Shkollat publike të Durrësit, pa ngrohje këtë dimër

1966
Sigal

Mjediseve shkollore u mungon mirëmbajtja e vazhdueshme. Mungesa e fondeve e bënë gjendjen skandaloze

Gjendja në shkollat e Durrësit është me shumë probleme. Mungesa e fondeve (bashkia ka 3 muaj që nuk ka as fond pagash) ka bërë që gjatë këtij viti të mos bëhet asnjë ndërhyrje rregulluese asnjë shkollë të qytetit të Durrësit. Kjo bie në sy edhe tashmë që ditët e ftohta të këtij dimri nisën dhe mes të tjerave, nxorën në pah si mungesën e sistemeve ngrohëse nëpër shkolla, veçanërisht në klasat e arsimit fillor, ashtu edhe mungesën e buxhetit në këtë drejtim. Garantimi i infrastrukturës për zhvillimin normal të procesit mësimor-edukativ në çerdhe, kopshte dhe shkolla është detyrim i njësive vendore. Në këtë këndvështrim, është detyrim i Bashkisë së Durrësit t’u sigurojë mjediseve të çerdheve, kopshteve dhe shkollave gjithë mbështetjen e nevojshme për mirëfunksionimin e tyre. Por, në një kohë kur për çerdhet dhe kopshtet parashikohen fondet e nevojshme edhe për ngrohjen e tyre, për shkollat nuk parashikohet asnjë lekë në këtë drejtim. Madje, edhe për mirëmbajtjen në të tjera drejtime fondet parashikohen me pikatore.

Mungesa e ngrohjes në shkolla

Pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale të Durrësit mësohet se asnjë shkollë publike në territorin e Bashkisë së Durrësit nuk ka ngrohje. Kjo konsiderohet një pengesë për zhvillimin e procesit mësimor në kushte normale. Kjo pengesë bëhet edhe më e madhe kur nxënësit janë ata të arsimit fillor. Sipas statistikave të rrethit, në territorin që ndodhet nën juridiksionin e Bashkisë së Durrësit janë rreth 28 shkolla të arsimit të detyrueshëm 9-vjeçar dhe të arsimit të mesëm, por në asnjërën prej tyre nuk ka sistem ngrohje, të përqendruar ose të ndarë në klasa. Por mungesat janë të shumta. Mjediseve shkollore u mungon mirëmbajtja e vazhdueshme, si: lyerja, rregullimet e ndryshme, ruajtja, etj.. Ajo çfarë ndodh thuajse në të gjitha shkollat është e njëjtë: sipas mësuesve të ndryshëm mësohet se kërkesat për mirëmbajtjen e infrastrukturës mbulohen përmes bashkëpunimit me prindërit. Prindërit kontribuojnë me fonde, ose edhe në natyrë, për të përmbushur nevojat që shkollat mund të kenë për mirëmbajtje, si: lyerje, rregullime oborresh, vendosje xhamash të thyer, etj.. Në disa raste ka patur tentativa që klasat të mund të ngrohen përmes pajisjeve elektrike, por kjo gjë ka dështuar. Në pjesën dërrmuese të shkollave, rrjeti elektrik i godinave është aq i vjetër dhe i amortizuar sa nuk mund të mbajë ngarkesën e pajisjeve ngrohëse, madje mund të bëhen shkak edhe për probleme.

