të dalë edhe më shumë. Ish-kryetari i PD-së u shpreh, se draftin e reformës e hartuan me specialistë të huaj, natyrisht majmërisht të paguar nga Xhorxh Soros. Ai e cilësoi Sorosin si “kryekorruptor në botën e lirë, njeriu që përdor bilionët për të korruptuar politikanët”. Berisha tha, se marrëveshjen e shkelmojnë vetëm ata që janë zuzarë, njeriu i qytetëruar nuk e shkelmon kurrë marrëveshjen, pavarësisht nga çmimi që mund të ketë. “Me urdhër të Xhorxh Sorosit, Edi Rama shkeli marrëveshjen, me urdhër të Xhorxh Sorosit u votuan të gjitha ligjet pa opozitën, me urdhër të Xhorxh Sorosit ligjet u rikthyen ashtu siç i donte Edi Rama, duke shkelmuar plotësisht Kushtetutën”, tha ish-kryeministri. Gjithashtu, Berisha i bëri thirrje Senatit Amerikan, Kongresit Amerikan të bëjë ligje që t’i ndalojë çdo veprim Sorosit, “kësaj mostre në demokracitë e reja, në të cilat ai favorizon krimet, favorizon bandat, favorizon regjimin e banditokracisë”. “I bëj thirrje PE të hetojë tentakulat e tij në KE e kudo dhe të ndërpresë veprimet e tij. Një njëri si ai meriton vetëm një ‘non grata’ kudo”, tha ish-kreu demokrat.
Sigal