Fino dhe Kadeli: “Ja ku i dërgon PD-ja paratë për fushatën elektorale”

444
Sigal

Qeveria paraqiti dje tjetër grand të pakushtëzuar  për bashkitë nga ai i 26 nëntorit

Dje në Kuvend, në seancën parlamentare të miratimit nen për nen të p/buxhetit të 2013-s, Komisioni  parlamentar i Ekonomisë dhe ministria e Financave paraqitën tjetër grant të pakushtëzuar për bashkitë dhe komunat, nga ai që kishte paraqitur më 26 nëntor, kur ky p/buxhet i 2013-s u paraqit për t’u miratuar në parim. Sipas maxhorancës, këto ndryshime u bënë për të pasqyruar ndryshimet e popullsisë që kanë ndodhur në bashkitë, në bazë të të dhënave më të fundit që u publikuan në censusin e Ministrisë së Brendshme. Kjo ngjalli kundërshti nga opozita dhe deputeti i PS-së, Bashkim Fino, duke iu referuar shifrave, shumë herë ngriti pyetjen, si ka mundësi që në bazë të censusit të publikuar nga qeveria, popullsia në bashkitë që kanë kryetarë të zgjedhurit e PD-së kanë vetëm rritje të popullsisë, ndërkohë që në bashkitë që kanë kryetarë të zgjedhurit e PS-së, popullsia- në të gjitha rastet, sipas censusit- të ketë rënia? Madje, deputeti Fino në Parlament bëri fjalë për manipulime të fondeve nga ana e qeverisë dhe ato shpërndahen atje ku qeveria investon për fushatën zgjedhore. Gazeta “Telegraf” intervistoi deputetët Bashkim Fino dhe Gjovalin Kadeli lidhur me ndryshimin e grantit të pakushtëzuar për bashkitë e komunat në p/buxhetin e 2013-s, i cili, u miratua nen për nen me 72 vota, ku opozita votoi kundër.

Zoti Fino,  cili ishte shkaku, arsyeja që erdhi i ndryshuar granti i pakushtëzuar, për t’u miratuar sot (dje) në Kuvend, nga ai i paraqitur në 26 nëntor, në Kuvend, i cili u miratua në parim?

–  Qeveria sot (dje) u justifikua se granti i pakushtëzuar për bashkitë dhe komunat erdhi i ndryshuar pasi u bazua në të dhënat e ndryshimit të popullsisë, sipas censusit që publikoi ditët e fundit qeveria.

– Ku është kundërshtia juaj?

– Ka dy momente që të vënë të dyshon në qëllimin e ndryshimit të grantit të pakushtëzuar për bashkitë e komunat, që qeveria paraqiti në Kuvend për t’u miratuar nen për nen, nga ai grant që po vetë kjo maxhorancë votoi në parim në 26 nëntor. Si ka mundësi, që sipas qeverisë, popullsia të ketë pësuar rritje vetëm në bashkitë ku kryetarë janë të zgjedhurit e PD-së? Po në të gjitha? Ta hamë sapunin për djathë, e të besojmë përrallat që na thotë qeveria? Si ka mundësi, që sipas qeverisë, në bashkitë ku kryetarë janë të zgjedhurit e PS-së, popullsia të ketë pësuar rënie? Po në të gjitha bashkitë? Kaq shumë duan të manipulojnë me censusin e tyre, qeveria? Është kaq e thjeshtë dhe e qartë përse qeveria e solli të ndryshuar grantin e pakushtëzuar të bashkive. E solli sot, pasi më parë botoi censusin, për të justifikuar ndryshimet në shifra të grantit të pakushtëzuar bashkive. Në të gjitha bashkitë ku kryetarë janë të zgjedhurit e PD-së, fondet janë shtuar shumë herë dhe në të gjitha bashkitë ku kryetarë janë të zgjedhurit e PS-së, fondet janë pakësuar shumë.

– Mund të na ilustroni me shifra, zoti Fino?

– Bashkisë së  Tiranës në 26 nëntor i kishin planifikuar 953,893 milionë lekë, ndërsa sot kjo shumë është 1.101,276 milionë lekë, pra me rritje + 147,379 milionë lekë. Bashkisë së Peshkopisë, nga 92, 142 milionë lekë i planifikojnë 100 milionë lekë, + 8,266 milionë lekë. Bashkisë së Shkodrës nga 373,044 i rritin grandin në 409,901 milionë lekë, + 36,85 milionë lekë. Këto bashki që përmenda janë të zgjedhur kryetarë të PD-së. Ndërsa në bashkitë ku kryetarë janë të zgjedhur nga PS-ja, grandin është shkurtuar gjeometrikisht. Ja disa shembuj. Bashkia e Beratit, nga 175,671 milionë lekë i planifikojnë 160,280 milionë lekë, pra – 15,382 milionë lekë. Bashkisë së Durrësit nga 417,850 milionë lekë i planifikojnë 360,234 milionë lekë, – 57, 234 milionë lekë më pak. Bashkisë së Elbasanit, nga 334,455 milionë lekë i planifikojnë 303,879 milionë lekë, pra – 30,5 milionë lekë më pak. Bashkisë së Gjirokastrës, nga 80,412 milionë lekë, i planifikojnë 74,397 milionë lekë, pra – 6,01 milionë lekë më pak.