Buxheti i Bashkisë, mungesë fondesh për mirëmbajtje

Gjatë viteve të fundit, në Durrës janë rikonstruktuar dhe ndërtuar disa shkolla. Gjatë vitit 2011, në Durrës u rikonstruktuan plotësisht dy shkolla 9-vjeçare dhe u kryen rikonstruksione të pjesshme në gjashtë shkolla të tjera, duke përdorur një fond të përgjithshëm prej afro 37 milionë lekë. Gjatë vitit 2011, u rikonstruktuan plotësisht shkollat 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë” dhe “Eftali Koçi”, ndërkohë që, pjesërisht u rikonstruktuan janë rehabilituar gjashtë shkolla të tjera. Me një donacion të qeverisë së Holandës u mundësua rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Met Hasa” në Spitallë. Ndërkohë, këtë vit, me fondet e programit “Cilësi dhe Barazi në Arsim” të Bankës Botërore u ndërtua krejtësisht e re shkolla 9-vjeçare “Bajram Curri 1” në Plazh, ndërkohë që në zonën e ish-Kënetës u ndërtua një shkollë e re e mesme. Për këtë vit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka financuar edhe ndërtimin e dy shkollave të tjera të reja, në territorin e Qarkut të Durrësit. Përkundrejt këtyre investimeve, buxheti i bashkisë së Durrësit nuk ka pasqyruar atë që duhet të ishte detyrim i tij. Për këtë vit, në buxhetin e bashkisë ishin programuar vetëm ndërhyrje rikonstruktuese në tre objekte shkollore. Për fat të keq, për shkak se administrata e Bashkisë së Durrësit nuk ka mundur të mbledhë as 70 për qind të të ardhurave, buxheti, në fakt, u zvogëlua aq shumë sa fondet u përgjysmuan. Në këto kushte, rregullimet në shkollat e mesme “Jan Kukuzeli”, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe “Naim Frashëri” do të mund të zbatohen vetëm vitin e ardhshëm, duke u hyrë në hak kështu tre ose katër shkollave të tjera që mund të ishin rikonstruktuar.

Problemet me buxhetin

Në buxhetin e këtij viti nuk gjetën fare pasqyrim problemet e shkollave 9-vjeçare “Jusuf Puka” dhe “Bedrie Bebeziqi”, që fusin ujë nga të katër anët. Në të njëjtën mënyrë, as problemet e mbartura prej vitesh të shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri 2” nuk u bënë objekt zgjidhje. Për buxhetin e vitit të ardhshëm të Bashkisë së Durrësit, Drejtoria Arsimore Rajonale ka kërkuar që të ndërhyhet në rikonstruksionin e 19 shkollave të ndryshme. Duke qenë se është një procedurë që duhet të respektohet, Bashkia e Durrësit komunikon me shkollat, duke u kërkuar atyre problemet që kanë në infrastrukturë. Por, kjo është një procedurë që vetëm sa respektohet në letër, se fondet edhe për shkak të përplasjeve politike mes të majtëve që zotërojnë bashkinë dhe të djathtëve që zotërojnë shumicën në Këshillin Bashkiak edhe kur është mundësia nuk miratohen.

Edhe ndërtesat e shkollave të reja fusin ujë

Sipas të dhënave që ka Drejtoria Arsimore Rajonale e Durrësit, shkollat më problematike janë shkollat 9-vjeçare “Met Hasa”, “Neim Babameto”, Hasan Koçi”, “Isuf Ferra”, “Dom Nikoll Kaçorri”, “Bajram Curri 2” dhe “Jusuf Puka”. Duke i parë problemet që ato kanë, vëren se në shumicën e rasteve ato lidhen me rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza, sistemet hidro-sanitare të banjove dhe tarracat që fusin ujë. Shkollat 9-vjeçare “Neim Babameto”, “Dom Nikoll Kaçorri”, “Met Hasa”, etj., janë shkolla që, ose janë ndërtuar të reja vetëm pak vite më parë, siç është shkolla e Kënetës, ose janë shkolla që i janë nënshtruar rikonstruksioneve të plota ose të pjesshme para dy ose tre viteve. Ky realitet do të thotë vetëm një gjë: në këto shkolla, ashtu si edhe në të tjerat, për vite me radhë nuk ngulet as edhe një gozhdë, as sa gjendja vjen në atë pikë sa do të duhet, sa i përket fondeve të nevojshme, një rikonstruksion i barabartë deri edhe me një ndërtim prej së pari. Problematika e shkollave të sipërpërmendura është e lidhur ngushtë me faktin se në mjediset e tyre prej vitesh nuk investohet asgjë për mirëmbajtje. Në shkollën 9-vjeçare “Met Hasa” raportohet se problematike është gjendja alarmante e sistemit hidraulik të banjove.