Këto ndryshime të shifrave, që janë bërë në grandet e pakushtëzuara të bashkive, qoftë në shtim, qoftë në pakësim, mbi ç’bazë kriteresh janë bërë?

Për përllogaritjen e shifrave, nuk mjafton vetëm popullsia, por ato bëhen mbi bazën e një formule përkatëse, ku 70 % e shumës përcaktohet nga popullsia e 30 % përcaktohet nga sipërfaqe e njësisë vendore. Mirëpo, derisa pranohen që do të bëhen këto ndryshime, së pari, duhet që të ngrihet një komision që të hartojë shifrat e ndryshuara.

– Keni dyshimin, që në këtë rast, pas publikimit të censusit, të mos jetë ngritur asnjë komision, që të hartojë shifrat e ndryshuara?

– Këto shifra të ndryshuara në grandin e pakushtëzuar të bashkive nuk u bënë pas publikimit të censusit. Censusin qeveria e dinte prej kohësh, thjesht, qëllimisht e publikoi tani. Dhe, qeveria erdhi në Kuvend me dy p/buxhete. Një e paraqiti më 26 nëntor, të cilin, po vetë e miratoi në parim dhe p/buxhetin që paraqiti sot në Kuvend. Qeveria, me qëllim e publikoi pas datës 26 nëntor censusin, që të krijonte një alibi për ndryshimin e shifrave në grandin e pakushtëzuar të bashkive.

Ju bëtë edhe një pyetje në Kuvend, përse ky census nuk përdoret edhe për rishpërndarjen e mandateve të deputetëve. Cila ishte përgjigja që morët?

– Mospërgjigjja, sepse mungon argumenti, është dëshmues që PD-ja manipulon kudo dhe gjithçka, që kërkon ta përdorë si mjet politik. Po të jetë real censusi, po të jenë të vërteta ndryshimet e popullsisë, edhe ne do të pranonim që siç ndryshohen shifrat e grandit të pakushtëzuar për bashkitë  e komunat, KQZ-ja le të rishpërndajë edhe mandatet e deputetëve. Derisa në bashkitë që pretendon PD-ja ka rritje të popullsisë, le të bëjë edhe shtimin e mandateve të deputetëve.

– Zoti Kadeli, sa i pakushtëzuar është grandi për bashkitë?

– I pakushtëzuar niset nga qeveria për të treguar se nuk e prek autonominë vendore, pastaj rrugës e kushtëzojnë, duke urdhëruar ndarjen deri në 40 % të tij për shpenzime, si paga e shpenzime koherente dhe me akte normative pastaj bëjnë sikurse bënë këtë vit, me kalimin e fondeve për CEZ-in dhe ndarjen në fond të veçantë për emergjencat, 5-10 % të grandit. E kushtëzojnë me urdhëresa, nga këto ndahen 30-35% për fond pagash dhe të tjerat për investime, duke llogaritur edhe të ardhurat e tjera nga lejet e ndërtimit dhe tatim taksat vendore, dhe kushedi se çfarë kushtëzojnë rrugës, gjatë vitit, siç ndodhi sivjet me ujësjellësit për energjinë.

Sipas jush, këto rritje të fondeve për bashkitë, ku të zgjedhur janë kryetarët e PD-së dhe zvogëlim të fondeve për bashkitë, ku të zgjedhur janë kryetarët e PS-së, mund të përdoren për nevojat jetike të banorëve?

– Këto fonde do të përdoren për fushatën elektorale të PD-së.  Berisha rrit fondet në bashkitë që ka të zgjedhurit e tij, për të bërë fushatën elektorale. Nuk ka asnjë dyshim, sepse po t’i shikosh nuk ka asnjë logjikë, qoftë statistikore që mund të vërtetojë ndryshime të popullsisë, qoftë edhe nuk ka projekte që mund të  kenë domosdoshmërinë e shtimit të fondeve. Duke zvogëluar fondet ndaj bashkive ku të zgjedhur janë nga PS-ja Berisha kërkon të përcjellë mesazhin e penalizimeve për qytetarët, duke u shkurtuar fondet.

-Faleminderit!